Të shmangemi nga mbiekspozimi mediatik për pandeminë!

Postuar në 25 Mars, 2020 17:28
Intervistoi: Marina Corradi

Intervistë e psikiatrit të njohur Eugenio Borgna dhënë për gazetën “Avvenire” rreth krizës së frikës që ka mbërthyer shoqërinë njerëzore nga pandemia e koronavirusit.

Profesor, Ju keni studiuar dhe parë shumë dhe keni kuruar të sëmurë. Çfarë menduat duke parë ato imazhe të kamionëve të Ushtrisë mbushur me arkivolë që dilnin nga Bergamo?

Në ato imazhe perceptohet e gjithë tragjedia në veprim e sipër, jeta e shumë njerëzve që ikin nën izolim të plotë të çdo përkujdesjeje. Një vdekje e çpersonalizuar që humbet individualitetin e vet dhe bëhet numër, masë.

Një imazh që të sjell ndërmend të rënët në luftë, thelësisht trishtuese. Si ta durosh një gjë të tillë?

Është detyrë dhe domosdoshmëri të shohësh dhe mësosh, por duhet edhe një shmangie nga mbiekspozimi mediatik që do ta na tërheqë në ankth. Është e drejtë të ndjekësh një edicion informativ, por të dëgjosh gjithë ditën në tv, internet apo mediat sociale buletine lufte, të bën keq. Nuk duhet ta lëmë veten të zhytemi në dhimbje, edhe pse jemi pjesë e saj, por duhet të bëjmë atë që duhet: të mendojmë për shtëpinë, fëmijët, punën. Të jetojmë, të reagojmë: dhe me këtë t’i japim një shpresë shpengimi vuajtjes së shumë prej atyre që nuk i njohim.

Co Vid -19 shpërtheu në Itali me një dhunë që na lë të tronditur. 60 vjet më parë, mes viteve ’57-58, gripi aziatik vrau 30 mijë njerëz në Itali dhe më shumë se 1 milionë në mbarë botën. E megjithatë, dhe kjo të mrekullon, gazetat e epokës e referonin atë në faqet e brendshme, me tituj të esëllt: 28 milionë italianë u infektuan. Vdiqën sidomos të sëmurët kronikë dhe të moshuarit. Shkollat dhe fabrikat qëndruan të hapura. Ju, që në vitin 1958 ishin psikiatër në Institutin Neurologjik të Poliklinikës së Milanos, çfarë kujtoni nga gripi aziatik?

Në të vërtetë nuk mund të them se kam qenë dëshmitar i ndonjë momenti veçanërisht dramatik. E megjithatë punoja në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët në spital. Por në një klimë normale, mjetet lëviznin, shkollat dhe zyrat ishin hapur. Shumë sëmureshin, thuajse të gjithë shëroheshin dhe merrej vesh për dikë që vdiste nga ai grip i keq.

Duhet patjetër konsideruar brutaliteti dhe shpejtësia e shfaqjes së Co Vid 19. E megjithatë pati 30 mijë të vdekur nga gripi aziatik. Si shpjegohet atëherë një reagim kaq i ndryshëm?

Arsyet mund të jenë të ndryshme. Së pari në atë kohë, në provinca dhe në fshatra, njerëzit vdisnin akoma në shtëpi. Pranë krevatit të një të sëmuri vinte një mjek që bënte atë që mund të bënte, por ai nuk e shtronte në spital një të moshuar shumë rëndë. Nuk ekzistonte hospitalizimi i sotshëm dhe ndoshta për këtë mendoj se vdekshmëria e gripit aziatik u perceptual më pak. Nga ana tjetër, të rriturit e vitit 1957 ishin veteran lufte, apo të paktën kishin njohur bombardimet dhe urinë: kishin “frekuentuar” vdekjen, e kishin në llogarinë e tyre dhe gripi, ndonëse shumë agresiv u dukej pak në krahasim me atë që kishin kaluar.

Në vitin 1957, televizionet sapo kishin nisur dhe të përditshmet lexoheshin nga një elitë, kurse nga ana tjetër ishte vetëm radioja. Sa ndikon sot përhapja dhe depërtimi mediatik në perceptimin e epidemisë?

Mediat janë një boks i jashtëzakonshëm që informon, por edhe që përhapet dhe ato duhen menaxhuar nga ata që punojnë aty me racionalizëm dhe ftohtësi. Jehona mediatike krijon rezonanca të jashtëzakonshme psikologjike. Dhe ky ankth, përderisa jemi prej mishin dhe shpirti, mund të na ulë mbrojtjen imunitare dhe të na bëjë fizikisht edhe më të ekspozuar.

Profesor, Ju mendoni se kur kjo epidemi të mbarojë do të na gjejë pak të ndryshuar, për sa I përket shpërqendrimit, cektësisë së jetës sonë që e jetonim deri një muaj më parë?

Nuk e di. Me të pushuar rreziku, te njerëzit nis verbëria. Dhe me lehtësi. Do të jetë dikush megjithatë që në këto kohë dhimbjeje do të ketë pakur rastin për të qenë më I vëmendshëm, për të dëgjuar veten dhe të tjetrin më thellë. Po, disa prej nesh, pas kësaj prove të ashpër do të rilindin: të aftë për një shpresë të re.

*Përkthimi dhe titulli: ResPublica

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.