Ndërron jetë Liri Belishova

Postuar në 23 Prill, 2018 21:24

Ka ndërruar jetë në moshën 92 vjeçare Liri Belishova.ajo është e njohur për opinionin publik shqiptar të para viteve ’90, por edhe brezin më të ri të pas viteve ’90.

Belishova lindi në vitin 1926 në Belishovë të Mallakastrës në një familje të ngritur të krahinës në fjalë.

U shkollua fillimisht në vendlindje, më pas në Institutin “Nana Mbretneshë” e më pas në Bashkimin Sovjetik në institutin e Studimeve Marksiste –Leniniste. Fati e desh që në shkollën e mesme Belishova të njihej me të tjerë persona që më pas do të ishin në majat e pushtetit apo të luftës si Nexhmije Hoxha, Ramize Gjebrea dhe Vito Kapo. Në Moskë ajo do të lidhte miqësi me Ramiz Alinë.

Belishova hyn ndër ata njerëz të pakët të pushtetit të para viteve ’90 që nuk e shkëputën asnjëherë veten nga përditësimi dhe azhornimi intelektual me idetë e kohës duke qenë bashkë me Todi Lubonjën, ndër të rrallët njerëz që me të vërtetë ishin revizionistë të pikëpamjeve të veta fillestare, apo të qëndrimeve të pushtetit ku aderuan.

Liri Belishova ka mbajtur disa detyra. Në vitet 1946-1947 ajo ishte kryetare e Rinisë. Më pas në vitet 1948-1960 ajo arriti deri në anëtare të Byrosë Politike. Gjatë ndarjes me sovjetikët ajo doli kundër vendimit të Enver Hoxhës për të bashkuar votën dhe mendimin me kinezët në debatin e madh ideologjik brenda kampit socialist duke provokuar edhe arrestimin e saj.

Fati politik i saj u parapri dhe u shoqërua edhe nga fati i keq familjar. Bashkëshorti i saj i parë, ose më saktë i fejuari, Nako Spiru, ishte një ndër figurat kryesore të Partisë Komuniste. Një njeri autonom në mendime, Spiru thuhet se vrau veten gjatë tensionit me jugosllavët duke mbetur një figurë enigmatike e cila rehabilitohej dhe denigrohej sipas koniunkturës.

Bashkëshorti i dytë i saj, Maqo Çomo, ishte ministër i Bujqësisë dhe u arrestua bashkë me të. Në vitin 1981, Belishovës i vdes e bija e vetme, poetja Drita Çomo në moshën e re 23 vjeçare. Në këtë kohë Belishova ishte në internim në Cërrik. Ajo kthehet në Tiranë në vitin 1991. Ishte prezente në media gjatë duke bërë autorkitikë, por edhe duke parë me sens korrgjues, denoncues  dhe rishikues të gjithë regjimin e Enver Hoxhës, por edhe historiografinë e prodhuar prej tij. Dëshmitë e saj të dhëna në intervista të ndryshme, janë ndër të rrallat që ofrojnë edhe një profil psikologjik të Enver Hoxhës në ushtrimin e pushtetit, nga dikush që për një kohë i qëndroi shumë pranë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.