Ministrja është viktimë edhe vetë

Postuar në 08 Shkurt, 2019 22:50

Po diskutohet shumë këto orë një vizitë e ministres Elisa Spiropali në shtëpinë e vajzës së mitur në Kavajë e cila sipas raportimeve të policisë është përdhunuar për disa kohë nga bashkëmoshatarë të saj nën presionin e videove intime. Ky është version paraprak, për të cilin do të duhet të shprehet gjykata.

Vizita e Spiropalit siç u tha u bë pas kërkesës së vetë familjarëve, konkretisht gjyshit të vajzës.

U mendova gjate a ta ndaj me ju apo jo tronditjen e tij, po ne fakt po s’e bera une qe e pata ate burre fisnik ne zyre per hallin e tij, kush do ta beje ne emer te tij thirrjen per ta lene te mituren ne privatesine e saj!?

shprehet ministrja.

Le të besojmë për një çast se është kështu. Se me të vërtetë, gjyshi i ka trokitur në derë. Por a është me vend që zonja Spiropali të publikojë me video identitetin dhe bisedën me dy prindërit e vajzës duke zbuluar tashmë eventualisht identitetin e vetë vajzës së mitur? Qeveria ka detyrimin të qëndrojë pranë në kësi rastesh dhe të garantojë çdo ndihmë, por publikimi i videos është në thelb politikë me ngjarjen. Është instrumentalizim mizor i saj për shkaqe kaq banale sa mund të kuptohen vetëm në Shqipëri.

"Kur digjesh nga qulli i fryn kosit". Kështu i thonë një fjale. Dhe qeveria e z. Rama, e cila ka dëshmuar se nuk është e aftë të reagojë institucionalisht dhe në mënyrë të strukturuar për ngjarje të ndryshme delikate, u vu në një sëkëlldi të madhe para disa muajsh me çështjen e Xhisela Malokut. Ngjarja u mbajt e fshehtë nga policia, nuk u raportua me gjasë për shkak të ndikimit të të atit të autorit të ngjarjes. Detonimin e saj publik e bëri Sali Berisha, njësoj si në ngjarjen e tanishme të Kavajës duke i lënë në derë qeverisë sikletin e një situate që nuk po kontrollohet dhe një policie që nuk vepron. Nëse në rastin e parë, në mënyrë të pabesueshme kryeministri mori përsipër shpjegimin e ngjarjes dhe dha garanci se ajo nuk kishte ndodhur siç raportohej, kësaj radhe ai shpejtoi duke përdorur zonjën Spiropali dhe prindërit e vajzës.

Është e vështirë të kuptosh gjendjen e prindërve në këtë situatë, por është thuajse e pamundur ta mirëkuptosh daljen e tyre të sforcuar televizive përkrah ministres duke nënkuptuar se qeveria i ka ndihmuar shumë. Që nga momenti i ngjarjes e më tej çdo prind ka një raport të ndryshuar me jetën e vet, ai sheh vetëm nga lumturia e fëmijës dhe nuk ka sesi të përkujdeset për imazhin e qeverisë dhe të apelojë për paanshmëri ndaj medias. Me keqardhje duhet të themi se prindërit, por edhe zonja Spiropali u përdorën keq vetëm e vetëm që z. Rama të heqë qafe sikletin e një situate që u krijua vetëm nga mbulimi i ngjarjes nga policia. Patjetër që këtu ka përgjegjësi edhe z. Berisha, por nëse z. Rama me znj. Spiropali e kanë seriozisht privatësinë teksa referojnë dispozitat e Kodit Penal, atë atëherë le të padisin z. Berisha që këto ngjarje të mos përsëriten më.

Ky është njëri aspekt. Aspekti tjetër, më i rëndësishëm ndoshta, që e ngatërron përherë ekzekutivin, është mënyra e reagimit tonë si shoqëri. Nga intervistat e përcjella nga prindërit e njërit prej djemve, nuk u vu re as më i vogli pendim. Thjesht meraku që djali të mos bënte burg duke dhënë gjykimin final se ai është i pafajshëm. Dhe ky nuk është rasti i parë. Ne kemi qenë dëshmitarë sesi pas vrasjes së Marvi Mihalit, prindërit e autorëve të akuzuar kërkonin vetëm të nxirrnin fëmijët e tyre nga burgu, ndonëse ngjarja ishte hapur një vrasje e pastër primitive dhe që kërkon drejtësi në mënyrë urgjente. Na vjen po ashtu në mend edhe rasti i Konstandin Xhuvanit dhe të ëmës së tij, të gjitha këto shembuj për ta kuptuar se pse hakmarrja ka zënë vend fort në këtë vend.

Ky raport i zhdrejtë me drejtësinë dhe të drejtën, moralin në përgjithësi, e detyron çdo qeveri që të klimatizohet me veprime të papranueshme moralisht, kur në vend se të qëndrojë pranë viktimës duke dhënë shpresën e drejtësisë reale, preferon ta blejë heshtjen apo qasjen publike të saj.

Ky është p.sh rasti i tanishëm i prindërve, por ne kemi dëshmuar sesi p.sh për çudinë e të gjithëve Sali Berisha i fitoi zgjedhjet në Gërdec, ndonëse aty shpërtheu një fabrikë demontimi që vrau 26 njerëz. Familjarët e viktimave të 21 janarit e kërkojnë drejtësinë duke bërë kompromis me përdorimin politik të tyre nga z. Rama, ndërkohë që katër viktimat e asaj ngjarjeje, përtej titujve dhe fjalëve, thjesht shkuan kot. E njëjta situatë me aksidentin e Kavajës para dy vitesh, kur një grua në timon humbi fëmijët për shkak të shpejtësisë, por edhe të një ndërhyrjeje në rrugë që çonte në një karburant të një zyrtari të LSI-së. Prindërit dolën në media “të përpunuar” dhe të “qetë” duke gëlltitur tërbimin që duhet normalisht të ketë në kësi rastesh. Një tërbim që në vend se të çojë në drejtësi, çuditërisht në Shqipëri çon në Pazar me të vërtetën.

Për prindërit dhe familjarët drejtësi nuk është paraja nën dorë, as edhe ndonjë financim, por shpallja e së vërtetës dhe përgjegjësive publike për atë që ka ndodhur. Në mënyrë që të gjithë të dëmshpërblehen proporcionalisht dhe të dënohen sipas ligjit, jo sipas Maliqit. Mesa duket e kemi pervertuar deri në thelb këtë raport, ndaj t’i kërkosh sot Edi Ramës pse përdor znj. Spiropali është në fakt të kapësh veshin me dorën e kundërt. Sidomos kur z. Rama do thjesht të mbyllë ca gojë që në fakt u mbyllkërkan.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.