Garda Vullnetare Shqiptare merr përsipër autorësinë e kërcënimeve ndaj kryeministrit Kurti

Postuar në 20 Maj, 2020 18:12

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se nuk frikësohet nga kërcënimet që i drejtohen atij, duke komentuar letrën e fundit të ashtuquajturës “Gardës Vullnetare Shqiptare”. Këto komente shefi i ekzekutivit i bëri gjatë një vizite në “Trepçë” në Mitrovicë.

“Së pari, unë nuk frikësohem. Jam në punë dhe detyrë përditë. Për gjendjen e sigurisë, nuk është që unë mund ta vlerësoj unë, janë organet kompetente”, ka thënë Kurti.

Më tej, kryeministri theksoi se kërcënimi ishte më i veçantë për Gjykatën Kushtetuese, pasi edhe janë në prag të vendimit për dekretin e presidentit, Hashim Thaçi.

“Por, ata që më kanë kërcënuar mua, nuk mund ta kenë pasur me mua, sepse tek unë nuk funksionon. Ata e kanë pasur me Gjykatën Kushtetuese sepse duket se është në panik presidenti që po i humbet rasti.

Dekretet e presidentit ndodhet në Gjykatë, prandaj ata me atë kërcënim që ka ardhur në adresën e kryeministrit e kanë ditur se me mu nuk funksionon”, ka deklaruar ai.

Një ditë pas kërcënimeve që i janë bërë kryeministrit në detyrë Albin Kurti nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, një numër i shtuar i autoriteteve të sigurisë po e shoqërojnë atë në vizitën e tij në Mitrovicë.

Përpos policëve dhe mbrojtjes së afërt të kryeministrit në detyrë që kujdesen vazhdimisht për sigurinë e Kurtit këtë vizitë e ka përcjellë edhe një Njësit Special.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale janë duke e hetuar kërcënimin ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, nga “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Për herë të parë, në një njoftim që e publikoi kryeministri në detyrë Albin Kurti, u përmend emri i një organizate të quajtur, “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Kurti publikoi një kërcënim që kjo organizatë i ka bërë përmes një komunikate.

Kreu i Qeverisë në detyrë, e lidhi këtë komunikatë me punën që është duke e bërë Kushtetuesja që brenda këtij muaji pritet ta interpretojë dekretin e bërë nga presidenti Hashim Thaçi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.