Synimet e Putin nuk shkojnë përtej Ukrainës, Bjellorusisë dhe ndoshta Kazakistanit

Postuar në 24 Prill, 2022 15:28
Intervistoi: Athanasios Katsikidis

 

Azar Gat, një ndër analistët kryesore ushtarakë të Izraelit flet në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini” në të cilën flet për situatën në Ukrainë, gabimet e Rusisë dhe keqleximin që po i bëhet synimeve të presidenti rus. Sipas tij, në invazionin e Ukrainës ka patjetër edhe një element difensiv që nuk duhet injoruar.

Cila është dogma moderne strategjike e Rusisë dhe cilat ishin synimet primare strategjike të pushtimit të Ukrainës?

Ajo çfarë duhet të kuptojmë është natyra e dyfishtë e pushtimit rus. Është elementi i dukshëm ofensiv, ai agresiv. Ky është një rast flagrant i agresionit, por është një rigjallërim i imperializmit tradicional rus. Por ajo që shumë njerëz nuk kuptojnë me të vërtetë, është elementi difensiv. Ne kemi studiuar të ashtuquajturën dilemë e sigurisë, që është se rusët janë me të vërtetë të shqetësuar për natyrën strategjike, si stacionimi i raketave në kufijtë e Rusisë, vetëm disa qindra kilometra nga Moska. Ata kanë protestuar për vite për këtë gjë. Mendoj se e gjithë ideja e Ukrainës që anëtarësohet në NATO dhe refuzimi për të dhënë edhe disa garanci bazike për këtë, duke lënë mënjanë dislokimin e raketave, ishte një provokim i panevojshëm.

A e nënvlerësoi Putin reagimin e palës ukrainase dhe Perëndimit?

Tani dihet botërisht se ai gaboi, e keqinterpretoi çdo gjë. Ai keqinterpretoi vendosmërinë ukrainase. Ata besonin se sapo forcat ruse të ishin aty, popullsia do të ngrihej, disa segmente të saj do të bashkoheshin me të dhe do të kishte shumë pak rezistencë. Të gjitha këto u provuan tërësisht të gabuara. Rusët nuk besonin se Perëndimi do të protestonte apo do të vendoste sanksione. Nuk kam besuar kurrë se Perëndimi do të tregonte këtë lloj uniteti dhe çdo lloj sanksioni serioz që u vu. Ajo që u keqllogarit shumë keq, ishte potenciali luftarak i rusëve, i Forcave të Armatosura Ruse.

Cilat janë dobësitë fatale të Rusisë dhe si e ka afektuar dobësia e brendshme planet e tyre?

Ne e dinim dhe Obama e tha pak vjet më parë se Rusia është një gjignad që mbështetet mbi rërë. Kjo është ekonomia. Ekonomia ruse është shumë e vogël, në masën e Italisë që do të thotë se ata kanë kapacitet shumë të vogël në termat e mbështetjes afatgjatë. Ne e dinim të gjithë këtë. Dhe e shohim këtë më qartë tashmë pasi pamë se atyre u mungonte praktikisht çdo gjë. Ajo çfarë nuk ishte e qartë ishte se morali do të ishte kaq i ulët saqë kapacitetet ushtarake, në termat e efikasitetit, të forcave tokësore dhe ajrore janë në këtë pikë. Shtuar kësaj, nuk ka më pak rëndësi niveli i korrupsionit. Rusia është si një kleptokraci. Qeveria është e drejtuar nga hajdutë dhe tani del që nuk është vetëm skalion drejtues, pra Putin dhe oligarkët, por korrupsioni shkon poshtë kudo. Dhe ne tani po kuptojmë se njerëzit, oficerët, oficerët e rinj, logjistika, kudo vidhnin naftën. Ata nuk bënë gjërat e nevojshme për mirëmbajtjen, logjistikën e kështu me radhë.

Lidhur me pretendimin fillestar të Putinit për një operacion special “denazifikimi”, a nënkuptohej genocidi në Bucha dhe mizori të tjera?

E dyshoj. Mendoj se ne nuk dimë mjaftueshëm për këtë gjë. Është e qartë, se pati një masakër në Bucha, por ne nuk jemi të sigurtë sesi shkojnë gjëra gjetkë. Ne dimë që rusët nuk e pëlqejnë brutalitetin. Disa prej raportimeve thjesht po thonë se aty kanë qenë trupa çeçene. Nëse këta ishin trupat çeçene, kjo mund të shpjegojë diçka. Megjithatë, shkatërrimi është shumë i rëndë në shumë vende. Mariupol është një shembull, ndoshta edhe Kharkivi. Por unë e dyshoj se do donte një politikë të mizorive. Është e qartë se imazhi i krijuar është shumë shumë i keq dhe shumë i dëmshëm për rastin rus.

Nga blitzkrieg në liqenin me llucë të Ukrainës. E parashikoni një luftë ukrainase të llogores, me njësi të vogla që ndërmarrin veprime jokonvencionale kundër Rusisë?

Blitzkrieg dështoi. Çfarë shohim tani, çfarë duket se po shohim tani, mbështetur nga deklarimet zyrtare ruse, është se ata po tërheqin forcat nga Kievi dhe po përqendrohen në pjesën lindore të Ukrainës dhe në juglindje, që ia kanë dalë ta marrin. Tani në Lindje, Putin është angazhuar vetë në të ashtuquajturën çlirim të dy provincave, duke pretenduar kufijtë e tyre të para luftës, teksa rusët mbajnë gjithashtu 1/3-ën e tyre.

Ata kanë patur arritje po ashtu në brigjet e Detit Azov dhe ato të Detit të Zi. Nuk do të jenë në gjendje ta marrin Odesën. Kjo është tashmë e qartë. Por ata duan të mbahen në ato që kanë marrë deri më tani. Mendoj se perspektiva e avancimit të rusëve në Lindje nuk është e mirë. Në të njëjtën kohë, nuk mendoj se Ukraina, dhe duke patur parasysh frontin e vazhduar që kemi përballë, pra ukrainasit do të jenë në gjendje të përparojnë aty. Ne kemi aty linja të konsoliduara të frontit. Nuk është si në Kiev ku rusët u ekspozuan nga të gjitha drejtimet. Sa për jugun, potenciali për ukrainasit duket të jetë pak më i madh. Kjo sepse rusët po përhapen në brigjet e detit të Zi. Ukrainasit mund të jenë në gjendje të penetrojnë në këto linja komunikimi. Pra do të ishte më e arsyeshme të spekullohej se ne do të shohim një rënie drejt një lloj lufte llogoresh në Lindje, ndoshta pak më dinamike në juglindje.

Lidhur me lojën e strategjisë së madhe, a ishte invazioni rus një diversion për synimet e vërteta të Putin?

Nuk mendoj. Mendoj se Ukraina dhe Bjellorusia janë synimet e tij, kjo është perandoria e vjetër ruse. Ukraina, Bjellorusia dhe ndoshta Kazakistani për shkak të shumicës së popullsisë ruse. Nuk besoj se synimet e tij ishin më shumë se kaq. Shërbimet amerikane kanë thënë po ashtu se në atë kohë nuk kishte shenja të përqendrimit të forcave përgjatë kufijve të shteteve balltike. Ndaj mendoj se ndonëse plani i tij ishte radikal, ai nuk ishte edhe aq radikal. Dhe kjo është.

A ka gjasa që vendet e Mesdheut Lindor si Izraeli, Greqia dhe Qipro të përfitojnë avantazhe strategjike?

Duket fare lehtë se do të ketë rritje të kërkesës për gazin nga Mesdheu Lindor. Por nga ana tjetër, ne duhet të kujtojmë se prodhimi i vështirë në fushat e gazit nuk e zëvendëson gazin sovjetik. Sasitë janë të një rëndësie minore qëkurse Europa po kërkon tani për çdo burim tjetër përveç Rusisë. Ndaj po, me gazin që vjen nga Mesdheu Lindor. Por siç e thashë është e kufizuar në kapacitetin e vet, e rëndësishme, por e kufizuar.

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.