Si do ta ndryshojnë tregun e artit ligjet e reja kundër pastrimit të parave

Postuar në 13 Mars, 2021 15:02

Julian Stallabrass, akademik në Institutin e Artit Courtauld, shkruante në “London Review of Books” në 2013 se "sa më shumë arti hyn në punë për investime, mashtrim me taksat, pastrim parash dhe hyrje në elitë", aq më shumë shfaqet padobishmëria e tij parimore” në panaire. Qëndrimi polemik i Stallabrass ndaj tregut të artit pasqyron raste reale të shkeljes së ligjit dhe qëndrimet e disave që e shikojnë artin si mall të luajtshëm me vlerë subjektive.

"Njohësit dhe koleksionistët mund të mos i shohin veprat e rralla të artit si mall", thuhej në një raport të vitit 2018 nga Deloitte. "Por shpesh, kështu janë perceptuar objektet kulturore në treg [dhe] investitorët dhe bizneset e paligjshme shohin vlera shtesë në këto objekte: mjete për të maskuar, zhvendosur dhe shfrytëzuar të ardhurat e siguruara në rrugë të tjera".

Në disa raste të rëndësishme janë përfshirë shitësit dhe blerësit e artit që thuhet se përdorin tregun e artit për të shmangur sanksionet, për të errësuar mbuluar origjinën e parave të pista dhe për të shmangur kontrollet mbi prejardhjen.

Për shembull, në korrik 2020, Nënkomiteti i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara për Hetimet publikoi një raport sipas të cilit mungesa e transparencës në tregun e artit i ka lejuar oligarkët rusë të lidhur me Presidentin Vladimir Putin të blinin vepra arti në vlerë 18 milionë dollarë përmes një kompanie guaskë, duke shmangur sanksionet e SHBA-ve mbi elementë të korruptuar financiarisht në Rusi.

Në shtator të vitit 2020, komuniteti global financiar u trondit nga zbulimi i dosjeve FinCEN, sipas të cilave rreth 2 trilionë dollarë transaksione të dyshimta kishin lëvizur nëpër bankat kryesore globale. Këto detaje më vonë lidhën blerësit e antikave në shtëpitë kryesore të ankandit me Pantheon Worldwide Limited, një kompani guaskë e regjistruar në Hong-Kong dhe Londër që kishte marrëdhënie të paqarta me trafikantë të artit. Për shkak të natyrës së globalizuar të sistemit financiar, operacionet e Pantheon në Amerikë përfshinin aktorë evropianë dhe britanikë.

Ligje të reja për një realitet të ri

Qeveria amerikane dhe ato të vendeve të BE-së kanë nisur përpjekjet për të hartuar ligje të reja që reflektojnë kompleksitetin e një sistemi global modern financiar që gjithnjë e më shumë ndërvepron me teknologjinë.

I tillë është vendimi i 1 janarit 2021, i miratuar nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, për të zgjatur efektivitetin e Aktit të Sekretit Bankar edhe mbi tregun e artit, sidomos te antikuaret dhe ndërmjetësit. Ligji synon të shtojë përpjekjet kundër pastrimit të parave, duke ua bërë më të vështirë blerëve të fshehin identitetin përmes entiteteve offshore apo kompanive guackë. Ligji u kërkon koleksionistëve të identifikojnë përfituesin final.

Edhe BE e ka hartuar një ligj të tillë në 2018 dhe ka nisur zbatimin e tij në 2020. Një ligj i tillë, në fakt, nuk është i ri. Ai e ka origjinën që vitin 1991, në Traktatin e Maastricht-it, kur njihej si AMLD1 (Direktiva 1 kundër pastrimit të parave).

Tani ligji i ri, një për BE-në dhe një i veçantë për Britaninë, janë gati dhe qeveritë e vendeve do të zgjedhin kur ato do të hyjnë në fuqi.

“Direktiva e BE është mjaft e përgjithshme për të lënë hapësirë për interpretim lokal dhe sigurimin e udhëzimeve më konkrete nga rregullatorët kombëtarë”, thanë Astrid Brandy dhe Maxime Heckel nga Deloitte Luksemburg.

Kompleksiteti i Brexit

Për shkak të marrëveshjes për daljen e Britanisë nga BE-ja në janar 2020, ligji në fjalë u transpozua në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar dhe u bë efektiv atë muaj. Ata që merren me tregun e artit në Mbretërinë e Bashkuar tani po punojnë për ta pajtuar ligjin (AML) me Doganat dhe Të Ardhurat e Madhërisë së saj (HMRC) përpara 10 qershorit 2021.

Shumë ekspertë mendojnë se pavarësisht Brexit, Britania e Madhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me BE për AML.

Rrjedhimisht, çdo koleksionist arti që dëshiron të blejë, tregtojë dhe operojë në Britani dhe BE - një treg që i marrë së bashku vlen 18 trilionë dollarë në PBB - do të duhet të kuptojë se si të veprojë në përputhje me regjimin e ri dhe cilat galeri, shtëpi ankandesh dhe shitësi do të jenë subjekt i tij. Më e rëndësishmja, edhe tregtarët dhe koleksionistët në Amerikë, Azi dhe rajone të tjera do të duhet të jenë në përputhje me regjimin e ri kur punojnë me klientë në Britani të Madhe dhe BE.

Pajtueshmëria për koleksionistët

Pas ligjit të ri ka më shumë pritshmëri që koleksionistët të sigurohen se po blejnë ligjërisht dhe etikisht një vepër arti. Shumica e koleksionistëve janë ose klientë individualë ose kualifikohen si "pjesëmarrës në tregun e artit" (AMP), një term që i referohet një tregtari që blen në emër të biznesit të tij ose të një klienti dhe ka kryer një ose shumë transaksione me vlerë prej 10 000 € (rreth 11,900 dollarë).

Si pasojë, nëse një koleksionist synon të shesë vepra arti nga koleksioni i tij në një vlerë prej 10,000 € ose më shumë, ato do të bëhen subjekt i rregulloreve të reja.

“Ndërsa është praktikë e mirë që blerësit të kenë kujdesin e duhur për artin dhe shitësin e saj para se të blejnë, në aftësinë e tyre si klientë, nga blerësit nuk kërkohet të kryejnë kontrolle kundër pastrimit të parave nga ana e shitësve të tyre”, tha Jasani.

"Kur një blerës AMP blen për të rishitur, blerësi duhet të kryejë kontrolle kundër pastrimit të parave te blerësi përfundimtar." Pra, nëse një tregtar me seli në Paris është duke blerë një pikturë 50 000 € në ankand në emër të një koleksionisti italian, ai do të duhet të bëjë një kontroll të kujdesit të duhur AML për koleksionistin para se të finalizojë shitjen.

Hapat shtesë që kërkohen nga koleksionistët jo-AMP përfshijnë sigurimin e dokumenteve personale të identifikimit dhe vërtetimin e adresës dhe identifikimin e pronarëve përfitues të kompanive, besimeve, mjeteve me qëllim të veçantë dhe organizatave të AMP nëse ata po blejnë përmes një strukture të tillë. Ndërsa e bëjnë këtë, koleksionistët shitës duhet të kenë gjithnjë kujdes që të mos transferojnë informacion të tillë në mënyrë elektronike pa kriptim. Për më tepër, Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave 2018 e BE-së (GDPR) siguron një nivel minimal të mbrojtjes së privatësisë për AMP-të e përfshira në Evropë dhe Britani.

Krahas kësaj, nga AMP kërkohet të bëjë hulumtim minimal mbi koleksionistët që blejnë prej tyre. 

/ Artsy /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.