Të majtët janë të shtrenjtë. Renzi e provoi me avionin 26 herë më të shtrenjtë se normalja

Postuar në 03 Tetor, 2019 14:53

Dy kontrata mes kompanisë me bazë në Abu Dhabi, “Etihad”, “Alitalia”-s dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Itali, zbulojnë një aferë në kurriz të taksapaguesve italianë. Falë këtyre kontratave, shteti italian ka i paguar me fonde publike kompanisë “Etihad” përmes “Alitalia”-s, në mënyrë që kjo e fundit të mund të blinte një aeroplan – i cili ishte marrë me qira - që më pas do të përdorej nga kreu i qeverisë italiane, Matteo Renzi, me një çmim 26 herë mbi çmimin normal

Tre janë hipotezat kryesore. Hipoteza e parë: duket se ka xhiro të çuditshme parash nëpërmjet Air Force One, e kërkuar me ngulm nga Matteo Renzi kur ishte kryeministër. Dikush në Abu Dhabi, i cili ishte vendi furnitor i avionëve, ose dikush në Itali, por edhe një tjetër në të dy vendet, mund të ketë përfituar shumë para.

Hipoteza e dytë: paratë për kontratën stratosferike të qiramarrjes (168 milion euro për 8 vjet punë) mund të kenë qenë pjesë e një farë shkëmbimi favoresh midis Alitalia-s, e cila në atë kohë ishte private,  dhe një nga palët që kanë firmosur kontratën, Etihad, kompania e emirit të Abu Dhabit, e cila është bërë ortake e vetë Alitalias, mbi të gjitha falë ndërhyrjes së Renzit. Pak para nënshkrimit të marrëveshjes për Forcën Ajrore, kompania me bazë në Fiumicino kishte lëshuar një obligacion për një shumë gati identike me atë të qirasë, rreth 200 milion dollarë, për të cilën Etihad është pajtuar plotësisht. Afera e aeroplanit do të kishte qenë një mënyrë "krijuese" për t’i lejuar Alitalias t'u jepte arabëve mbështetjen që morën, duke e kaluar koston mbi taksapaguesit italianë. Këta të fundit nuk do ta merrnin vesh kurrë këtë hile, pasi kontrata e Forcës Ajrore klasifikohet në mënyrë të pashpjegueshme si sekret shtetëror.

Hipoteza e tretë dhe e fundit hap akoma më shumë debat: ata që ishin kundër kësaj lëvizjeje, në veçanti nënsekretari i qeverisë, Claudio De Vincenti, dhe këshilltari ushtarak i Renzit, gjeneral Carlo Magrassi , nuk arritën të parandalojnë që Etihad të bënte një gol të lehtë në portën bosh.

Gaetano Intrieri ishte menaxheri aeronautik, i cili dy vjet më vonë, në vitin 2018, bllokoi marrëveshjen duke i kursyer shtetit italian 118 milionë euro, ndërkohë që ishin paguar 50 milionë për qira. Ndërsa punonte për zëvendëskryeministrin Luigi Di Maio dhe për ministrin e transporteve, Danilo Toninelli, të dy nga Lëvizja 5 Yjet, ai hasi në këtë aferë dhe kuptoi menjëherë se ishte një gol. Një vit më vonë, Intrieri vendosi t’i sigurojë gazetës “Il Fatto Quotidiano” dokumentacionin dhe detajet e takimeve private për këtë rast.

Menaxheri zbuloi se në të vërtetë kishte dy kontrata: një midis Alitalia dhe Etihad; e dyta midis Alitalia-s nga njëra anë dhe Ministrisë së Mbrojtjes nga ana tjetër, Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes dhe Armaereo (Drejtoria e Armatimit Aeronautik). Në fakt, kompania private Alitalia vepronte si ndërmjetëse midis Etihadit dhe Shtetit Italian përmes një kontrate publike, e cila megjithatë mbetej sekret. Duke punuar për një qiradhënës amerikan (qiradhënës avioni), Intrieri kishte marrë në atë kohë përmes kompanisë angleze EAL ofertën e dy Airbus A340-500 Etihad, i njëjti model me atë të Renzit, duke përfshirë një VIP të prodhuar në të njëjtin vit me Air Force. Çmimi: rreth 7 milion dollarë secili (6.4 milion euro), pra 26 herë më pak se ajo që Etihad arkëtonte nga shteti italian për qiranë e aeroplanit të Renzit.

Marrëveshja e qirasë operative të Forcave Ajrore parashikonte gjithashtu një pagesë paraprake prej 25 milion dollarësh, të cilën Etihad ia faturoi Alitalia-s. Përmes njohjeve të tij në qarqet aeronautike ndërkombëtare, përfshirë drejtuesit e Etihad, Intrieri mësoi se një pjesë e asaj shume i kishte shërbyer Etihadit për t'u bërë pronar i Airbusit, që deri në atë kohë kompania e Abu Dhabit vetëm e kishte dhënë me qira. Në fakt, shteti italian ka përdorur paratë e taksapaguesve për të paguar një kompani të huaj përmes Alitalia-s, në mënyrë që kjo e fundit të mund të blinte një aeroplan që më pas do të merrej me qira dhe të përdorej nga kreu i qeverisë italiane.

Kontrata gjithashtu përfshiu një seri "Shërbimesh të Planifikuara", të cilat nuk përfshihen në çmim dhe zbriten nga pagesa e Armaereo. Për këto shërbime, Alitalia i faturonte Ministrisë së Mbrojtjes çmime më të larta deri në 3 fishin e atyre të tregut. Vetëm shërbimi i mirëmbajtjes së linjës kishte një kosto shtesë për Thesarin prej 380 mijë euro në vit, ndërsa mirëmbajtja e thjeshtë e avionit ka kushtuar më shumë se 100 mijë euro në muaj.

Intrieri zbuloi se për avionin nuk ishte shpallur asnjë tender ndërkombëtar dhe se ai i ishte nënshtruar regjistrimit civil dhe jo ushtarak, në kundërshtim me ligjin. Në atë pikë, ai u tha të gjithëve se e konsideronte çështjen një mashtrim të madh me rritjen e ndihmës shtetërore në favor të Alitalia-s (siç u konstatua më vonë nga Gjykata e Auditit). Menjëherë pas kësaj, media nisi ta sulmonte ndërsa në Parlament u kërkuan 4 seanca dëgjimore, të gjitha me eksponentët e PD, përfshirë Enza Bruno Bossio, që më pas u hetua për korrupsion në Kalabri nga Drejtoria e Qarkut Antimafia, së bashku me kryetarin rajonal të PD-së. Edhe drejtuesit e Etihadit u alarmuan.

Më 9 gusht 2018, kreu i flotës së kompanisë arabe, Andrew Fisher, shprehu dëshirën për një takim me Intrierin. Takimi u zhvillua në Hotel St. George në Via Giulia në Romë, me praninë e nënsekretarit Andrea Cioffi (5 Yjet). Në emailet që i paraprinë takimit, Fisher këmbënguli me forcë që gjeneral Magrassi të ishte i pranishëm. Magrassi e kishte trajtuar më parë marrëveshjen, por ai nuk u paraqit. Në përpjekje për të shmangur kundërshtimet e Intrierit dhe duke dashur të shmangë përfundimin e kontratës në minutën e fundit, menaxheri i kompanisë arabe propozoi uljen e shumës së qirasë në një masë gjashtë herë më të vogël, nga një këst 800 mijë euro në muaj, në 120 mijë. Në atë pikë, Toninelli vendosi të anulojë kontratën.

Rezistenca e fundit erdhi nga kreu i stafit të Alitalia, Carlo Nardello, dhe më pas gjatë një takimi të mbajtur më 10 shtator në ministrinë e drejtuar nga Di Maio nga shefi i shtabit, Vito Cozzoli. Pavarësisht gjithçkaje, kontrata më në fund u anulua. Tani rasti është nën hetim nga Prokuroria. 

/Il Fatto Quotidiano/TemaTV

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.