Nis sezoni turistik/Lopata kokës në Kune për shezlongjet

Postuar në 26 Qershor, 2022 15:51

Pa dalë qershori, lajmet me hunj kokës në plazhet e Shqipërisë nuk mund të mungonin. Në Kune të Shëngjinit është përdorur lopata ndaj dikujt që në media e kalojnë për biznesmen. Njoftimi i policisë:

Në Kune, pas një konflikti të çastit për motive pronësie, shtetasi P.D. ka goditur fizikisht dhe me sende të forta shtetasin A. M., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Lezhë, për ndihmën e nevojshme mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po vazhdon shoqërimin e personave të përfshirë në konflikt, marrjen e deklarimeve, administrimin e çdo prove si dhe çdo veprim tjetër hetimor për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Në vijim, do të jepet informacion përfundimtar.

Në variantin gazetaresk dhe më konkret, ngjarja tregohet kështu:

Burime bëjnë me dije së është goditur me sende lopatë pas koke, Armand Marku nga një person tjetër, i cili është një kërkim. Mësohet se Armand Marku është pronari i shezlloneve në zonën ku ka ndodhur sherri, ndërsa nuk dihet shumë për autorin. Marku ndodhet në gjendje të rëndë dhe është nisur me ambulance drejt spitalit të Traumës në Tiranë

Pra në një vend bregu ku pushojnë njerëzit, nuk është ndarë pronësia mbi sipërfaqen ku vendos njëri shezlongët apo tjetri. Në Kune ka edhe problemin se uji bën lojëra teksa tërhiqet dhe largohet, merr terren dhe lë terren. Një situatë e ngjashme me atë që rrëfen ndoshta Eqrem Bej Vlora për një shekull e ca më parë kur në lumin Vjosa që ndante pronat e Vlorajve me bejlerët e Frakullës, u krijua një ishull aluvional. Dhe kështu plasi lufta për tri ditë për pronësinë e aluvionit, që i la të gjithë me gisht në gojë kur edhe lumi e treti siç e bëri. Çështjen e ndau Janina që nga ai moment e tutje, aluvionet janë pronë e shtetit.

E çuditshmja me rastin e Shëngjinit është se pronarët që përdorin lopatën si alfabetin e parë shqip nuk ia vunë veshin Artan Lames që tha se tani me pronën nuk luhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.