Fitoi bashkëqeverisja, por ajo e vërteta

Postuar në 20 Tetor, 2017 19:03

Ilir Meta është shembulli më i keq për ta sjellë si ilustrim të një politikani në raport me drejtësinë. E megjithatë duhet thënë se në vitin 2011 kur ai u u implikua në videoregjistrimin e Dritan Priftit, Meta iu nënshtrua procesit gjyqësor. 
Sigurisht që krahasimi me situatën e tanishme me Sajmir Tahirin, nuk ngjan shumë teknikisht, por pesha e të dyja ngjarjeve është e njëjtë. 
Sot socialistët karikuan të gjithë arsenalin e vet në mbrojtje të ish-ministrit të tyre të Brendshëm, të cilin e braktisën për dy ditë, por që pas intervistës së tij në “Opinion” u detyruan ta rimarrin mes vetes. 
Sajmir Tahiri akuzohet për përfshirje në trafik droge, pas një katër vjeçari kur emri i tij asociohet me gjithfarë aferash. Është një arsye më shumë që ish-ministri të pranonte sfidën e gjykimit për ta çliruar veten nga barra e akuzave. Nëse z. Tahiri është i pafajshëm, patjetër që ai i ka të gjitha instrumentet që ta mbrojë veten dhe të ndjekë procesin deri në fund. 

Adoptimi i strategjisë së refuzimit për të pranuar kërkesën e prokurorisë deri më tani, e mbars edhe më tej me dyshime dhe mosbesim këtë që po ndodh. I bën të gjithë skenarët hipotetikë objektivisht të pranueshëm. Vetë sjellja e dy ditëve të fundit do të mjaftonte për ta provuar tradhëtinë ndaj interesit publik në një çështje që sado komplekse të jetë kërkon sqarim imediat. 
Mbrojtja e Tahirit, e detyruar apo jo, nën shantazh apo zgjedhje, dëmton në çdo drejtim, por ndihmon në një tjetër: njësoj sikurse video Prifti -Meta dhe sjellja e mëpasme e Berishës konfirmoi lojën e interesave që prevalon mbi çdo rregull dhe standard, edhe ky rast u zbulon të gjithëve se nga kush qeverisen. Se kush janë ministrat, kryeministri dhe deputetët. E vë në dritë tjetër dyshimin permanent për ta kthyer atë në bindje për atë që është sot elita politike. E cila në rastin konkret pranon me gojën e ministrit të Brendshëm Xhafa se ka drejtues policie të implikuar në trafiqe, por mban në prezervativin e imunitetit një ministër. Diçka që stonon me logjikën edhe pse tagrin e fajësisë e ka dikush tjetër. 

Cilido qoftë vendimi i Këshillit të Mandateve nesër, Shqipëria nuk do të jetë një vend më i mirë. As më pranë Europës dhe as më e jetueshme. Ajo është përherë e më shumë vendi i atyre që shantazhojnë dhe ku mbrojtja që po i bëhet një ish-ministri  amniston në fakt katër vite kanabizim dhe paranë që rend pas tyre. 

Për kryeministrin që po bën shtet do të mjaftonte vetëm fakti që përgjimet vijnë nga jashtë për ta sëkëlldisur filozofinë e tij politike, e cila është nën akuzën e të qenit maskaradë fjalësh që po u del kuptimi i vërtetë edhe për ata që nuk donin ta pranonin. Krijohet një tjetër standard i normalizimit të së keqeë ku pozita dhe opozita pajtohen si aktorët e përhershëm të interesave miliardashe. 
Por më pak vlen edhe uniforma e policit, e tatimorit dhe e kujtdo tjetri që thotë se përfaqëson shtetin. Në fund të fundit, bashkëqeverisja e vërtetë duket sheshit se më kë po bëhet dhe është bërë. Sa më shumë ta kuptojnë këtë aq më mirë. 

Comments

Submitted by Pergjigje (not verified) on

Meta,u hetua pasi mori garanci qr nuk fo arrestohej..
Se po te ndodhte kjo e fundit,i ikte koka Saliut.
Ndersa Saimirit i kishte ardhur kerkesa per burg..
Nuk jane raste paralele o zoti Gazetar...

Submitted by redaksia on

Se pari kam shkruar qe nuk ngjajne teknikisht por vlejne si ilustrim per te kuptuar forcen e rregullave ne sistem. Dhe sidomos vleren edhe formale te nje standardi. 

Sajmir Tahirit i ka ardhur kerkesa per arrest, por nuk ka asnje gjykate ta denoje ate nese ai eshte i pafajshem sic edhe pretendon. Ky eshte nje zhvillim politik me pasoja per institucionet dhe pastrimin ne kete rast e jep vetem drejtesia. Ish-ministri dhe asnje nga ne nuk a fuqine te mos paraqitet ne gjykate nisur nga mendimi qe kemi per integritetin e gjykates. Aq me teper kur kryeministri preferoi ta adresoje ceshtjen vetem te Drejtesia. Zoterine edhe pas nje kerkese per arrest dhe procedim e garanton ne pafajesine e tij prezumimi i pafajesise deri sa te jepet vendimi i gjykates.

Nga ana tjeter na thoni ju atehere se cili eshte Pazari i Sajmir Tahirit qe detyroi nje qeveri dhe parti ta mbroje sot kur dje e braktisi? 

Ja qe ne thelbin e tyre ngjajne. Edhe pse nuk kam pse te spekulloj me metrat tuaj e te hamendesoj se Tahiri qendron ne kembe se ndoshta dikush me lart se ai ka frike mos i "iken koka". 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.