Çfarë aksionerësh kërkon Lulzim Basha?

Postuar në 09 Korrik, 2019 00:33

Kjo qeveri nuk ka më luksin të përfitojë nga marzhi i tolerancës së një mase të madhe njerëzish që vijojnë të jenë jashtë çdo burse interesash në këtë vend. Është bërë vetvetiu e padurueshme, aq më tepër me predispozitën për të predikuar moral kur vetë është e diskretituar si një trupë politike që siç thotë zoti Rama ka “vjedhur vota për të vjedhur Shqipërinë”.

Mirëpo nga ana tjetër kapitali njerëzor i opozitës, jo thjesht i militantëve të PD-së dhe forcave të tjera që janë kundërshtarë politikë me Edi Ramën për aq sa mund të quhen të tillë, rrezikon të dalë pa aksione nga ky  “revolucion” që ka gjasa të shënojë fundin e tranzicionit në Shqipëri.  Kjo, pamvarësisht kuotave që Lulzim Basha u përpoq t’i njihte çdo pjesëmarrësi në protestën e opozitës. Ja se si iu drejtua ai protestuesve.

“Aksionerë kryesor jeni pa dyshim ju. Kryengritësit e orës së parë dhe të pa ndarë në sakrifica dhe të vendosur deri në fitore. Aksionerë të sipërmarrjes kombëtare janë edhe qindra dhe mijëra intelektualë të tjerë, duke shpërfillur ekranet dhe mediat e blera. Intelektualët e vërtetë shqiptarë, nga Aleanca për Teatrin që janë shembull frymëzimi e qëndresës, tek pedagogët dhe të gjithë ata që janë bashkuar në këtë betejë dhe janë të vendosur për largimin e Edi Ramës. Partia Demokratike, opozita e bashkuar e kanë dëgjuar klithmën tuaj për ndryshim. Ndryshimi është tani përparësia jonë absolute, prioriteti karshi çdo shqiptari dhe socialisti të ndershëm”

Shqiptarët Lulzim Basha i quan aksionerë të demokracisë, por pa asnjë paradhënie se si këto aksione do të konvertohen nesër në  bursën e pasurisë së përbashkët.  Ai kërkon të rinegociojë Republikën në emër të shqiptarëve, ndonëse është njeriu me garancitë më të pakta për ta bërë këtë.

Ai edhe mund të negociojë thjesht të ardhmen e tij politike, siç ka ndodhur në të shkuarën e afërt, kur dhe firmosi bashkëqeverisjen me zotin Rama.  Shumë e thjeshtë, oferta e zotit Basha është më e madhe sesa mundësitë, aftësitë apo vullneti i tij për ta bërë këtë. Ai kërkon mandat popullor për të negociuar pazarin “demokratik” të radhës ose thënë ndryshe parakushtet për të ardhur në pushtet. Ai bën kjo shqiptarët aksionerë? Të një demokracie në zhvillim po, asgjë më tepër, ndonëse kjo varet sërish nga sinqeriteti i Lulzim Bashës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.