Rënia e Bin Ladenëve, Kenedëve të Xhedahut

Postuar në 27 Shtator, 2018 13:32

Agjencia e njohur e lajmeve “Reuters” i kushton sot një raportim familjes së njohur Bin Laden, e cila duket se me ardhjen në pushtet të princit Mohammed bin Salman, po pëson rënien e madhe.

Si arsye për këtë që po ndodh, agjencia sjell një ngjarje të vitit 2015, kur princi asokohe ishte vetëm 29 vjeç. Ai i propozoi kreut të familjes Bin Laden, Bakr bin Laden, që të bëhej ortak në firmën e tij të ndërtimit, ndër më të madhatë. Por në ndryshim nga praktika e zakonshme e familjes që i është bindur përherë kërkesave të Kurorës, kësaj radhe Bakr bin Laden hezitoi dhe kërkoi më shumë kohë të mendohej.

Reuters shkruan se oferta e princit ishte në sintoni me vizionin e tij për të transformuar ekonominë e Arabisë Saudite dhe për të eliminuar varësinë e saj nga nafta. Nga kjo pikëpamje, bin Laden dolën përpara jo thjesht si pjesë e një pazari të pakryer, por si pengesë në një rrugë të cilën princi që ka marrë pushtetin në qershor të vitit 2017, po do ta vërë në zbatim.

MbS – akronimi me të cilin thirret princi, nuk vonoi të vepronte. Në nëntor të vitit 2017, vëllezërit bin Laden, Bakr, Saleh dhe Saad ishin mes 200 biznesmenëve të ndalur me akuzën e korrupsionit. Pak muaj më vonë, në prill të vitit 2018, ata transferuan 36.2% të aksioneve të veta në pronësi të shtetit, ndërkohë që vëllai i madh, Bakr mbahet ende i ndaluar, ndonëse nuk ka ndonjë akuzë publike ndaj tij.

Sipas disa burimeve saudite ajo që po ndodh me Bin Ladenët është provë e mosbesimit mes qeverisë dhe sektorit privat, ndërkohë që njerëz pranë MbS hedhin poshtë lajmin se Princi këkroi aksione të firmës në vitin 2015. Sipas tyre madje, ka qenë shteti saudit ai që ka shpëtuar kompaninë nga kolapsi.

Qeveria saudite gjeti shkak të vepronte hapur në shtator të vitit 2015 kur një prej godinave të ndërtuara nga familja bin Laden u shemb në Meka, duke vrarë 107 persona.

Ka patur debate nëse përgjegjësia ka qenë e firmës apo e autoriteteve lokale që mbikëqyrnin zonën në atë kohë, por e rëndësishme është se nga Kurora saudite ka tanimë një vullnet për të ndryshuar raportet preferenciale me familjen e njohur e cila ka njohur lulëzimin e vet që nga viti 1931, pikërisht falë mbështetjes së disa mbretërve sauditë.

Kjo gjë ka ndryshuar dhe princi i ri ka dhënë shembullin sesi buka e falur nga pushteti merret po aq kollaj sa edhe jepet. Sekuestrimet nuk kanë kursyer as pasuri private si vila, koleksione makinash, bizhuteri etj.. Një formë e qartë e vendosjes së autoritetit të një princi që ndoshta po kërkon të prodhojë pasanikë të rinj për një Arabi të re.

Familja Bin Laden zotëron aktualisht 2/3-at e Grupit që mbahen si tituj nga 15 vëllezër, ndërkohë që dy prej tyre janë caktuar në komitetin mbikëqyrqës që është krijuar për transferimin e pasurisë dhe drejtimin e kompanisë.

Grupi ka një rol jetik për nga numri i projeketeve që menaxhon; aktualisht ajo ka në zbatim 93 projekte dhe angazhon 1400 nënkontraktorë. Çdo gjë e lënë pezull. Më i rëndësishmi është projekti 500 miliardë dollarësh i ndërtimit të një hapësire biznesi në detin e Kuq, pjesë e vizionit të princit të ri për një Arabi të Re. Do të jetë një qytet më vete, me legjislacion unik me synim tërheqjen e investitorëve të huaj të bioteknologjisë, turizmit dhe manifakturës së avancuar.

Gjithçka duket se përligj mbititullimin e tyre si Kenedët e Xhedahut, qyteti ku ata kanë qendrën e tyre. Pasuri dhe tragjedi, kjo shoqëron këtë familje të njohur që nisi me një adoleshent nga Jemeni, Mohammad me një sy dhe I varfër që mbërriti në Xhedah. Me një firmë ndërtimi që fitoi priivilegjet e mbretit Abulaziz në vitin 1931, familja eci shumë shpejt drejt majave të pasurisë por edhe të vëmendjes ndërkombëtare me Osamën që akuzohet se ka organizuar sulmet e 11 shtatorir 2011 në SHBA dhe që udhëhoqi Al Kaedan.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.