Protesta e një Qyteti të humbur

Postuar në 05 Korrik, 2018 15:04

Ajo që duhet të ishte protestë e qytetarëve dhe jo vetëm e një grupi artistësh bëri aq sa mundej për të mbajtur në këmbë jo vetëm godinën e Teatrit Kombëtar, por edhe ndërgjegjien politike të Qytetit. 

Ndoshta aktorët dhe regjisorët u prekën a indinjuan sepse kanë një lidhje shpirtërore me godinën dhe historinë e Teatrit, por kjo betejë nuk është për Teatrin. është ndoshta një nga betejat më të rëndësishme të 25 viteve të fundit, për të fituar atë që nuk e kemi patur asnjëherë, Qytetin me gjithçka nënkupton përkatësia për këtë normë politike të civilizimit njerëzor. 

Ata që nuk e kanë parë të arsyeshmë të protestojnë për Teatrin dëshmuan një të vërtetë të hidhur se ky qytet dhe asnjë qytet tjetër nuk u përket, janë kafshët apolitike që vetëm ushqehen e dhjesin në këtë fjetore betoni dhe ku e vetmja gjurmë që lënë është jashtëqitja në tubat që kalojnë poshtë këtij vendbanimi të ideuar për qytet e më pas kryeqytet. 

Në këto dy dekada nuk e fituam dot Qytetin, atë që do ishte kollona e demokracisë, por demokracinë ua besuam atyre që drejtojnë e fitojnë sa dhe si të duan, ashtu si në rastin e Teatrit Kombëtar.  Në sheshin para parlamentit këtë të enjte ishin pak aktorë e regjisorë, aktivistë të shoqatave civile dhe disa të rinj të Forumit Rinor të PD-së. Disa kundër shembjes, disa kundër qeverisë, disa kundër pushtetit.

Nëse Teatri është Kurban për të fituar qytetin, le ta shembin, por e dijmë që pasi të kemi fituar Qytetin do kuptojmë se çfarë është Teatri jo vetëm si godinë, dhe për më tepër marrëzinë e një dore barbarësh që vendosën ta fshijnë. 

Grushti që duan t'i japin Qytetit dhe ndërgjegjies sonë politike është i fortë dhe fatal, aq sa edhe burracakëria e parabollëve që ngullin kollona betoni për të shkelur mbi të drejtën tonë për të patur një Qytet. Ata e kanë menduar se çfarë Qyteti duan të na japin, kanë gjetur edhe lolon Erion Veliaj që vjen vërdallë për ta penguar në çdo formë themelimin e Qytetit.

l.mitro

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.