Drejt qeverisjes dhe parlamentit vitrinë

Postuar në 04 Mars, 2021 13:47

Najada Çomo ka pranuar sot ftesën e kryeministrit Rama për të qenë pjesë e garës elektorale të 25 prillit. Siç e dimë zonja. Çomo deklaron se ka edhe tituj akademikë dhe presupozohet se ka bërë një vlerësim të hollësishm për politikat e kësaj shumice përpara se të marrë vendimin për të hyrë në politikë.

Mirëpo kjo është një hapje e kontrolluar brenda kufijve dhe sado formalisht korrekte, zgjedhje të tilla nuk mund të jenë të shëndetshme.

Së pari kryeministri po bën prezantim kandidatësh që variojnë nga njerëz të showbizit, tek ekspertë me imazh publik për të korrigjuar kriminalizimin e parlamentit me njerëz me probleme serioze dhe mbuluar çdo problem perceptimi. Ky është një operacion me natyrë tregtare transaksioni të cilit është: ofertë e njëjtë qeverisjeje, me shitës të ndryshuar në kërkim të besimit nga elektorati.

Për këtë arsye, njerëz si zonja Çomo që thuhet se i afrohen politika nga shoqëria civile, qytetaria etj., në të vërtetë nuk është se po zgjedhin për të dhënë një kontribut duke gjetur alterantivën më të mirë. Ata kanë qenë njerëz pranë një partie apo tjetër dhe në këtë moment thjesht formalizojnë një angazhim politik publik.

Sesa e vërtetë është kjo mund të verifikohet nga fakti se asnjë prej këtyre profesorëve, ekspertëve, apo njerëzve me integritet – emër profesional - nuk i qaset politikës në mënyrë kritike, nuk shpalos ndonjë ide apo projekt të ri. Thjesht njerëz të tillë këmbejnë emrin e vet, pompuar në rrethana specifike, si situata përmbytjesh apo pandemia, me karrierën politike që është asgjë më shumë sesa një ambicie e konfirmuar, përpara se të jetë një kontribut real.

Zonja Çomo hyn kështu si element dekorativ në një fushatë elektorale që vë përballë një qeveri që ka 8 vjet që drejton dhe një opozitë që ka 8 vjet që bashkëqeveris me dështimet e veta, përmes një parlamenti të kriminalizuar, mandej memec dhe tani me sa duket të shndërruar në vitrinë xhinglash që po do t’i marrë mendjen miletit.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.