Pandemia që rrëzoi mitin progresit të shkencës dhe që kërcënon rendin aktual

Postuar në 13 Maj, 2020 15:09

E gjithë bota po përpiqet të gjejë një kurë apo një vaksinë kundër CoVid-19. Flitet për miliarda dollarë të hedhur në këtë drejtim, por asgjë nuk duket në horizont. Në SHBA, ekipe të ndryshme studimore kanë konkluduar se kundër koronavirusit mund të jenë efektive 64 medikamente, nga të cilat 24 janë miratuar nga administrata amerikane. Mes tyre më të përfolurit dhe ata që po testohen më shumë janë, azitromicina, klorokina, interferon beta, remdesivir, tocilizumab etj.. Paralel me këtë listë ka një mendim të përhapur se vaksina kundër TBC-së mund të ndihmojë në parandalimin e infektimit dhe ulë simptomat e rënda. Por për këtë nuk ka ende një përfundim shkencor. 

Më e keqe sesa mungesa e trajtimit dhe vaksinës është pasiguria e virologëve dhe epidemiologëve për mundësinë e një vale të dytë, apo edhe për përftimin e imunitetit. Kemi pra një situatë ku e ashtuqujtura shkencë dhe teknologji, që gati sa nuk  përkufizojnë qytetërimin ku jetojmë dolën fiasko. Klorokina ka 70 vjet si medikament, azitromicina është një antibiotik i prodhuar në vitin 1982 në Kroaci, interferon beta është një antiinflamator, vaksina e TBC-së ka gati 80 vjet që është zbuluar, tocilizumab është një medikament antireumatik që në fakt preson veprimin e imunitetit. Sa për remdesivir ai është një antiviral i krijuar për Ebolan dhe që nuk duket se ka dhënë ndonjë rezultat kushedi. Në kushtet kur shumë pacientë zhvillojnë trombozë dhe mpiksje gjaku është dhënë aspirinë, medikament i shpikur diku nga viti 1899. 

Ne po trajtohemi pra me medikamente që i kanë marrë edhe gjyshërit tanë, ndërkohë që pretendojmë të gëzuar se shkenca ka çuar njeriun në Hënë. Askush nuk di ende me siguri pasojat afatgjata të virusit. Dikush flet për riakutizim të tij, një tjetër thotë kjo është shumë e rrallë. Një mjek tjetër vë alarmin se ka riinfektime, OBSH-ja thotë se nuk është ashtu, ka relapse të virusit, por shumë rrallë. Një qendër studimore deklaron se nuk fitohet imunitet ndaj virusit, në Itali miratohet testi sereologjik që të nxjerr nëse ke imunitet. Më tej kërkohet plazma e gjakut të të sëmurëve që thuhet se bëka mrekulli.

Kooperativa shkencore – në kuptimin e keq të fjalës – po dëshmon se punon dhe ka punuar mbi sensacionin e gjoja zbulimeve për të kapur fonde. Ky është një moment që të rishikohet shumëçka me financimin e mjekësisë dhe caktimin e qartë të prioriteteve të saj. Objektivat prioritare të mjekësisë nuk mund t’i lihen tregut as industrisë farmaceutike dhe këtë tani duhet ta kenë kuptuar edhe vendet e zhvilluara të cilat provuan biodrejtësinë e një virusi që kurseu deri më tani vendet e varfra.

Aspekti menaxherial I epidemisë konfirmon sesa në befasi u kap e ashtuquajtura shkencë. Karantinimi u përfol si masë autoritare e Kinës për t’u shndërruar pastaj në masë të përgjithshme. Hapja që po bëhet po realizohet në mënyrë të kushtëzuar me të drejtë prapakthimi, mirëpo ky proces dhe kjo vendimmarrje ka zbuluar se Demokracia nuk është një konstante e pandryshuar në Perëndim. Ka përherë e më shumë zëra që thonë se me karantinë pushteti po merr të drejtat tona. Dhe ca më keq, me heqjen e saj ai konfirmon në mënyrë demonstrative se ato janë atribut i tij, jo pjesë e pandarë e shoqërisë.

Mbi këtë spekullim që është shumë i rrezikshëm dhe që përbën aktualisht sfidën kryesore për atë që është forma e tanishme e kapitalizmit perëndimor dhe demokracive liberale, po ngrenë krye dy qajse ideologjike: kundër teknologjizmi nëse mund ta quajmë kështu dhe politikat e gjelbra. Në mbështeje të kësaj ideologjie që ka fituar momentumin e ri është modeli suedez. Në një shkrim në “Foreign Affairs” vihet në dukje se Suedia jo vetëm që shmangu karantinimin duke ruajtur demokracinë, por ajo madje nuk lejoi përdorimin e teknologjive dhe aplikacioneve gjurmuese që shtojnë shqetësimin për privatësinë.

Jemi pra në kushtet e një lufte të re politike që po instrumentalizon gjoja humbjen e të drejtave dhe demokracisë. Në thuajse të gjitha vendet demokratike parashkruhet gjendja e jashtëzakonshme dhe kufizimet e saj. Miratimi i saj është patjetër i përkohshëm dhe nëse do të kthehemi pas të shohim rastin e një vendi demokratik si SHBA, do të kuptojmë se gabimi i keqinformimit që ndodhi me pandeminë e vitit 1918 nuk po përsëritet.

Problemi ështe se jo të gjithë janë të aftë të administrojnë dhe marrin vendimet e duhura pavarësisht informacionit që kanë. P.sh ndonëse duket qartë se nuk ka një recetë për menaxhimin e pandemisë së tanishme, kritikët janë përherë të gatshëm që të shpallin se më së paku demokracia u zhbë. Ky nuk është ndonjë përjetim dramatik, është një përdorim i një alarmi të mbivlerësuar në funksion të axhendave si mjedisi apo teknologjia, që patjetër duhen konsideruar, por jo përmes histerisë kolektive.

Ajo që duket se do të detyrojë të gjitha qeveritë të mos veprojnë më në eventualitetin e një vale të dytë të rëndë me karantinim është goditja ekonomike. E cila është e tillë saqë mund t’i japë fund shumë strukturave me të cilat identifikohet rendi i tanishëm. Bota ndoshta e kaloi përfundimisht epideminë, por ndoshta ky është vetëm fillimi. Ndaj zgjidhja menaxheriale është me rëndësi kritike. Në internet qarkullojnë shumë materiale që ilustrojnë se maskat p.sh ulin ndjeshëm mundësinë e infektimit dhe këtu vjen në vështrim modeli suedez.

Ky sugjerim kaq këmbëngulës bëhet formalisht në emër të ruajtjes së demokracisë dhe të të drejtave, aq sa edhe në një vend si Italia, po akuzohet një kryeminstër si Conte që po abuzon në këtë drejtim. Por askush nuk e di se çfarë na pret, përveç faktit se një krizë e rëndë e dytë do ta bënte botën shumë të pasigurtë. Deri më tani qeveritë kanë vepruar duke u këshilluar me ekspertët, por kjo u provua se nuk i bën ato imune ndaj rebelimeve eventuale. Ata që kritikojnë shpërfillin shëndetin publik, ca për kundërvënie ndaj narrativës, ca për naivitet, ca edhe pse janë të manipuluar. Ndaj është emergjente që mjekësia të ketë shumë shpejt një zgjidhje konkrete, efektive dhe reale për këtë që po ndodh para syve tanë. Masat për shtim kapacitetesh për hospitalizime janë njëra anë, ekonomia dhe familjarizimi me termin “bashkëjetesë me virusin” janë ana tjetër. Është thënë dhe stërthënë se epidemitë përmbysin rendin e gjërave. Do të ishte therëse që kjo epidemi ta bëjë një gjë të tillë në epokën e shkencës dhe teknologjisë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.