Ndamja krahinore e popullit shqiptar - Toskëria

Postuar në 28 Prill, 2019 16:04
Rrok Zojzi - Etnolog

 

“Toskënia” ose “Toskëria” si grup i madh krahinash etnografike

Me emnat “toskë” e “Toskëri”, si e quejnë vehten dhe vendin e tyne banorët e Jugut, ose “toskë” e “Toskni”, si quhen nga banorët e Veriut, kuptojmë grupin e dytë të krahinave etnografike që muer pjesë në formimin kombëtar të popullit shqiptar. Ky grup i dytë përmbledh të gjithë jugun e Shqipnisë, tue u nisë që nga lumi Shkumbin dhe tue u shtri në drejtim të jugut përtej kufijve politikë deri në kufinin etnik të popullit shqiptar, thellë në Greqi. Ky emën nuk u përgjithësue menjëherë, por shkoi tue ndjekë kambë-kambë zhvillimin ekonomiko-shoqëror të popullit, kështu që në periferi arriti ma pak i fuqishëm.

Formacioni gjeografik i terrenit të këtij grupi asht i ngjashëm me atë të Veriut: i njajti varg malesh e përshkon për së gjati nga Veriu në Jug dhe të njajtat fusha zbresin djathtas e majtas në lindje e perëndim. Në mes të vargjeve, veçanarisht në anën lindore, shtrihen disa pllaja shumë të përshtatshme për bujqësi. Gjithnjë edhe kushtet natyrore për jetën ekonomike janë të njajtat: të përshtatshme sa për blegtori, aq për bujqësi. Për bujqësi gëzojnë kushte të mira bregdetare edhe pllajat e nalta të brendshme, kurse për blegtori - viset malore me kullota verore dhe viset e ulëta bregdetare me kullota dimnore. Vazhdimisht gjatë shekujsh këto qenë burimet kryesore të ekonomisë së vendit.

Nga përbamja e popullsisë ky grup i dytë paraqet tipare të ndryshme nga i pari. Me gjithë se elementi shqiptar edhe këtu asht masiv, ky nuk arriti t’i shkrijë në tanësi grupet e vogla të pakicave etnike nga popujt e tjerë të mbetun historikisht në gji të tij, kështu që ende sot paraqiten grupe të vogla minoritarësh që ruejnë tiparet e origjinës së tyne, si: bullgaro – maqedon, grekë, vllehë. Megjithëse blloku shqiptar nuk arriti t’i shkrijë grupet e minoriteteve të hueja, grupet shqiptare brenda tij u shkrinë në mes të tyne ma tepër se ata të Veriut, tue dobsue ma tepër ndamjet krahinore dhe tue formue një komunitet ekonomik, gjuhësor dhe kulturor ma të fortë. Kjo ngjau në sajë të emigrimeve të shumta që u zhvilluen brenda tij. Blloku masiv shqiptar në Jug, ashtu si në Veri, në çdo vendbanim të tij paraqet të njajtat kategori: vendas dhe të ardhun.

Megjithatë karakteri i këtyne kategorive ka ndryshime nga Veriu: nga ana numerike, në Jug, numri i vendasve dhe i të ardhunve thuejse barazohen në mes tyne dhe në pak raste ka ma shumë të ardhun se vendas ose anasjelltas; nga ana e prejardhjes, të ardhunit nuk tregojnë prejardhje të largëta si në Veri, por emigrime të shkurta të brendshme nga një fshat në tjetrin, nga një krahinë në tjetrën; emigrimet nuk u banë në masë, në një kohë dhe me forma të organizueme si në Veri; por të shkëputuna, të herëmbashershme dhe me karakter familjar. Arsyet e këtyne emigrimeve të brendshme të Tosknisë qenë të ndryshme, por kryesore që jeta blegtorale që, për të gjetë kullota të mira, i detyroi blektorët të kalojnë nga një vend në tjerin. Edhe ky grup i madh krahinash etnografike asht rezultat I zhvillimit ekonomiko-shoqnor që muer vendi ynë gjatë shekullit XVII-XVIII. Sa ma tepër zhvilloheshin forcat prodhuese, aq ma tepër ashpërsohej lufta në mes të feudalëve të vegjël dhe aq ma tepër dobësohej pushteti qendror.

Jeta ekonomike, shoqnore dhe politike e jugut të Shqipnisë ishte përmbledhë në tri qendra: Berat, Vlonë, Janinë. Në këto tri qendra kishin shti në dorë pushtetin lokal feudalë të mëdhenj e të fuqishëm, të cilët herë në pajtim me pushtetin qendror, synojshin zhdukjen e njeni tjetrit dhe përqëndrimin e krejt Jugut në një drejtim politik. Ahmed Kurd Pasha i Beratit (1763 – 1787) u mundue të bashkojë nën pushtetin e tij, përveç Tosknisë, edhe Myzeqenë dhe për këtë zhvilloi një varg luftash me Ibrahim Pashën e Vlonës, por pa sukses. Mbas vdekjes së tij, Berati ra në duer të Ibrahim Pashë Vlonës, tue i arritë kështu pikësynimet e tia të bashkimit të Myzeqesë me Toskninë. Por ma vonë, ndodhi ngritja

e Ali Pashë Tepelenës në fuqi (1788 – 1822) mbasi ai arriti të nxjerrë nga Stambolli emnimin e tij si dervend pashë për Toskni dhe Epir. Ky pashë i ri, energjik dhe plot ambicje, shtroi pashallëkun e Epirit, tue i zhdukë të gjithë feudalët e vegjël që nuk i bindeshin urdhnit të tij, pastaj iu përvesh edhe Tosknisë dhe ku me luftë, ku me krushqi nënshtroi edhe Toskninë e Myzeqenë nën pushtetin e tij. Kështu nga fillimi i shek. XIX u realizua çka kishte nisë që në fillimin e shek XVIII: përqëndrimi i të gjithë Jugut të Shqipnisë në një drejtim të përbashkë politik, i cili u shpreh edhe me një emën të përbashkët për të gjithë vendin: “Toskni” ose “Toskëri”.

Ky emën, që u ba i përbashkët për të gjithë këtë grup të madh të Shqipnisë së jugut, ma parë i përkiste një krahine ma të vogël që u shkri me të tjera, për të formue këtë grup të madh, të cilit i dha edhe emnin. Mbi këtë emën do të flasim ma tutje kur të marrim në shqyrtim këtë krahinë të vogël.

Grupi i madh historiko-etnografik i jugut të Shqipnisë, i quejtun Toskni, arriti ma tepër se ai i Veriut në një shprehje kulturore të përbashkët. Marrëdhaniet e ngushta ekonomiko-shoqnore, emigrimet e shumta të blegtorëve nga një kullotë në tjetrën, nguljet e shpërnguljet e bujqve nga një vend në tjetrin, bajtën traditat e një krahine në tjetrën dhe sollën një unifikim të tyne ma të madh se në Veri.

Megjithëse në jugun e Shqipnisë shfaqjet e veçanta të kulturës dhe mbeturinat në ndërgjegjen e popullit për krahinat e vogla paraardhëse të formimit të grupit të madh të Tosknisë u dobësuan ma tepër, prapë se prapë ngelën aty-këtu sa shfaqje të shkëputuna, sa thanie e toponime, sa legjenda e kujtime të popullit që të ndihmojnë në përcaktimin e grupeve të krahinave etnografike që morën pjesë në formimin e Toskënisë. Këto grupe ma të vogla janë:

1) Toskënia që shtrihet në lindje të Shqipnisë së Jugut

2) Myzeqeja, që shtrihet në Perëndim

3) Labëria, që shtrihet në Jug-Perëndim

4) Çamëria, që shtrihet fare në Jug, përtej kufijve politikë

Me një vështrim të përgjithshëm po vëmë në dukje disa tipare të përbashkëta në mes të disa grupeve mâ të vogla të këtij grupi të madh etnografik 

- Tosknia dhe Myzeqeja, për arsye të shkëmbimit mâ të madh të popullsisë në mes të tyne dhe të kalimit të blegtorëve verës në Toskni dhe dimnit në Myzeqe, u afruen ma tepër ndër tradita, aq sa u bâ e vështirë të përcaktohet kufini tokësor në mes tyne; Labëria ruejti mâ tepër traditat e saj krahinore.

-Labëri dhe Myzeqe (ndër vendas) u ruejtën shenja mâ të gjalla të sistemit fisnor të shoqnisë, kurse në Toskni e Çamëri këto humbën plotësisht.

- Në të gjithë jugun e Shqipnisë u ruejtën mbeturina nga e drejta kanunore e popullit, por në Labëri këto u ruejtën mâ të fuqishme dhe me njësi mâ organike.

- Labëria paraqet tradita mâ të pastërta blegtore, kurse Myzeqeja tradita bujqësore, Tosknia e Çamëria tradita të një jete ekonomike, bujqësore-blegtorale.

- Mbi Toskninë, Myzeqenë dhe Çamërinë qe mâ e fortë rrjeta e administratës turke, kurse mbi Labërinë ushtrohej pushteti turk me anë të agallarëve vendas në përputhje me traditat e vendit.

- Mbi Toskninë e Myzeqenë feudalizmi qe deri në fundin e shekullit të kaluem mjaft i fuqishëm; mbi Çamërinë u shkatërrue mâ parë, kurse në Labëri ishte në zhvillim e sipër.

Megjithëse në Toskni u përftue një shkrimje mâ e madhe traditash kulturore në mes të krahinave se në Gegni, prapë se prapë edhe këtu u ruejtën disa mbeturina mâ të dobta, por që ndihmojnë me dallue karakterin e veçantë të tyne.

P.sh., në të folme, në mes të Labërisë, Toskënisë dhe Çamërisë dallojmë karaktere fonetike dhe gramatikore të veçanta; në kulturën materiale, megjithëse fustanella ishte tipike e veshjes së burrit të  Shqipnisë së Jugut, ajo e Labërisë ishte mâ e shkurtë, ajo e Toskënisë arrinte deri afër gjunit, kurse ajo e Myzeqesë zbriste pak edhe nën gju; kështu takia Myzeqare ishte mâ tepër me formë konike, ajo e Toskënisë me formë rrashatake, kurse Labëria përdorte qylafin.

Gjithashtu në shprehje artistike: Labëria këndonte vetëm kangë burrnore, kurse Tosknia, veç atyne, këndonte edhe kangë sevdallishte. Edhe në muzikën e vallen e tyne kemi ndryshime krahinore mjaft të dallueshme.

Që ta kemi të qartë shtrimjen tokësore, përbamjen e popullsisë dhe tiparet në vija të përgjithshme të këtyne 4 grupeve, po i marrim në shqyrtim të veçantë njenin nga tjetri. Në këtë shqyrtim po lamë jashtë Çamërinë, ashtu si në Veri Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, mbasi ndodhen jashtë kufijve politikë të Shqipnisë.

1. “Tosknia” ose “Toskëria”

Emnat “toskë” dhe “Toskni” ose Toskëri” në një të kalueme të largët, që i përgjigjet afërsisht shekullit XVII-XVIII, nuk kishin atë kuptim që morën në shekullin XIX, nuk përfshinin krejt jugun e Shqipnisë, por një krahinë të vogël të jugut të Shqipnisë. Mbeturina, nga ky kuptim ma i ngushtë i këtij toponimi, dëgjojmë edhe sot: pleqtë e vjetër nga Myzeqeja (lalët e Myzeqesë) e thonë haptas se na nuk jemi toskë; gjithashtu në Labëri pleqtë e vjetër nuk e pranojnë emnin toskë, “toskët gjenden përtej Vjosës” thonë.

Gjithashtu edhe në letërsinë e shekullit XVIII e XIX, emni Toskni paraqitet me një shtrimje të kufizueme. Në këtë pjesë duem të marrim në shqyrtim Toskëninë, si grup i vogël krahinash etnografike, para se të merrte pjesë në grupin e madh me të njajtin emën. Shtrimja fillestare e këtij grupi asht shumë e vështirë të përcaktohet, pse ky grup qe në lëvizje ma të madhe se çdo grup tjetër i Shqipnisë. Megjithatë, populli me të dhanat e tij, na ndihmoi deri diku në këtë gjurmim. Shqyrtimin tonë e fillojmë me emnin e këtij grupi. Me shumë të drejtë Dh. Shuteriqi mendon se ky emën mund të ketë qenë në fillim një emën familjeje që kaloi o si emën fisi mbi rrjedhjen e saj, o si emën vendi mbi pronat e saj. Nga kjo bazë fisnore ose vendi u shtri përherë mbi një rreth mâ të gjanë derisa arriti të përfaqësojë një grup të madh popullsie.

Prejardhja e këtij emni nuk asht e qartë. Hipoteza të ndryshme u lëshuen mbi prejardhjen e tij, por nuk kanë gjetë ende konfirmim të përgjithshëm. Hahni e mejton si formë latine ose etruske të emnit “Tuscus” ose “Tuscia”, prej nga buron edhe “Toskana”, ndërsa të tjerët e mendojnë të rrjedhun nga pronari “Karl de Tocco” që përmend edhe Muzaka në gjenealogjinë e familjes së tij. Por ka gjasë se asht edhe një emën ilirian Fisi i Abanëve që banonte në Ilirinë e Jugut, mbasi u shpërngul tue zanë vend në pllajat perëndimore të Pindit, quente në vendin e ri një mal me emnin Toskia. Nuk asht larg mundësia që ky emën të ketë lidhje me Toskninë e sotshme tue psue vetëm një lëvizje përhapjeje. Dhimitër Shuteriqi e gjurmon me kujdes këtë emën ndër dokumenta historike dhe e gjen të përdorun për të parën here në shek. XV si emën familjeje te shqiptarët e Greqisë, me format e “Toschassi”, “Toschi”, gjithashtu “Toskë” dhe “Toskënitë”.

Ky emën në gojën e popullit, veçanërisht të të vjetërve tanë, paraqet disa forma të ndryshme shqiptimi: banorët e Tosknisë, që e mbajnë të vetin këtë emën, e quejtën veten e tyne me ormën e përgjithësueme “Toskë”; në gojën e pleqve të luginës së sipërme të Shkumbinit, në Mokër e në fushë të Domosdovës, i thërrasin banorët e Toskënisë “Toçkë” dhe për ma tepër në fshatin Urakë kemi një fis të ardhun nga Tosknia, i cili quhet “Toçka”; pleqtë e Myzeqesë i thërrasin banorët e Tosknisë me emnin “Toshkë” dhe kemi një fshat në Myzeqe, i cili quhet “Toshkëzi”; ndërsa labët e vjetër i thërrasin “Tock”. Këtë formën e fundit e dëgjojmë në disa raste edhe në Gegni.

I sollëm këto forma të ndryshme të shqiptimit të këtij emni, pse mund të shërbejnë me gjurmue etimologjinë e tij, ose me interpretue format e ndryshme të tij që gjenden nëpër dokumenta historike. Dhe mbi bazën e parë të këtij emni, mbi vendin fillestar të përhapjes së tij, u banë mjaft hipoteza. Hahni e mejton se gjendej diku gjatë bregut të djathtë të Vjosës dhe Dh. Shuteriqi e përcakton ma afër, e vendos përballë Tepelenës tue u mbështetun në emnin e fshatit “Toskë Martalloz”.

Ka gjasë se baza e parë e përhapjes  së këtij emni qe mâ në qendër, mâ afër Beratit, rreth Skraparit e Oparit dhe se nga kjo bazë u përhap në formë rrathësh koncentrikë në të gjitha drejtimet. E mejtojmë mâ afër Beratit, pse bejlerët e pashallarët e këtij qyteti e patën Toskëninë si bazë të veprimeve të tyne dhe pse ende sot myzeqarët njohin si toskë të vërtetë ata që vijnë nga Skrapari dhe Opari dhe vetëm atyne u japin emnin toskë, kurse të ardhunit nga krahina të tjera, po të Toskënisë, i quejnë me emna të veçantë: shpatarakë, verçëj, mallakastritë e jo toskë.

Kufijtë e këtij grupi etniko-historik nuk mund të përcaktohen aq lehtë, pse ky grup qe në një lëvizje të madhe e të vazhdueshme ma tepër se çdo grup tjetër i jugut të Shqipnisë. Megjithatë, ku ma parë e ku ma vonë, arriti në disa kufij natyrorë që përcaktuen për një kohë mâ të gjatë shtrimjen e tij. Kufij natyrorë u arritën në tri anët: në Veri u shtri deri në lumin Shkumbîn: në Jug arriti lumin e Vjosës, në lindje kreshtën e vargut të maleve Mal’I Thatë-Gramoz. Nga Perëndimi, ku mungon një kufi natyror, vija e kufinit në mes të Toskënisë dhe të Myzeqesë, për kushtet e sotshme, asht shumë e vështirë të  përcaktohet, pse asht mjaft e lëkundshme, prandaj duhet të përcaktohet një kufi konvencional.

Vija e kufinit nga kjo anë formohet ku fillon e ngrihet fusha ose kufini në mes të fushës e të malit (shih Myzeqenë). Siç shihet, grupi etniko-historik i Toskënisë shtrihet mbi një territor shumë të gjanë; ky grup përban grupin mâ të madh që muer pjesë në formimin e jugut të Shqipnisë në një unitet të përbashkët. Struktura gjeografike e vendit asht mâ tepër malore se fushore. Në gji të maleve gjenden rrafshe e fushore të shtueta që i thejnë monotoninë natyrës. Kushtet natyrore për jetën ekonomike janë të përshtatshme sa për blegtori, aq për bujqësi. Rrafshet e sheshta që ndodhen në gji të maleve janë mjaft pjellore dhe të përshtatshme për bujqësi, kurse kreshtat e maleve të pasuna me kullota verore janë shumë të përshtatshme për blegtori, por u mungojnë vendet e ulta për kullota dimnore, kështu që  blegtorët detyrohen t’i shtohen tranzumancës sezonale të verës në Toskni e dimnit në Myzeqe.

Nga përbamja e popullit Tosknia paraqitet me një përziemje të fortë popullsie. Lëvizje të shumta të  popullit u zhvilluen në këtë territor: popullsi të ardhuna nga grupet e tjera u vendosën këtu, popullsi vendase nga ky grup u vendosën në grupe të tjera. Veç këtyne, ka edhe lëvizje të brendshme popullsie nga një anë të këtij

grupi në tjetrin. Një randësí të madhe në përbamjen e popullsisë luejtën blegtorët. Blegtorët endacakë dimnit në Myzeqe e verës në Toskni shkuen tue u vendosë vazhdimisht, kush në kullota verore, kush në dimnore, kështu që mbi popullsinë vendase të Tosknisë u shtuen edhe blegtorët.

Me gjithë këto vështirësi, edhe përbamja e këtij grupi mund të përcaktohet në vija të trasha. Si kudo në vendin tonë, ashtu edhe në Toskni, vetë populli dallon në mes të tij banorët anas, vendas të hershëm, edhe të ardhun.

Anasit e vjetër të Tosknisë, që zakonisht merren me bujqësi, i kemi, ku mâ shumë e ku mâ pak, në çdo fshat. Këta në përgjithësi gjenden të vendosun ndër fshate të pllajave dhe ndër luginat e gjâna, ku ka mundësi të zhvillohet bujqësia, por jo në naltësi të mëdha, kur kjo nuk ka mundësi të zhvillohet. Si anas të vjetër quejmë edhe të ardhunit nga një fshat në tjetrin të krahinës. Kemi shumë raste fshatesh të   braktisuna që kanë ngelë në gërmadha dhe banorët e tyne u shpërndanë ndër fshate të tjera; kemi shumë raste të tjera që disa fshatna para një shekulli kishin një popullsi tjetër, kurse sot kanë një popullsi krejt tjetër. Mirëpo jo vetëm me distancë kohe të gjata, por edhe brenda një kohe fare të shkurtë u vërtetue ndryshimi i popullsisë, p.sh., kemi fshate që para Luftës së Parë Botnore qenë krejtësisht të krishtena, kurse para Luftës së Dytë Botnore qenë krejtësisht muhamedane ose  anasjelltas.

Të ardhunit i kemi në çdo fshat dhe formojnë disa kategori të ndryshme në mes tyne: të ardhun si bujq nga krahinat e tjera; të ardhun nga blegtoria. Të ardhunit nga krahinat e tjera si bujq janë shumë të pakët, ndërsa të ardhunit si blegtorë janë në pjesën mâ të madhe. Të ardhunit si blegtorë kishin kullotat verore dhe poshtë kullotat dimnore. Dalëngadalë shkuen tue u shkëputë nga jeta endacake dhe ngulën banim në kullota verore, ku formuen fshatet e tyne. Këto fshate blegtorësh dallohen nga të parat, pse gjenden ndër vende të nalta (sipër fshateve të vjetra) pranë kullotave verore, ku nuk kanë kushte jete bujqësore; edhe mbasi këta e lanë blegtorinë dhe kaluen në bujqësi, arat e tokat e tyne të bukës i kanë poshtë fshatit dhe shkuen tue zbritë deri ku kishin mundësi, kurse banimin e kishin sipër tyne. Krejt e kundërta ndodh me fshatet që kanë prejardhje bujqësore dhe përbahen nga vendas të vjetër. Këto gjenden poshtë, ndër fusha rranxë kodrave ose në thellësi të luginave, ndër vende të mbrojtuna nga të ftohtit, kurse arat e tokat e bukës i kanë sipër dhe shkuen tue i ngritë deri ku lejuen kushtet klimaterike për bujqësi.

Në mes të blegtorëve të ardhun, simbas prejardhjes së tyne, dallojmë tri kategori: blegtorë vendas, blegtorë vllehë dhe blegtorë labë.

Qenë blegtorët vendas një kategori e vjetër blegtorësh që, simbas tregimeve të tyne, gjithnjë rrojtën gjatë verës në këtë krahinë dhe e njohin veten e tyne si toskë; blegtorët vllehë dhanë një kontribut të madh në përbamjen e popullit të Tosknisë; kurse blegtorë labë kemi në Gorë, Opar, Skrapar etj. që u vendosën në sasina mjaft të mëdha, veçanërisht gjatë fillimit të shekullit të kaluem, të cilët u instaluen këtu për t’u ikë ndjekjeve të Ali Pashë Tepelenës.

Asnjë grup tjetër krahinash etnografike të popullit tonë nuk pësoi lëvizje aq të mëdha popullsie, sa Tosknia. Nga këto lëvizje të mëdha popullsie u humbën gjurmat e vjetra, si e drejta kanunore e vendit dhe shumë tradita të veçanta. Këtu u zhvillue prej shekujsh lidhja territoriale në mes të njerëzve dhe administrate turke kishte shtri rrjetën e administrimit të saj në çdo anë.

Traditat e veçanta në mes të një krahine dhe të një tjetre, në mes të vendasve e të ardhunve, u shkrinë në mes të tyne dhe përftuen një të folme të përbashkët, tradita të përbashkëta kulturore etj. Me gjithë përziemjen e madhe të popullsisë së këtij grupi dhe shkrimjen e traditave të ndryshme, prapë se prapë dëgjohen, ku mâ të forta, ku mâ të dobta, mbeturina nga grupet e vogla historike-etnografike të paraformimit në një grup të përbashkët.

Simbas këtyne tipareve, me gjithë se në gojën e popullit nuk ekziston, Toskninë mund ta ndajmë për qëllime studimi në dy nëngrupe të mëdha: në anën lindore të Tosknisë dhe në anën perëndimore të saj, ku i bahet si vijë kufini vargu i Tomorit dhe i Ostrovicës. Në lindje të Tosknisë kemi këto krahina ma të vogla: Nahinë e Pogradecit, Fushën e Korçës, Devollin, Gorën, Oparin, Vakëfet, Kolonjën, Dangllinë, kurse në perëndim kemi Verçën e Sulovën, Nahinë e Beratit, Skraparin e Dëshnicën, Mallakastrën, dhe, për hir të zgjanimit që muer Tosknia, duhet të shtijmë mbrenda saj edhe Shpatin e Dumrenë, me gjithë që këto janë zona ndërmjetëse në mes të Gegnisë e Tosknisë.

M y z e q e j a

Grupi i dytë i krahinave etnografike që muer pjesë në formimin e Tosknisë qe Myzeqeja. Me emnin “Myzeqe” kuptojmë fushat e mëdha bregdetare të jugut të Shqipnisë dhe me emnin “myzeqar” banorët e tyne. Prejardhja e këtij emni nuk dihet me saktësi. Emni i vjetër mesjetar i kësaj fushe ka qenë “Savra”, p.sh., Barleti (1480) përmend “planicies Saura” afër Beratit; një përshkrim venedikas (1570) e përputhi emnin e vjetër me një të ri “spatiose pianure della Savra la quale in un altro nome si dice Musachia”(fusha e hapët e Savrës që në një emën tjetër quhet Myzeqe). Ky emën i ri, pa dyshim asht i lidhun me emrin e familjes princore të Mesjetës së Vonë të Muzakajve⁴⁷). Nuk janë të rralla rastet kur  një krahinë etnografike merr emnin nga familja feudale që e zotnonte. Populli ruen disa legjenda të zbehta mbi këtë emën: disa thonë se familja e Muzaqëve e kishte pronë të vetën këtë fushë dhe nga ajo i mbet ky emën; disa të tjerë thonë se mbi këtë fushë banonte një fis dhe baba i parë i tij qe Lal Muzhaqi, nga i cili u mbet emni Lalë banorëve të saj dhe Myzeqe vendit të tyne, etj. Shtrimja e këtij emni ndryshoi simbas kohëve. Në kohë të pare ky emën nuk kishte shtrimjen që ka sot, por duket se kufizohej vetëm në një zonë qendrore në brigjet e lumit Seman, në vendin që sot quhet “Dheu (i) butë”.

Dalëngadalë u shtri mbi të gjithë trevën e ultë bregdetare në mes të Vjosës dhe Shkumbinit. Kurse në kohët tona sikur matet të kalojë edhe këta dy lumenj, tue u shtri edhe mbi fushat e Vlonës (Myzeqe e Vlorës) në Jug dhe mbi fushat e Kavajës në Veri. Por në këtë shqyrtim nuk duem me ndjekë shtrimjen ose përmbledhjen e këtij emni, por grupin e vërtetë të krahinave etnografike me një jetë të përbashkët ekonomike, shoqnore, kulturore dhe politike, që përfaqësohen me këtë emën.

Me gjithë që emni Toskni u përhap në gjithë Myzeqenë, pleqtë e kësaj krahine nuk e ndijnë veten toskë: “na nuk jemi as toskë, as gegë, - thonë pleqtë e rrethit të Lushnjës, por thirreshin vetëm Myzeqarë”. Veç kësaj ndjenje në Myzeqe ruhen mjaft toponime dhe omonime, mjaft tregime e legjenda që  dëshmojnë se Myzeqeja formonte një grup më vete krahinash etnografike, i cili u shkri me të tjerët për të formue grupin e madh të jugut të Shqipnisë. Tue ndjekun këtë vetëdije të pleqve të Myzeqesë, që rron ende e dobët në ndërgjegjen e tyne, mund të formojmë vijën e kufinit në mes të Myzeqesë dhe të grupeve të tjera të afërme të krahinave etnografike. Myzeqeja gjendet në mes të nëngrupeve të Gegnisë, Toskënisë dhe Labërisë, shtrihet që nga lumi Shkumbin në Veri dhe zbret deri te lumi Vjosa në Jug, që nga bregu i detit, në perëndim, dhe deri në rranxë të maleve në lindje. Në tri anët e këtij grupi përputhen kufijtë etnografikë me kufijtë natyrorë, kurse në të katërtën mungon një kufi natyror dhe do të mbështetemi vetëm në një kufi të papërcaktuem mirë. Nga kjo anë shtrihet një zone e ndërmjetme, kalimtare në mes të Toskërisë dhe Myzeqesë. Që ta përcaktojmë kufinin e këtij grupi edhe nga kjo anë, duhet të vendosim një vijë konvencionale që të shërbejë vetëm për qëllime studimi. Që të mos krijojmë disa këso vijash në kundërshtim me njena-tjetrën, pranojmë pa rezerva dhe me pak shtesa vijën që përcaktoi Jorgji Gjinari  në studimin e tij “Të folmet e Myzeqesë”, tue marrë si vija kufini rrugët e mëdha automobilistike: LevanFier, Fier-Berat, Berat-Lushnjë, Lushnje-Rrogozhinë. Kjo rrugë automobilistike përshkon rranxat e kodrave ku fusha fillon të ngrihet për me u shkëmbye me malësitë.

Grupi i krahinave të Myzeqesë, që shtrihet brenda këtyne kufijve, gëzon një territor të rrafshët e të ulët me një pjerrësi të vogël nga lindja në perëndim. Disa vargje kodrash me drejtime të ndryshme e përshkojnë këtë fushë dhe zbresin sasina të mëdha uji të mbledhuna nga një pellg i gjanë hidrografik. Ana lindore e Myzeqesë, mâ e naltë dhe mâ e terun, qe kurdoherë mâ e përshtatshme për bujqësi, kurse ana perëndimore, që zbret deri në nivelin e detit, qe ma tepër moçalore dhe e përshtatshme për blegtori. Bujqësia dhe blegtoria qenë burimet kryesore të ekonomisë së këtij vendi. Myzeqeja qe kurdoherë një vend i hapët dhe i pambrojtun, prandaj qe shesh ndikimesh nga çdo anë.

Nga përbamja e popullit edhe Myzeqeja, si të gjitha fushat e tjera të Shqipnisë bregdetare, paraqitet mjaft e koklavitun. Si kudo, edhe këtu, populli vetë dallon dy kategori njerëzish: “anas” ose “vendas” dhe “të ardhun”. Anasit me gjithë se me numër shumë mâ të vogël se të ardhunit, ruejtën disa tipare të tyne që i bajnë lehtësisht të dallueshëm prej të ardhunve dhe mbajnë një emën të veçantë të tyne: “Lalë”. Me emnin “Lalë” quejnë veten dhe “lalë myzeqeje” quhen nga të tjerët banorët që përmbajnë kategorinë më të lashtë të popullit të këtij grupi krahinash etnografike. Ata nuk njohin ndonjë prejardhje të tyne nga jashtë dhe, derisa nuk kemi të dhana të tjera, mund t’i quajmë autoktonë.

Prejardhja e emnit “lalë” nuk dihet. Ky emën përdoret në të gjithë Shqipninë me kuptime të ndryshme: si emën i përgjithshëm për babën, gjyshin ose vëllain e madh; si emën i përvetshëm për një njeri, familje, vëllazni ose fis. Lalët e Myzeqesë tregojnë për këtë emën se e trashëguen nga “Lalë Muzhaqi”, që qe një babë i lashtë dhe i përbashkët për të gjithë lalët e Myzeqesë, të cilët në kohë të lashta formonin një fis. Sot lalët nuk ruejnë asnjë gjurmë të sistemit fisnor të shoqnisë.

 Lalët sot i kemi të përhapun kudo nëpër Myzeqe, thuejse në çdo fshat, me përjashtim të fshateve të reja, kemi nga një tok familjesh lalë. Edhe jashtë kufijve të këtij grupi kemi familje prej lalësh që u vendosën atje, si, p.sh.: në veri të Shkumbinit kemi lalë ndër fshatet Shelg, Grëth, Rreth, Shpëlleja dhe në jug të Vjosës në shumë fshate kemi familje lalësh. Por, me gjithë se sot lalët i kemi të përhapur në të gjithë Myzeqenë dhe në disa raste edhe jashtë saj, ka gjasë se në kohë të lashta qenë të grumbulluem në një zonë qendrore të saj, që quhej “Dheu (i) Butë” gjatë dy brigjeve të lumit Seman. Ende sot në këtë zonë kemi të grumbulluem bllokun e madh të lalëve. Nga kjo zonë lalët u përhapën në të gjithë Myzeqenë dhe jashtë saj, si e ruen ende sot kujtimin e prejardhjes së vet çdo familje lale. Ndoshta qenë këto që e bajtën emnin e Myzeqesë, jo vetëm në të gjithë shtrimjen tokësore në mes të Shkumbinit e Vjosës, por i ndimuen përhapjes së tij edhe në Veri e në Jug.

Lalët kanë tradita të forta jete bujqësore dhe nuk kujtojnë një jetë blektorale-bujqësore ose anasjelltas. Ata ishin trashigimtarë të një të folmeje të veçantë dhe të një kulture të veçantë të tyne, mjaft të pasun, e cila shprehej në doke e zakone, kulturë shoqnore e materiale të vetën.

Mbi fushën e Myzeqesë, si një nga fushat mâ pjellore të vendit tonë, edhe si një vend i hapun dhe pambrojtje, u zhvillue shumë shpejt feudalizmi, i cili arriti një shkallë të naltë zhvillimi. Principatat

mesjetare, që u shtrinë njena mbas tjetrës mbi Myzeqe, paten që të gjitha baza feudale. Mbas pushtimit turk, me ndamjen e tokave në bazë të feudalizmit ushtarak, edhe Myzeqeja u ba pronë e feudalëve të vegjël dhe e institucioneve të ndryshme. Në kohën e afërme, në shek XVIII, e tanë kjo fushë i përkiste shtetit (familjes mbretërore të sulltanit), vakëfeve dhe bejlerëve e agallarëve vendas. Ata që e punonin tokën nuk e kishin të vetën. Pronarët e mëdhenj e shfrytëzonin tokën pjesërisht për bujqësi e pjesërisht për blegtori: ua jepnin tokën bujqve me rendë dhe blegtorëve kullotat me pagesë në natyrë ose me të holla. Bujqit ishin krejtësisht të mvarun prej tyne, kurse blegtorët gjysëm të mvarun.

Lalët e Myzeqesë lindnin dhe plakeshin, për disa breza, në token e tjetrit dhe kalonin gjithë jetën nën kërcënimin e dëbimit nga toka. Me gjithë se rrojtën në një tokë pjellore, jetuen në vorfninë mâ të madhe. Skllavënia disa herë shekullore i bani të friksuem dhe të shtrueshëm, aq sa edhe emni i tyne u bâ sinonim me emnin frikacak. Në Labëri me fjalën “lalosh” kujtojnënjë njeri frikacak.

Për këtë arësye lalët e Myzeqesë e morën si përbuzës emnin e tyre dhe u munduen ta heqin, tue mos e lidhë prejardhjen e tyre prej lalëve. Mbi fushën e gjânë të Myzeqesë, mbi këtë popullsi autoktone, u derdhën edhe shtresa të tjera popullsie me prejardhje blegtore dhe bujqësore.

Blegtorët që ushtrojshin tranzumancën sezonale, të cilët kalojshin dimnin në Myzeqe, filluen të vendosen këtu me banim të përhershëm dhe dalëngadalë, prej një procesi blegtor-bujqësor në bujqësor-blegtor, kaluen në bujq të thjeshtë. Këta përbanë një kategori të dytë të popullsisë së këtij grupi krahinash etnografike. Prejardhjen thjesht blegtore të këtyne e dëshmojnë, përveç kujtimeve familjare, edhe shumë tradita në jetën e popullit, edhe toponimet e ndryshme, si: fshati Stan i Bubullimës, fshati Stan i Libofshit, fshati Stan i Bobos (sot i braktisun), lagja Stan në Lushnjë, lagja Stan në Karbunarë, lagja Stan në Pojan etj. që dëshmojnë se qenë stanet e dimnit të blegtorëve të njëhershëm.

Kjo kategori e dytë popullsie blegtore nga pikëpamja e prejardhjes ka përbamje të ndryshme: në mes tyne kemi labë, toskë, gegë dhe një numër të madh vllehësh e kosturlish. Labët ikemi në pjesën mâ të madhe të përhapun në Myzeqenë e Vogël, në mes të Semanit e Vjosës. Këta ndahen në dy kategori:

labë të vjetër dhe labë të rinj. Labët e vjetër ngulën banim këtu gjatë gjysmës së parë të shekullit të kaluem dhe, veç kujtimit të prejardhjes së tyne nga Kurveleshi i sipërm, nuk ruejnë asnjë traditë, por u shkrinë krejtësisht në vendasit e vjetër; labët e rinj zbritën nga fillimi i shekullit tonë në pragun e çlirimit dhe ruejnë të forta e të gjalla traditat e prejardhjes së tyne.

Toskët i kemi të përhapun në të gjithë Myzeqenë: sa në të madhen, aq në të voglën, por për myzeqarët e vjetër emni toskë ka një kuptim të ngushtë: ata si toskë të vërtetë njohin vetëm Skraparin e Oparin dhe vetëm banorët që zbritën prej tyne i quajnë “toskë’ ose “toskallarë”, kurse të tjerët i quejnë me emna të veçantë, si: “shpatarakë”, “verçenj, lubesharë, mallakastritë” etj.

Ata që zbritën nga rrethi i ngushtë i Beratit, i quajnë edhe “Arbënesh” ose “Baltëzë e kuqe”. Numri i toskëve që zbritën në Myzeqe asht ma i madh se i çdo kategorie tjetër që nguli banim këtu.

Gegët që quhen edhe “malokë”, i kemi me numër shumë të vogël në Myzeqe: vetëm në Myzeqenë e Madhe dhe rreth Lushnjës kemi nga Krraba, Çermenika, Mati, Kruja, Kavaja, Peqini etj., por me sasi mâ të vogël kundrejt toskëve dhe labëve.

Vllehët në Myzeqe ndahen në katër kategori: grabovarë, ujanikë, frashërllinj dhe grebenarë. Emnat e ndryshëm të këtyne kategorive i morën nga vendi ku kishin stanet e verës: grabovarët në malet e Verçës, Gorës, Oparit etj. Ujanikët në bjeshkë të Tomorrit, të Skraparit etj.; frashërllinjtë se kalojshin verën në male të Dangllisë, Kolonjës, rrethit të Korçës etj., grebenarët ose krevenarët kalojshin verën në malet e Pindit në Greqi. Këto katër grupe vllehësh, me gjithë se kanë një bazë të përbashkët traditash, ruejnë ndryshime të ndritshme në mes të tyne në të folun, në veshje, në zakone etj.

Grabovarët u vendosën në Myzeqe që nga gjysma e parë e shek. XIX dhe nga koha e gjatë e   bashkëjetesës me vendas shkuan drejt shkrimjes me ta. Frashërllijtë filluen të ngulin banim nga fundi i shek. XIX dhe vazhduen edhe në shekullin tonë. Këta i ruejnë mâ të forta traditat e veçanta të tyne. Ujanikët dhe grebenarët janë me numër mâ të vogël dhe të përhapun kudo në Myzeqe.  Kosturllinjtë formojnë një kategori tjetër të ardhunish. Njihen me këtë emën disa blegtorë shqiptarë që verën e kalojshin në bjeshkë, në Kostur dhe dimnin në Myzeqe. Mbas luftës ballkanike, me caktimin e kufirit shqiptaro-grek, kullotat verore ngelën në Greqi dhe kullotat dimnore në Myzeqe, një pjesë prej tyne mbet në stane të verës e një pjesë në stane të dimnit. Edhe kosturllinjtë, me gjithë se të vendosun ma vonë, shkuen drejt shkrimjes me vendasit.

Përveç këtyne blegtorëve që formuen këtë kategori të dytë të popullsisë së Myzeqesë, e cila filloi të ngulë banim nga fillimi i shek. XIX dhe vazhdoi deri në pragun e çlirimit, në Myzeqe erdh edhe një kategori tjetër popullsie, e cila u përbâ nga emigrantë politikë. Në këtë kategori hyjnë: çamët, kosovarët e maqedonët.

Çamët në Myzeqe janë me numër mjaft të madh.Kjo fushë pat katër valë vërshimesh prej çamësh në vjetin 1913, kur kufini la jashtë tokës shqiptare Çamërinë; mbas Luftës së Parë Botnore 1918-20; gjatë luftës italo-greke, në vjetin 1941; dhe mbas Luftës së Dytë Botnore, në vj. 1944-1948. Çamët e vendosun kudo nëpër fushë të Myzeqesë i ruejtën mjaft besnikisht traditat e veçanta të tyre.

Kosovarët, që emigruen në kohën kur Kosova ngeli jashtë kufijve të Shqipnisë dhe mbas Luftës së Parë Botnore, u vendosën në mënyrë të organizueme nga qeveria në fushën e Myzeqesë gjatë viteve 1925-1930. Kosovarët u përhapën në të gjithë fushën e Myzeqesë, tue formue ku fshate të reja, ku lagje të reja e anekse fshatesh të vjetra. Elementi kosovar merret vetëm e vetëm me bujqësi. I ruejnë me fanatizëm traditat e tyne dhe zhvillojnë marrëdhanie të kufizueme me vendas. Krahas tyne kemi edhe një sasi kosovarësh që qeveria jugosllave, në marrëveshje me shtetin turk, i nisi në Turqi si me kombësi turke. Mbasi ndejën disa vjet në Turqi, në vj. 1925 u kthyen në Shqipni dhe u vendosën nga qeveria shqiptare pranë kosovarëve të tjerë. Pranë kosovarëve kemi edhe një grup të tretë të ardhunish nga Sanxhaku i Novi-Pazarit, nga rrethet e Tutinit, Senicës, Peshterit etj.

Këta, megjithëse prejardhja e tyne asht shqiptare, me fis nga Kelmendi, me veshje e zakone shqiptare, kishin humbun gjuhën amtare, por me vendosjen e tyne në Myzeqe, e rimorën gjuhën e tyne të vjetër.

Maqedonët thirren disa emigranta të tjerë shqiptarë të ardhun nga Maqedonia në kushtet e kosovarëve dhe ngulën banim pranë tyre.

Përveç këtyne emigrantëve politikë, që përbajnë kategorinë e tretë të popullsisë në fushën e Myzeqesë, e cila i përket gjysmës së parë të shekullit tonë, në Myzeqe u vendosën edhe popullsi të tjera me numër mâ të vogël, si: ciganë, jevgë etj., të cilët nga numri i kufizuem i tyne nuk formuen një kategori më vete popullsie.

Kështu nga përbamja e popullsisë ky grup i dytë krahinash etnografike paraqitet mjaft i ndërlikuem. Nga pikëpamja e kulturës tradicionale janë në fazën e shkrimjes së traditave në mes të kategorive të ndryshme të popullsive të mbledhuna këtu. Si bazë e kulturës së re, që shkon tue u formue në këtë trevë, asht ajo e bujqve të vjetër autoktonë të fushës.

Me gjithë se përziemja e popullsisë asht e njëllojtë kudo në fushën e Myzeqesë, kujtimi i krahinave të vjetra që përban këtë grup krahinash etnografike, ruhet gjithnjë jo vetëm si shprehje gjeografike, por edhe etnografike. Mbi një krahinë zotnojnë elementët e ardhun mâ tepër nga një grup krahinash etnografike, kurse në një tjetër elementët nga një tjetër grup. Në një krahinë  elementi vendas qe mâ i madh dhe mâ i fuqishëm, kurse ndonji tjetër mâ i dobët. Pra, me gjithë karakterin uniform që ka Myzeqeja, në mes të saj dallojmë edhe krahina të veçanta në kuptim etnografik.

 Në këtë grup populli dallon një nëndamje të madhe: “Myzeqeja e Madhe” dhe “Myzeqeja e Vogël”, ose “ Myzeqeja e Lushnjës”  dhe “ Myzeqeja e Fierit”. Këto nëndamje kanë si kufi lumen Seman. Kjo nëndamje qe e vjetër: të paktën në shek. XVI njihej, pse në dokumenta historike përmendet “Musachiti” që asht shumësi i Myzeqe 51). Çdonjena nga këto dy pjesë ka krahinat e veta të veçanta, të cilat kanë mjaft randësi etnografike.

Labëria

Me emnat “Labëri” dhe “labë” kuptojmë vendin dhe banorët e njenit nga grupet etnike-historike të jugut të Shqipnisë, që muer pjesë në formimin e grupit të madh të përbashkët të quejtun Toskni.

Prejardhja e këtyne dy emnave lidhet me emnin mesjetar që pat populli e vendi ynë “Albani” ase “Arbni” me metatezën “al” në “la”,që përfaqëson një nga mbeturinat e shumta të këtij emni në vendin tonë. Përcaktimi i shtrimjes së këtyne dy emnave asht mjaft i vështirë, pse emni Labëri si toponim nuk përputhet me emnin lab si etnonim.

Labëria shtrihet në jug-perëndim të Shqipnisë dhe nga të tri anët kufizohet me kufij natyrorë të përcaktuem shumë mirë, kurse në të katërtën, ku mungon një vijë kufini natyror, ajo kufizohet me një vijë kufini mjaft të lëkundshme. Nga veriu dhe nga verilindja kufinin e përban lumi i Vjosës, kurse nga perëndimi deti Jon dhe Adriatik; nga jugu pjesërisht lumi Pavëll dhe pjesërisht vija e kufirit tonë me Greqinë.

Emni lab shpreh një grup popullsie që gjendet brenda Labërisë, por që nuk gëzon të gjithë shtrimjen e Labërisë së përcaktuem ma sipër. “Labët, - thotë populli, - shtrihen në mes të tri urave: urës së Drashovicës, urës së Tepelenës dhe urës së Kalasë. Në të kaluemen baza e etnonimit lab qe edhe baza e toponimit Labëri, por gjatë shekullit tonë, për arsye të ndryshme, emni Labëri muer një zhvillim ma të madh se emni lab dhe duel nga baza e vjetër, kurse emni lab ngeli gjithnjë mbi bazën e vjetër.

Gjeografia për nevoja të saj e përdori emnin Labëri për me shprehë një unitet gjeografik mâ të madh se baza e vjetër etnografike e këtij emni, administratat e ndryshme gjithnjë u mbështetën në këtë zhvendosje që bani gjeografia dhe sot, në letërsi në tekste shkollore, në kartografi etj. emni Labëri u shtri nga Lindja mbi Rrëzën e Përmetit dhe mbi Pogonin deri në Vjosë në kufi me Toskninë, nga jugu mbi Dropullin e Vurkun deri në kufi me Çamërinë; megjithëse populli nuk i njeh këto krahina si pjesë të Labërisë, as nuk i quen banorët e tyne labë.

Na në përcaktimin e grupeve të krahinave etnografike po e marrim Labërinë në kuptimin e ri. Krahinat e vogla brenda saj, që nuk janë labe, po i quajmë si mbeturina nga grupet e tjera. Nga ana gjeografike, ky territor i gjatë paraqitet mjaft uniform, me përjashtim të pak fushave të ulta në veri (Topalltia, fusha e Vllahinës, Mushas etj.), dhe pak të tjerave në jug (fusha e Rezomës, Vurkut etj.). Në përgjithësi asht një krahinë malore. Mbi malet e saj zotnon formacioni gëlqeror, me pllaja të nalta e të hapta, me lugina të ngushta e të thella që, me përjashtim të asaj të Drinit të Gjirokastrës, nuk janë të punueshme. Në përgjithësi kushtet natyrore për ekonomi janë shumë të përshtatshme për jetën blegtore; pllajat e nalta, të pasuna me kullota verore, dhe fushoret e ulta në veri e në jug, të përshtatshme për kullota dimnore, u sigurojnë ushqime natyrore të vazhdueshme tufave të tyre.

Nga formacioni tokësor i Labërisë duem të kalojmë në përbamjen e popullit lab. Kjo popullsi nuk njeh në mes të saj vendas e të ardhun, por të gjithë e quejnë veten e tyne si banues të lashtë të këtij vendi dhe nuk kujtojnë as ndonjë prejardhje të përbashkët, as të veçantë të tyne, as ndonjë grup njerëzish si banorë ma të lashtë të këtij vendi. Popullsia labe e këtij territori nuk ka gjasë të ketë formue që në kohë shumë të lashta një grup të përbashkët krahinash etnike, por qenë krahina të veçanta e të palidhuna në mes të tyne. Në këtë konkluzion dalim se në Mesjetë nuk gëzojnë një emën të përbashkët, por Grisejtë, Kirilisejtë, Plesejtë (Plesati i sotshëm), Corvesejtë (Kurveleshi i sotshëm) etj. përmenden si njësi të veçanta dhe të shkëputuna nga njena tjetra. Shufflay, tue u nisë nga këto të dhana që janë të para vitit 1481, mendon se që në këtë kohë kishte fillue ky përqëndrim dhe se emri Kirilisejtë ishte një emën i përbashkët për Plesejtë dhe Corvesejtë.

Edhe sot popullsia e Labërisë nuk ruen ndonjë kujtim të prejardhjes së përbashkët fisnore, por tregojnë se u përbanë nga fise të ndryshme. Disa nga pleqtë e krahinës ruejnë kujtimin shumë të dobët e të zbehtë se Labëria përbahej nga 33 fise. Burimi ekonomik për të gjitha fiset e Labërisë qe blegtoria. Ata  kalonin një jetë tranzumance sezonale: dimnit mbi bjeshkët e nalta dhe verës mbi fushat e ulta në veri ose në jug, gjatë bregdetit, ose ndër luginat e lumejve. Kullotat e dimnit ose të verës, që gëzonte Labëria, ishin të ndame për çdo fis; çdonjeni nga fiset kishte jetën e veçantë të tijën. Bashkëjetesa e këtyne fiseve pranë njeni-tjetrit, nevojat reciproke për të mbrojtë jetën, pasunitë, kullotat etj. Sollën nevojën e një lidhjeje në mes tyne, e cila u shpreh edhe me një drejtim politik e shoqnor të përbashkët. Për sa kujtojnë pleqtë e krahinës, për çdo nevojë mblidheshin në kuvend 33 pleq, nga një për çdo fis, dhe si vendosnin ata, ashtu veprohej. Me zhvillimin e marrëdhanieve ekonomike-shoqnore në mes të fiseve, u zhvillue edhe një kulturë e përbashkët, e cila çfaqet në çdo anë kundrimi. Jeta ekonomike e shoqnore e tyne mbështetej mbi një përmbledhje normash juridike tradicionale që quhej “Kanuni i Papa Zhulit”; kultura materiale shprehej me forma banesash, me mënyra veshjesh, me enë e orendi të përbashkëta; ashtu edhe nga ana shpirtnore dhe artistike u zhvillue një unifikim traditash.

Kjo bashkësi jetese, që u çfaq edhe me një unifikim të folmeje, u shpreh edhe me një emën të përbashkët ”Labëri” për vendin dhe “lab” për popullin. Koha kur u zhvillue ky unifikim shoqnor e politik nuk dihet, por ka gjasë se i përket shekullit XVII. Ky përqëndrim u fuqizue ma tepër për të përballue orvatjet e pushtuesit turk me e nënshtrue edhe këtë popullsi, e cila gëzonte liri brenda kufijve të saj. Pushtuesi turk, tue mos arritë ta ndjekë ndër malet e nalta, në  pozicionet e forta që gëzonte kjo popullsi, provoi t’i imponohej asaj tue i heqë dore kullotat e veta dimnore. Disa nga këto, ato të veriut, ia fali një beut (thonë i ardhun prej Konje), si shpërblim për shërbimet e mëdha që i kishte bâ pushtuesit turk, po ashtu fushoret jugore ua fali bejlerëve të tjerë që banonin në Delvinë; fushat e luginës së Drinit të Gjirokastrës i ndau ndër bejletët e Kardhiqit. Këta bejlerë, që të zotnonin feudet e tyne, ndërtuen fortesa të vogla, ku lanë njerëzit e tyne dhe me këto përforcime iu imponuen blegtorëve të Labërisë, që, po të dojshin me gëzue kullotat dimnore, do t’iu nënshtroheshin detyrimeve. Që të mos kenë ngatërresa me çdo blegtor, i ndanë këto fusha në parcela të mëdha, p.sh., fushën e Vllahinës, të Rezomës etj. ia dhanë një njeriu, një blegtori nga Labëria kundrejt një shume vjetore që ai do të paguente dhe ai mandej ua shiste për së dyti blegtorëve të tjerë. Në këtë mënyrë blegtorë nga fise të ndryshme zbritshin në një kullotë dimnore dhe kjo u bâ shkak i prishjes së pronësisë së përbashkët që kishte çdo fis mbi kullotat e tia. Blegtorët që blejshin nga beu këto kulllota, të cilat ua rishitshin blegtorëve të tjerë, fituan një pozitë ekonomiko-shoqnore në krahinë dhe formuen klasën e agallarëve.

Sa kohë kalonte, aq ma tepër fuqizohej kjo klasë që filloi të ndërhyjë edhe në kullota verore. Grupi i blegtorëve që dimnote në kullotën e një agai, filloi të dale edhe në kullota verore në formë të përbashkët, në mënyrë që shpesh agallarët vunë dorë edhe mbi kullotat e verës, tue i ba të vetat. Lindja e kësaj klase shfrytëzuese në Labëri suell ndryshime të mëdha edhe në jetën e popullit. Në vend që të mblidheshin të 33 pleqtë e fiseve në kuvend, filluen të mblidheshin pleqtë e vilajetit për të rregullue punët e krahinës që përfaqësohej nga këta agallarë. Për ma tepër, Idriz Sulli, i cili ishta edhe ai një aga, bani disa ndryshime edhe në kanunin e vjetër të Labërisë, që u quejtën “shartet e Idriz Sullit”, me të cilat mbronte të drejtat e klasës së tij.

Gjatë shekullit XVIII, kur baheshin përpjekje për përqëndrimin e Shqipnisë Jugore në një grup të përbashkët krahinash, lufta në mes të bejlerëve, si feudalë të mëdhenj që mundoheshin të gllabërojnë njeni tjetrin, u shfaq edhe në mes të agallarëve, çdonjeni prej të cilëve mbështeste beun e tij. Me triumfin e Ali Pashës dhe me shkatërrimin e bejlerëve të tjerë, disa nga agallarët, që kishin mbajtë anën kundërshtare të Ali Pashës, emigruen së bashku me tarafet e tyne në Toskni, Myzeqe etj., kurse ata që mbrojtën anën e Ali Pashës u fuqizuen mâ tepër. Me shkatërrimin edhe të Ali Pashës, kullotat u kthyen  mâ të shumtën e rasteve në prona private, në disa raste në prona të përbashkëta fshatare.

Me shtrimjen e emnit Labëri në një territor mâ të gjatë se baza e vjetër, mbi popullsinë e saj u krijuen dy grupe: “popullsi labe” dhe “popullsi jo-labe”. Popullsia labe ndahet në: lab Kristian (Rreza e Tepelenës dhe Bregu i Detit) dhe në lab muhamedan (blloku qendror i popullsisë labe); ndërsa popullsia jo-labe brenda Labërisë nëndahet në: popullsi shqiptare (si Lunxheria, Malëshova, Zagoria, Rrëza e Përmetit) dhe në popullsi joshqiptare (si Dropulli, Vurku).

Populli shqiptar, në të gjithë shtrimjen e tij teritoriale, arriti në një unitet kombëtar me një gjuhë, territor, jetë ekonomike dhe tradita kulturore të përbashkëta. Kjo shkallë zhvillimi u pergatit gjatë shekullit XIX. Megjithëse kaloi ma se gjysëm shekulli nga kjo shkallë zhvillimi, në gjuhën ndërgjegjen dhe në traditat e tij kulturore ngelën ende disa mbeturina nga grupet e krahinave dhe krahinat e ndryshme që u formuan historikisht në gji të tij.

Grupet e mëdha të krahinave etnografike që morën pjesë në formimin kombëtar të popullit shqiptar, qenë dy: Gegnia dhe Tosknia. Këto dy grupe të mëdha krahinash etnografike u formuen mbi baza feudale, gjatë shekullit XVIII. Edhe këto dy grupe u formuen nga shkrimja në mes të tyne e grupeve të krahinave etnografike ma të vogla. Këto grupe qenë nandë: pesë për Gegninë: 1) Gegnia, 2) Leknia, 3) Malësia, 4) Fushat bregdetare, 5) Fushat lindore dhe për Toskninë: 1) Tosknia, 2) Myzeqeja, 3) Labëria, 4) Çamëria.

Por edhe këto grupe përmbledhshin në gji të tyne disa krahina ma të vogla etnografike, si, p.sh.: Leknia ose Dukagjini përmblidhte:

a) Lumën, b) Hasin, ç) Merturin e Gurit, d) Thaçin, e) Berishën, f) Mirditën. Gjithnjë këto krahina përmbledhshin në gjî të tyne prapë disa krahina të tjera mâ të vogla si p.sh. Mirdita përmbledhte tre bajrakët e fisit, bajrakun e Fanit e të Dibrit, tre bajrakët e Ohrit, katër bajrakët e Zhupës (ose të Malësisë së Lezhës).

Në këtë shqyrtim që u bamë grupeve dhe krahinave etnografike të popullit shqiptar, nuk i ndoqëm këto në të gjitha ndamjet e nëndamjet e tyne, por vetëm në dy shkallë: grupet e mëdha e të vogla të krahinave etnografike të popullit shqiptar, tue lane për një shqyrtim të dytë nëndamjet e imta në krahina të vogla etnografike. Përcaktimi i drejtë i grupeve dhe krahinave etnografike, që u formuen historikisht në gjî të popullit shqiptar, ka një randësi të madhe për studimet shkencore mbi popullin tonë si nga ana metodologjike e punës, ashtu edhe nga ana e rezultateve shkencore. Nga ana metodologjike ka randësi, pse ndihmon shumë në mbledhjen dhe në sistemimin e materialeve, qofshin gjuhësore, antropologjike ose kulturore të popullit; nga ana shkencore, pse ndihmon në zgjidhjen e shumë problemeve të jetës së tij që nga etnogjeneza e popullit tonë deri në formimin e tij kombëtar.

Tue e pa rëndësinë që ka kjo punë për shkencën shqiptare, e ndalëm shqyrtimin tonë ndër grupet e mëdha që të bëhen vërejtjet e duhuna, të rishqyrtohen dhe pastaj të përcaktohen në një mënyrë pak a shumë mâ përfundimtare këto grupe dhe mandej të vazhdohet me nëndamje mâ të imta. Për këtë  arësye presim ndihmën nga të gjithë punonjësit shkencorë të vendit tone që të na ndihmojnë me vërejtjet e tyre në lidhje me këtë problem.

Shënim: Punimi në fjalë është botuar fillimisht në revistën "Etnografia Shqiptare" në vitin 1962. Këtu po e sjellim ashtu siç e publikon revista "Gegnia"  pa shënimet sqaruese

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

S'ka nevoje per shenime sqaruese pa merak. Duhet te nxirrni dhe pjesen e pare "Gegnia" nga numri 6 nqs se keni nxjerre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.