Mediat në Kosovë: Datë e re për takimin e dialogut me Serbinë

Postuar në 02 Korrik, 2020 11:35

Gazeta e Kosovës, “Koha Ditore” shkruan sot se emisari i Presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, pritet të caktojë një datë të re për takimin mes përfaqësuesve serbë dhe atyre shqiptarë. Gazeta referon burime diplomatike dhe shton se takimi do të bëhet pavarësisht se Hashim Thaçi tanimë është praktikisht jashtë procesit. 

Një burim i afërt me zhvillimet i ka thënë KOHËS se emisari i presidentit Trump, Richard Grenell, së shpejti do ta caktojë datën e takimit në Shtëpinë e Bardhë, pas dështimit të atij më 27 qershor. Për amerikanët nuk paraqet problem ndryshimi i negociatorëve dhe mungesa e Thaçit. Por, siç merr vesh gazeta, nëse dështon arritja e një marrëveshjeje gjatë korrikut, në administratën e Trumpit mund të bjerë entuziazmi për tentativa të tjera, edhe për shkakun se në nëntor mbahen zgjedhjet presidenciale. I takon popullit të Kosovës t’i caktojë liderët që duhet të marrin pjesë në dialog. Emisari Grenell do të tentojë t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje

shkruan gazeta.

Nëse një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë mund të merret me mend se përfaqësuesi i Kosovës pritet të jetë kryeministri Avdullah Hoti. Ky i fundit ka përsëritur disa herë kohët e fundit se dialogun me Serbinë do ta drejtojë ai. Nga ana tjetër, dje në Kosovë u miratua ngritja e një këshilli ekspertësh për dialogun, duke lënë të kuptohet se qeveria e re preferon më shumë rrugën institucionale dhe formale sesa marrëveshjet që rrjedhin nga paktet e ngushta. 

Po kështu Hoti ka qenë kategorik kur ka përjashtuar çdo diskutim mbi territorin e Kosovës, ndërkohë që ai ka hequr taksat ndaj mallrave serbe duke përmbushur kështu kushtet e Serbisë dhe ShBA për rinisjen e dialogut. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.