Zhak Rupnik: Europa po zgjohet nga ëndrra

Postuar në 19 Mars, 2022 12:12

Një nga politologët më të shquar në Evropë dhe drejtor i kërkimit në Sciences Po në Paris, Zhak Rupnik, analizon në një intervistë për “Kathimerini”-n ndryshimin tektonik që ka ndodhur në Evropë pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Evropa po zgjohet nga ëndrra e saj. Dhe ëndrra e Evropës ishte që ajo e shihte kontinentin vetëm si një projekt paqeje,” thotë ai.

Franca dhe Gjermania e pasluftës u bashkuan për të krijuar një projekt që do ta bënte luftën të pamundur. Nuk ishte gjë e lehtë, por ata ia dolën.

Ai shton se ky projekt funksionoi derisa Evropa filloi të përballet me sfida të reja, fillimisht nga Lindja e Mesme, fundamentalizmi islamik dhe lufta në Siri që shkaktoi një krizë të madhe refugjatësh dhe tani nga pushtimi në Ukrainë.

Ne mund të duam ta ndalojmë gjeopolitikën dhe politikën e pushtetit në mendjet tona, por e kemi atë te pragu i derës. Pra, ne zbuluam se duhet të shtojmë diçka tjetër në këtë projekt paqeje, dhe kjo është siguria dhe mbrojtja.

Ky zgjim, sipas tij, ishte krejt i papritur dhe i paparashikuar. Gjermania vendosi papritmas të riarmatosej, një ndryshim i paprecedentë në mendësi që i dha fund një tradite gati 80-vjeçare. Çfarë ndodhi me idenë liberale sipas të cilës tregtia do të shërbente për të përmirësuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të çuar konfliktet në koshin e plehrave të historisë?

E gjithë kjo ide e paqes përmes tregtisë arriti limitet. Ne zbuluam se bëjmë shumë tregti me një sërë vendesh, veçanërisht me Rusinë, por kjo nuk na çon domosdoshmërisht drejt paqes. Kështu që tani jemi të detyruar t’i rikonceptojmë bazat.

Ndërsa është në kulmin e fushatës presidenciale, pas takimit me Putin, presidenti francez, Emmanuel Macron, përmendi "autonominë strategjike" dhe "sovranitetin evropian". Rupnik e mbështet këtë qasje.

Duhet të përkufizojmë më mirë se çfarë do të thotë sovranitet evropian, por në thelb do të thotë një sovranitet i përbashkët midis nivelit kombëtar dhe atij evropian dhe ne e pamë këtë në pandemi. Mjerisht, kjo ide e sovranitetit të përbashkët nuk ekzistonte gjatë krizës greke 12 vjet më parë. Por tani ky është një revolucion i vërtetë në mënyrën sesi mendon Europa.

Rupnik beson se kriza e Ukrainës i dha shtytje kritike Evropës që ta konsideronte veten jo vetëm një entitet ekonomik, por edhe një aktor kryesor në politikën ndërkombëtare. A do të thotë kjo që Evropa do të jetë më e vetëdijshme për kufijtë e saj dhe shumë më bindëse në mbrojtjen e tyre?

Po, mendoj se kjo është logjika. Njerëzit duhet ta kishin menduar këtë kur u krijua Shengen dhe kur u vendosën procedurat e azilit në Dublin. Ata nuk e bënë dhe përfundimisht erdhi 2015-a, viti kur ndodhi fluksi masiv i 1 milion njerëzve në Evropë. Pikërisht atëherë mendimi filloi të ndryshojë. Kuptuam se duhej na duhej një reagim i përbashkët.

Por është larg të qenit optimist.

Ne po përballemi me rikthimin e tragjedisë në politikën evropiane. Kur them se Evropa po zgjohet nga ëndrra e saj, do të thosha gjithashtu se ishte një ëndërr që po përballet me një makth tragjik. Sepse është një makth, ajo që po ndodh tani në Ukrainë. Nuk do të zhduket pas një jave apo pak më shumë. Evropianët duhet të zgjohen nga ëndrra e tyre. Me pak fjalë, ne donim të ishim vegjetarianë, por fqinjët tanë nuk janë. Kështu që ne duhet të përshtatemi dhe të jemi të përgatitur për të ndryshuar dietën tonë.

Me apo pa dietë të ndryshuar, Ukraina duket gjithnjë e më shumë si një vorbull që po i thith të gjitha fuqitë e mëdha. Rupnik nuk e fsheh shqetësimin.

Jam në ankth për gjërat që mund të ndodhin. Putin dikur portretizohej si një lloj personaliteti brutal, njëkohësisht është edhe shahist. Por rezulton se është një bandit dhe agresor. Një lojtar shahu është dikush që nuk di vetëm lëvizjen e radhës. Ai i di tre, katër, pesë lëvizjet e ardhshme. Nuk e kam ndjesinë se kemi të bëjmë me këtë lloj shahisti racional. Një arsye tjetër për të qenë në ankth është sepse ndodhin aksidente. Duhet të jemi në ankth, por nuk duhet të kemi panik. NATO ka qenë shumë e qartë se nuk është e përfshirë në një luftë.

Profesor Rupnik ka qenë këshilltar special i Vaclav Havel në vitet 1990. Ai thotë se do t’i kishte sugjeruar të mos ndërhyjë në zgjedhjen e ukrainasve.

Ai gjithmonë thoshte se Ukraina është një vend kompleks në kufijtë midis qytetërimeve të ndryshme dhe projekteve të ndryshme politike. Dhe ai gjithmonë këmbëngulte se nuk duhet të jetë në dorën tonë të vendosim nëse Ukraina duhet të jetë kështu apo ashtu. Ne duhet t'i lëmë ukrainasit të zgjedhin vetë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.