Ikën nga jeta i paharrueshmi Guljelm Radoja

Postuar në 05 Maj, 2021 10:36

Ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare aktori i madh, Guljelm Radoja. Patjetër që e meriton titullin i Madh. Pa lajka, pa kordialitetin post mortem dhe pa u zënë ngushtë për fjalët që duhet të thuash në kësi rastesh.

Radoja nuk ishte vetëm një ndër aktorët më të mirë të filmit shqiptar, por ishte një ndër portretet më qytetare të galerisë së personazheve të prodhuara ndër vite. Pak gjë dukej shqiptare te Radoja, duke nisur që nga emri që evokonte më shumë një Shkodër të para Çlirimit, nga pamja aq europiane, për të ardhur te një karakteristikë e domosdoshme për një aktor kalibri siç është zëri, nuancat e tij dhe sytë, shikimi, loja karakteriale me të.

Radoja ishte një aktor që diti të mbushte me kuptim dhe personalitet personazhet e veta përmes shikimit dhe Zërit, aq tingëlllues, aq të shtruar dhe kaq të pakohshëm.

Stefan Bardhi që flet për Shqipen tonë të dashur, Petro Nini me duelin e tij të vetmuar në Kolonjën e hidhur dhe cinike të Dalan Bej Qafëzezit, ai Petro që vdes duke ndrysur sytë e duke e gëlltitur me melankolinë e fundit pabesinë, apo Zoti Alberto te “Gjeneral Gramafoni”, ndoshta pasaporta më e shkëlqyer e Radojës në kujtesën e atyre që ndjekin filmin.

Fitues edhe në rolet episodike, i pazëvendësueshëm portreti i tij i Lym Kepit të heshtur dhe të shtruar pranë Ismail Qemalit te “Nëntori I Dytë”, ai Lym Kepi që e improvizon aq natyrshëm dramën e rikthimit në çezmën e fshatit, vetëm me një uverturë: zërin e tij. Me fjalinë pyetëse: Nuk po më njihni moj gra?

Tafa te “Shtigje Lufte”, që na përshfaq një Radojë tjetër, sy tinzar, që di të tradhëtojë kaq mirë.

Apo Serveti te “Gëzhoja e Vjetër”, të cilin Radoja e shpëton me mjeshtëri nga skematizmi i dikujt që ka veshur kostumin e njeriut të ri?

Nuk mund të mos na kujtohet edhe një cilësi tjetër e aktorit tonë që iku nga jeta në këtë pandemi që po kosit pa kursyer. Stili i tij, veshja, modelimi brenda rolit ku arrihej një sintonizim i përsosur. Zoti Alberto i “Gjeneral Gramafonit” me flokët me brilantinë duke pirë limonadë me pipë është Italiani në atë film madhështor ku gurgullon një shqiptari gati jetime por kreshpërore që nuk po e shohim më,  Stefan Bardhi te “Mësonjtorja” apo Petro Nini te “Kush vdes në Këmbë”, ku shkodrani Radoja nuk i lë gjë mangut kolonjarit të madh e ku në atë Pazar rromuzesh e intrigue ecën aq natyrshëm, e skalit kaq përsosur portretin e mësuesit tonë të paharrueshëm.

Ikën pra nga kjo botë një imazh, një zë, një kujtim I përbashkët yni. Një njeri qytetar që patjetër që do të ketë vendin e tij në majën e artit skenik shqiptar, përtej konsideratave tona si shikues apo admirues filmi. Të shpresojmë dhe besojmë se koha do ja japë vendin që meriton përtej një brezi që ende përtyp me nostalgji një kinema të kohës së vet, që flet edhe në emër të admirimit, sepse Radoja ishte një Aktor si gjendje intelekti. Dhe kjo është shumë e vështirë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.