“Tekave” të Macron u shtohen edhe ultimatumet e ShBA

Postuar në 01 Nëntor, 2019 21:44

Një herë është Macron, njëherë Europa, një herë marrëdhëniet e vështira kufitare. Pak ditë pasi Ballkani Perëndimor mori lajmin se zgjerimi i BE-së frenohet sepse Parisi zyrtar mendon reformimin, nga pala amerikane vjen një tjetër ultimatum. 

Zyrtari amerikan për Ballkanin, Mathew Palmer është shprehur në Prishtinë se Serbia nuk ka për t’u anëtarësuar në BE pa njohur më parë Kosovën. 

Vuçiç e di se Serbia nuk do të hyjë kurrë në BE pa zgjidhur problemin e Kosovës. Ju ftoj të përfitoni nga kjo mundësi. E ardhmja e Kosovës do të përcaktojë fqinjësinë e saj. Shtetësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe tani ju keni nevojë të normalizoni marrëdhëniet për të përfituar nga potenciali i madh që keni

është shprehur Palmer në një takim me studentë në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. 

Mesazhi i tij nënkupton se në çështjet e sigurisë, ShBA është prezente dhe ruan një lloj vetoje mbi ato që janë në fakt investime të vetat. Kosova është një e tillë dhe kushti që i vendoset Serbisë në të vërtetë i jep kuptim këmbënguljes së Vuçiç për të kërkuar shkëmbim territorial. Ky është i vetmi Pazar i pranueshëm për t’u shitur brenda Serbisë. Palmer ka përsëritur se ShBA nuk imponon marrëveshje duke lënë të kuptohet se në një mënyrë apo në një tjetër, edhe shkëmbimi i territorit ka qenë i pranueshëm nëse për të do të kishte dakordësi. 

Ajo që ka rëndësi këtu është tjetër gjë dhe ky është fakti se drejt Europës ka kushtëzime të tjera për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për ata që negociojnë bëhet përherë e më e qartë se fjalët e zyrtarëve të institucioneve europiane kanë pak rëndësi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.