Një projekt që duhet ndalur me çdo mjet politik

Postuar në 10 Qershor, 2018 17:23

Tashmë është e qartë se qeveria shqiptare, përtej çdo ndjeshmërie dhe debati ka vendosur të prishë godinën e Teatrit Kombëtar. Përgjegjësinë për këtë po ia ngarkon parlamentit, teksa ka ndërmarrë nismë ligjore për kalimin në pronësi të një kompanie të preferuar nga Bashkia e Tiranës, të tokës shtetëore ku ndodhet TK dhe rreth tij. Kjo që po ndodh, e që ka nga pas vullnetin, por edhe interesat edhe të kryetarit të Bashkisë, Veliaj, është një kauzë e mirëfilltë që do testojë forcën e pushtetit për të imponuar interesat e veta afatshkurtra si vizion zhvillimi, përkundrejt një pjese të shoqërisë që kërkon të ruhet një hapësirë e cila ka vlera të caktuara.

Procedura e shpërfill çdo debat dhe z. Rama e ka bërë të qartë se ai disa ëndrra apo vegime të vetat ka ndërmend t’i bëjë pronë të së ardhmes sonë. Ta lëmë mënjanë këtë natyrë autoritare që edhe si e tillë është sharlatane. Pasi tashmë beteja politike ka nisur dhe aty opozita shqiptare ka detyrimin por edhe shansin që të bëhet me interesin publik. Jo për të kthyer detyrimisht mbrapsht një projekt si ky, por për ta vënë atë në shina ligjore dhe politike të pranueshme dhe të kontrollueshme. Toka është shtetërore, ajo nuk është as e Edi Ramës, as e Mirela Kumbaros dhe as e Erjon Veliajt. Për kalimin e saj ka ligje dhe Kushtetutë dhe këto duket se po anashkalohen. Fjalët e bukura për komitetet negociimi nuk impresionojnë më asnjë, ndaj është detyra e të gjithë të interesuarve të bëjnë diçka.

Sidomos e opozitës parlamentare ndaj së cilës vështirë se mund t’i besohet më. Kjo e Teatrit duhet ndalur qysh tani dhe me mjete politike, pasi nëse procesi merr udhë në fushën juridike, me krizën e gjyqësorit do të jemi para faktit të kryer dhe një kryeministri që thotë se: atë e vendosi Parlamenti.

Pushteti I sotshëm duhet kufizuar qoftë edhe mjete ekstrapolitike, përderisa po manifeston shenja të një arrogance të paprecedentë. Dhe kufizim fillestar është ndezja e një debati që do të kushtëzojë patjetër vendimmarrjen.

Comments

Submitted by Selimi (not verified) on

Ore cfare jane keto vlerat "e caktuara" se ne injorantet nuk i kuptojme

Submitted by Albi_I (not verified) on

Eshte toke publike, hapesire per te gjithe ne, qe do merret perjetesisht per perfitime personale te nje firme ne menyre komplet anti-kushtetuese, e jo thjesht anti-ligjore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.