Skandali me mishin prek Poloninë dhe BE-në

Postuar në 27 Janar, 2019 15:24

Duket se një tjetër skandal për tregëtimin e mishit do të prekë produktet që mbajnë etiketën e BE-së. Mediat kanë publikuar pamje nga një thertore në Mazovia të Polonisë ku shiten lopë shumë të sëmura dhe që theren pa asnjë inspektim veterinar. Therjet kryhen natën dhe sipas “The Guardian” lopët janë ekstremisht të sëmura saqë nuk qëndrojnë dot në këmbë.

Po kështu kasapët heqin pjesët tumoriale dhe mandej vazhdojnë therjen normale dhe ndarjen e mishit.

Skandali është publikuar fillimisht nga Tv N24, televizion polak që infiltroi në thertoren në fjalë në fund të vitit 2018 përmes një reporteri që punoi nën mbulim për thuajse tri javë. Sipas reporterit në fjalë, Patryk Szczepaniak, lopët e sëmura tërhiqeshin brenda në thertore, thereshin pa praninë e veterinerit dhe mandej u vendosej etiketa se ishte mish i sigurtë.

Urdhërohesha nga supervizorët e mi të etiketoja mishin si të sigurtë…Ishte e tmerrshme më besoni. Era e mishit të kalbur të bën të vjellësh. Duhet ta bëja të dukej më bukur duke e krruajtur me thikë

është shprehur ai.  

Skandali është shqetësues, pasi 80% e mishit të lopës në Poloni eksportohet.

Gazetari në fjalë shton madje se edhe punëtorët që punonin në thertore ushqeheshin me mishin e lopëve të sëmura gjatë pushimeve të drekës. Një ndër arsyet pse ndodh kjo është se në Poloni një lopë e sëmurë kushton pesë deri në gjashtë herë më pak sesa një lopë e shëndetshme dhe në këtë kuadër një pronar që ther 20 lopë të shëndetshme fiton 70 mijë stërlina në vit, ndërsa nëse do të therte vetëm lopë të sëmura do të fitonte diku te 500 mijë stërlina.

Nuk ka një vlerësim konkret për sëmundjet që përçojnë te njeriu këto lloj kafshësh por dihet se lopë të tilla janë me mbingopje bakteriale.

Fjala është për një vend të BE-së që presupozohet se ndjek disa standard, ndërkohë që për kujtesë në Shqipëri, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka pranuar të publikojë subjektet që kanë importuar mish të prekur nga salmonella, pa folur për faktin se askush nuk e di çfarë ka ndodhur me atë mish në realitet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.