Po ikën tranzicioni pa një spiun dhe një të korruptuar të arrestuar

Postuar në 21 Qershor, 2021 11:32

Media të ndryshme raportojnë sot se prokurorët gjermanë kanë arrestuar një qytetar rus që punonte në një universitet gjerman i cili akuzohet se punonte për shërbimet ruse të inteligjencës. Në muajin shkurt një tjetër person që punonte për një kompani të kontraktuar nga Parlamenti për të kryer kontrolle të rregullta në sistemin elektrik, u arrestua po me akuzën e spiunazhit në favor të Rusisë.

Lajmi në vetvete përbën një episod të radhës në serinë e informacioneve të shtuara që pas vitit 2007, kur edhe marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë pësuan krisje serioze. Po kështu, episode spiunazhi janë verifikuar në Poloni, Çeki, Greqi, Francë, por edhe në selinë e BE-së, në Bruksel.

Po në Shqipëri, një vend ku hyn derri dhe dosa, sa për të përdorur një shprehje të njohur, çfarë ndodh?

Sigurisht që aktivitet spiunazhi ka edhe këtu, ndonëse jemi një vend pa sekrete siç jemi mësuar të themi. Mirëpo ne nuk shohim kund në njoftime për ndalime, arrestime të kësaj natyre dhe këtu është problemi. Lajmet për ndalim personazh për aktivitet spiunazhi njoftohet publikisht në vendet demokratike, sepse në finale qytetarët duhen informuar për llojin e veprimtarive kundër shtetit të tyre. Tjetër në Shqipëri. Pas vitit 1998 me deportimin e 4 xhihadistëve egjiptianë dhe më pas, vdekjes së një prifti spanjoll në Tiranë i identifikuar si operativ i CIA-s, nuk ka në media asnjë lajm për ndalim personi për aktivitet spiunazhi.

Ne mund të mendojmë se kjo është një teknikë diskresioni për një veprimtari që e kërkon një gjë të tillë, mirëpo ai sekret që mbahet në këtë mënyrë siç na sugjeron heshtja e gjatë, rezulton të jetë në vetvete një akt banal. Kush ka lexuar materiale të ish-Sigurimit të Shtetit, tanimë të deklasifikuara, mund të kuptojë se arma më e fortë represive është ideja e ngulitur e një force madhore, miti i një mekanizmi hiperfunksional dhe efektiv sesa planifikimi dhe organizimi i operacioneve komplekse.

Ne mund të mendojmë edhe se në Shqipëri funksion ai që mund të quhet spiunazh i autorizuar, që nënkupton faktin se njerëz me lidhje me agjenci të huaja  lejohen të depërtojnë në politikë dhe institucione, duke toleruar në këtë mënyrë një formë lobimi dhe rregullimi interesash që përndryshe do të duhet të kalonin në tjetër formë.

Është kjo arsyeja se pse ndër të tjera politika shqiptare është kaq e ekspozuar ndaj shantazhit të të huajve, pse ajo firmos reforma tërësore me një sms dhe pse nuk hap asnjëherë seriozisht tema diskutimi për të cilat ka nevojë shoqëria dhe shtrimi i një të ardhmeje të shëndetshme.

Sigurisht që në Shqipëri nuk spiunohet në atë formën e këtij qytetarit gjerman që punon në forma gjysmë klandestine. Në Shqipëri informacioni mblidhet me pak lekë, përmes njerëzve që ofrojnë çdo shërbim lirshëm. Kaq e vërtetë është kjo saqë edhe i ashtuquajturi sekret i NATO-s që rrezikohet të përcillet nga zyrtarë shqiptarë për fuqi të treta është trajtuar në formën më komike të mundshme, kur sheh llojin e servilizmit që frymon në këtë vend ndaj Perëndimit(kujtoni të famshmen celulë iraniane).

Është e çuditshme afër zeros ky realitet i mungesës së informacioneve për ndalim akitivteti spiunazhi të agjencive të huaja, sepse po afër zeros është edhe p.sh goditja e një korrupsionit në nivele të larta që vetëshërbehet me njësi të tilla si krimi, spiunazhi, përherë në emërues të përbashkët koniunktuarsh të nëndheshme, ku më e nëndeshmja mbete ekonomina. Ajo ekonomi që i ka dhënë fytyrën e tranzicionit këtij vendi ku nuk ndodh asgjë, pikërisht sepse ndodhin të gjitha.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.