Protestë paradite, Kuturu në mbrëmje

Postuar në 06 Dhjetor, 2018 22:53

Protesta e studentëve që befas në një fillm dhjetori u kujtuan për kushtet e vështira dhe tarifat e larta, ka hyrë në ciklin e diskutimit politik dhe publik. Në të vërtetë protesta e studentëve ose apelojnë për ndryshime radikale, ose të paktën fitojnë së betejën e argumenteve.

Kjo e tanishmja nuk ka asnjërën prej të dyjave. Ajo është identike me protestën e viteve ’90 që kishte shqetësimin e batanijeve dhe dusheve dhe me udhëzim nga partia mori drejtimin tjetër. Protesta e tanishme, nëse shohim kërkesat nuk përligj këtë lloj mobilizimi dhe në fakt nuk përligj as nivelin e ulët të auditorit.

Por përtej kësaj le të hedhim një sy “argumenteve” me të cilat po operon qeveria dhe kundërshtarët e saj. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është shfaqur në studion e Top-Channel me profilin e një nëne, apo një mësueseje në vend se të bëjë atë për të cilën paguhet: ministren.

Gjenerata më e vyer që ky vend ka nuk meriton të bënim një komunikim në rrugë dhe nuk u pa e arsyeshme. Ata kërkuan që të dilja në shesh që të komunikonim. Kanë të drejtë studentët, kanë gjithmonë të drejtë dhe meritojnë që të dëgjohen

u shpreh ministrja Nikolla.

Nuk dihet nga dalin këto bindje se studentët kanë gjithmonë të drejtë. Vetëm ministret e Edi Ramës mund ta dinë e që flasin një ditë pasi shefi bën kapadaiun në rrjete sociale. A kishin të drejtë studentët në vitin 1996? Le të na thotë ministrja. Tezën se studentët afirumuan demokracinë e kanë bërë të vetën të gjithë pjesëtarët e kampit socialist, në politikë dhe në media, kur në fakt në vend të demokracisë, u afirmua kaosi në vendimmarrje.

Por është të qash dhe të qeshësh kur nga krahu tjetër, argumentet janë edhe më mjerane. Lexoni çfarë thotë një profesor i çquar, Edmond Tupja.

Unë jam për arsimin falas, le t’i gjejë ku të dojë shteti paratë. Me studentët nuk duhet të tallesh. Del VKM-ja, pastaj zbutet, tani thonë që iku VKM-ja… Studentët lodhen në punë, fitojnë pak dhe vijnë pastaj për master në darkë. Unë i them zonjës Nikolla se humbi një rast për të hyrë në histori. Unë në vend të saj do të kisha marrë guximin dhe do të kisha dhënë dorëheqjen për t’u bashkuar me protestuesit

Çfarë do të thotë kjo që shteti ti gjejë ku të dojë paratë? Po ata të cilët nuk I shkollojnë fëmijët në Shqipëri, që i çojnë në shkolla private, apo që nuk i shkollojnë fare në Universitet, pse duhet të paguajnë për arsimin falas? Ne kemi në Tiranë një karagjoz për kryetar bashkie që vendos taksë për arsimin, ndonëse sot shkollimi nuk i shpëton ofertës së tregut. Pra unë nuk kam fare besim te gërmadhat e Erjon Veliajt, pse duhet të paguaj? Ky Tupja merr në konsideratë ndonjë diskutim të këtij lloji, përpara se të flasë për studentë që lodhen shumë? Kemi bërë shkollë të lartë të gjithë dhe jemi përballur me profesorë të vërtetë që po linin profesionin me brengën se shkolla u shkatërrua. Vetëm Tupja është optimist i pandreqshëëm për të mos parë se kriza është shumëplanëshe.

Kush do të provojë ëmbëlsirën le të lexojë edhe Grida Dumën, e cila ta bën përherë borxh me performancën.

Është rritur energjia, qiraja, uji dhe të jesh student duhet të jetosh. Jeta studentore është jashtëzakonisht e shtrenjtë dhe kjo është arsyeja që shqiptarët paguajnë më shumë për arsimin sesa vendet e tjera (në raport me të ardhurat)

deklaroi Duma në Top-Channel. Ndoshta zonja harron se shteti nuk përgjigjet – pra ne që paguajmë – për qeratë, pasi ka konvikte me tarifë fikse.

E vërteta është tjetër. Studentë të mirë ka patur dhe do ketë, por ata nuk kanë për të vuajtur për rezultate pse marrin leksione me shënime apo pse huazojnë ca materiale të printuara. Sigurisht që duhet ndërhyrje por të rendësh pas një proteste që kapi gafil edhe protestuesin e përditshëm verbal si Edmond Tupe apo Sali Berishën, nuk është ndonjë punë prej burri të mençur. Siç edhe ka dalë nami.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.