Fantazma e aeroportit të Vlorës

Postuar në 23 Gusht, 2018 12:50

Ka disa kohë tashmë që kryeministri i vendit, Edi Rama, promovon idenë apo projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Është dhënë shifra 100 milionë euro investim dhe sipas Ramës do të hapen 27 mijë vende pune. Nisja e punimeve u premtua se do të bëhej në qershor, çka nënkupton se projekti është gati. Kompanitë që thuhet se do të marrin përsipër realizimin e tij janë turke dhe ato konkretisht janë: Kaylon, Cengiz Construction dhe Kolin. Heshtja e palës turke dhe fakti se për aeroportin flet vetëm pala shqiptare që nuk ka asnjë shumë për të investuar e bën të dyshimtë këtë temë.

Nëse u hedhe një sy faqen në internet të tri firmave në fjalë, aty nuk figuron gjëkundi aeroporti i Vlorës, i cili nëse kushton 100 milionë euro, nuk mund të quhet i vogël. Kompanitë në fjalë kanë njoftime për projektet që janë në proces, por asnjë fjalë për Vlorën.

Nga një raportimi i para disa ditëve nga TemaTv, u evidentua fakti se në terren nuk ka nisur të bëhet asgjë dhe kjo shton dyshimin se projekti për aeroportin e Vlorës është një flluskë propagandistike e cila mundet edhe të synojë të tërheqë vëmendjen e ndonjë investitori që ende nuk është dukur në këto anë. Përndryshe, asnjë kompani serioze nuk fsheh angazhimet e veta që kanë këto shifra. Mjafton të shohim TAP-in sesi informon për çdo gjë që bën në Greqi apo edhe Shqipëri, duke synuar të jetë prezent në media me punën e vet.

Të gjitha këto janë shenja se aeroporti i Vlorës mundet të ketë fatin se tullumbaceve të tjera të ngjashme si porti i Karpenit, për të cilën u përfolën 5 miliardë dollarë apo edhe kulla 250 milionë euro në Tiranë. Do të ishte më tepër sesa për të qeshur nëse aeroporti do të dështojë në këtë mënyrë pasi do të konfirmonte se investitorët seriozë nuk afrohen në këtë vend.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.