Të flasësh për miqësi në Ballkan është përherë e parakoshme. Për vëllazëri, e jashtëkohshme...*

Postuar në 25 Shkurt, 2017 01:23
Qerim Lita

Disa momente nga Konferenca e rinisë komuniste të Ballkanit

Në fillim të janarit 1945 pozita e shqiptarëve në trevat verilindore shqiptare sa vinte e përkeqësohej. Njësitë pushtuese ushtarake jugosllave, përkatësisht ato maqedonase, krahas vrasjeve e masakrave masive të kryera gjatë periudhës nëntor-dhjetor 1944, me urdhër të Shtabit Kryesor të LNÇM-së, e arrestuan tërë popullsinë mashkullore nga mosha 16-50 vjeç, të cilët i vendosën nëpër kampet e përqendrimit, si në Kërçovë, në Gostivar, në monopolin e duhanit në Tetovë, në kampin e përqendrimit midis fshatrave Vaksincë e Llojan të Kumanovës etj. Përveç kësaj, thuajse për çdo ditë mbaheshin procese gjyqësore në të cilat dënoheshin me vdekje (pushkatim) me dhjetëra shqiptarë të pafajshëm.

Udhëheqja komuniste maqedonase në krye me Llazar Kolishevskin, krahas dhunës e terrorit, shqiptarëve ua mohoi edhe ato të drejta të pakta qytetare e kombëtare, që u ishin “garantuar” me vendimet e ASNOM-it, siç ishin: përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, pjesëmarrja proporcionale në këshillat popullore, përdorimi i gjuhës shqipe dhe përfshirja e barabartë e shqiptarëve në administratën e komunave ku ata jetonin etj. Mosdhënien e këtyre të drejtave, autoritetet komuniste të Shkupit e arsyetonin gjoja nga “pakënaqësia e popullsisë maqedonase në viset perëndimore të Maqedonisë”, e cila siç vihej në pah: “qe dyfish e robëruar gjatë okupacionit shqiptar”, andaj ajo: “me një rezervë të madhe i pranon këto ndryshime dhe ndjehet si e distancuar.” Ky rezervim i popullsisë maqedonase, sipas anëtarit të ASNOM-it, Jordan Bllazheski, kishte ardhur për shkak se: “Nëpër objektet shtetërore, krahas flamurit shtetëror, qëndrojnë edhe flamujt shqiptarë; shqiptarët në mënyrë të barabartë marrin pjesë gjatë zgjedhjeve të këshillave nacionalçlirimtare, qofshin të qyteteve ose të fshatrave; ata e parashtrojnë çështjen që në plenum dhe nëpër këshillat ekzekutive të kenë më shumë përfaqësues të tyre; e shtrojnë çështjen edhe të vetë administratës, e cila duhet të udhëhiqet paralel me administratën tonë, prandaj kërkojnë edhe numër të njëjtë të nëpunësve në administratë; nëpër institucionet shtetërore në detyrë kanë ngelë të gjithë nëpunësit shqiptarë të regjimit të kaluar, të cilët kanë ardhur nga Shqipëria e vjetër..etj”. Sipas Bllazheskit, që të ndërpritet politika, siç e potencon ai, “shqiptaro-madhe”, në këtë pjesë, nga ana e Prezidiumit të ASNOM-it, duhet të ndërmerren masa urgjente, si: “të shkarkohen nëpunësit shqiptarë të cilët kanë ardhur nga Tirana; që turqve t’u jepen më shumë poste dhe të drejta, të cilët tash për tash nuk mund të vijnë në shprehje nga shqiptaro-mëdhenjtë; dhe, njëkohësisht të drejtat dhe detyrimet të jepen jo sipas numrit të popullsisë, por sipas pjesëmarrjes në luftën nacionalçlirimtare”.

Në rrethana të tilla, më 15-16 janar 1945 në Shkup u mbajt Konferenca e Rinisë Komuniste Ballkanike, në të cilën mori pjesë edhe delegacioni i Rinisë Komuniste Shqiptare, i udhëhequr nga Niko Opari dhe anëtarja e Byrosë Politike të PKSH-së, Liri Belishova. Kryetari i Lidhjes së Rinisë Komuniste Jugosllave, Sllavko Komar, në fjalën përshëndetëse shprehet: “Gjatë vitit të kaluar ne fuqishëm u nisëm kah rruga e përforcimit të vëllazërim-bashkimit e të unitetit midis popujve të Ballkanit. Së bashku me heronjtë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, së bashku me djemtë e popullit të vogël, por heroik, ne fuqishëm sulmuam si kundër okupatorit gjerman, ashtu edhe kundër ballistëve shqiptaro-mëdhenj. Me luftimet e përbashkëta si në Dibër, po ashtu edhe në Kërçovë, ne e përziem gjakun tonë dhe eshtrat tona dhe futëm themelet e betonuara. Përgjithmonë i shkelëm të gjitha mashtrimet e intrigat e urrejtjes që i bënin armiqtë tanë.”. Në vazhdim Komari shprehu habinë e tij për një “mbështetje aq të madhe të komunistëve shqiptarë”, sidomos “lëvizjes rinore”, duke pohuar: “Mendoj se ndodhi një rast i cili është tepër i rrallë, që dy popuj të cilët as për nga tradita, as për nga kultura e gjuha nuk kanë të përbashkët, që gjatë luftës trevjeçare e gjysmë të krijojnë një unitet aq të fortë. Rinia shqiptare në LNÇ në Shqipëri sot së bashku me rininë jugosllave i ndjekin fashistët gjermanë në krahinat perëndimore të vendit tonë. Ne e shohim që ndihmën që ua ofruam po e kthejnë në mënyrë konsekuente...”.

Në konferencë fjalë rasti mbajti edhe anëtarja e Byrosë Politike të PKSH-së, Liri Belishova, fjalimin e së cilës e pamë të arsyeshme ta botojmë në tërësi në këtë numër të Revistës mbarëkombëtare “SHENJA”:

***

Të dashur shokë e shoqe,

Mbledhja e sotshme e mbajtur në këtë atmosferë të vëllazërim-bashkimit na tregon se ne, rinia e popujve të Ballkanit, pas tre vjet e gjysmë të luftës së saj nacionalçlirimtare, erdhëm në shkallën që ta zhdukim Ballkanin e vjetër, Ballkanin e intrigave e të krijojmë një Ballkan të ri, të vëllazërim-bashkimit. Sot edhe më shumë se sa në vetë luftën vërehet nevoja për përforcimin e vëllazërim-bashkimin të popujve e të rinisë ballkanike. Ky bashkim duhet të zgjerohet mbi bazën e interesave popullore dhe mbi bazën e problemeve rinore të cilat paraqiten. Në të kaluarën Ballkani ishte Ballkan i ndarjes. Klika reaksionare, e cila i hapi dyert e agresorit fashist e të vetë fashizmit, u përpoqën t’i përdorin të gjitha mjetet, që si e si të na detyrojnë të luftojmë kundër njëri-tjetrit, që popujt e Ballkanit t’i fusin në luftë vëllavrasëse. Qëllimi i okupatorit ishte që popujt e Ballkanit të jenë të robëruar e gjithashtu edhe politika e shërbëtorëve të tij, tradhtarëve të kombeve të tyre, ishte që Ballkani të shfrytëzohet si mjet për luftimet e vendeve të tjera nga ana e fashizmit.

Sot Ballkani duhet të jetë Ballkan i ri, duhet të jetë i fuqishëm, që të mund të ngrihet e ndërtohet. Kjo nuk mund të bëhet pa një vëllazërim-bashkim midis popujve ballkanikë. Këtu dua të theksoj se ekziston një rrugë e vetme për përforcimin e vëllazërim-bashkimin të popujve ballkanikë dhe ajo rrugë është rruga e luftës nacionalçlirimtare.

Se ka një shembull të tillë, për të cilën duhet ta shohin popujt tjerë të Ballkanit, ky është shembulli me popujt e Jugosllavisë. /duatrokitje/. Jugosllavia, e cila i zgjodhi të gjitha problemet e veta nacionale dhe e cila ndihmon në luftërat e popujve tjerë të Ballkanit, e tregon rrugën e drejtë për drejtimin e përforcimit të vëllazërim-bashkimit. Bashkimi u përforcua dhe u bë i fuqishëm në luftën kundër okupatorit dhe kundër shërbëtorëve të tij, të cilët dëshironin të na ndajnë e të na shkëpusin. Ky sukses i madh u arrit me luftën e përgjakshme të përbashkët, pas viktimave e përpjekjeve të mëdha që popuj dhe rininë ballkanike ta orientojnë në luftërat kundër të gjitha atyre klikave reaksionare, të cilët duan të na përçajnë dhe t’i zhdukin frytet e kësaj lufte. Unë them se kjo është pikë e rëndësishme, në të cilën mund të përforcohet vëllazërim bashkimi ynë. Ne, rinia, këtë faktor mund ta kuptojmë shumë më përpara sesa pjesët tjera të popujve, për arsye se ne tashmë kemi vuajtur nga përçarjet e popujve. Rinia ballkanike me luftën e saj kontribuoi shumë për përforcimin e vëllazërim-bashkimin. Rinia e Shqipërisë, siç theksuat vetë ju, të një populli të vogël, dha shumë në këtë luftë dhe u përpoq, që ajo me luftën e saj, të ndihmojë në luftën e përbashkët të popujve tjerë të Ballkanit.

Tash dua të them diçka edhe për luftën e rinisë jugosllave. Rinia e Jugosllavisë, me luftën e punën e saj, i dha ndihmë të madhe, si morale, ashtu edhe materiale, rinisë së popujve tjerë të Ballkanit dhe me luftën e saj ua tregoi edhe rrugën e tyre. Duke e bashkuar unitetin e saj, rinia jugosllave u ndihmoi shumë popujve tjerë në Jugosllavi në zgjidhjen e problemeve të tyre. Sot ajo është një forcë e madhe dhe ajo do ta luajë rolin vendimtar në ndërtimin e Ballkanit të ri, siç luajti rol të rëndësishëm në luftën e popujve të Ballkanit. Për rininë tonë shqiptare nuk mund ta them këtë me dy fjali, sesa rëndësi pati lufta e rinisë jugosllave dhe sa na ndihmoi ajo që edhe ne të vijmë deri te këto ditë fitimtare që i kemi.

Ne gjatë tërë kohës kemi pasur lidhje të ngushta me rininë jugosllave dhe i kemi shfrytëzuar përvojat e saj, si në luftë, ashtu edhe në punë. Ne vëllazërimin me rininë e Jugosllavisë e kemi përforcuar në luftërat për Dibrën dhe në luftërat për krahinat tjera të Jugosllavisë. Ne jemi vëllazëruar nëpër burgje, edhe përkundër përpjekjeve të mëdha të armikut që të na përçajë, edhe përkundër provokimeve të mëdha për të na detyruar të luftojmë kundër njëri-tjetrit, të luftojmë kundër, ku dëshironin ta ngrenë ushtrinë tonë nacionalçlirimtare kundër ushtrisë nacionalçlirimtare të mareshalit Tito, edhe përkundër të gjitha atyre përpjekjeve, ne nuk u ngritëm kundër njëri-tjetrit, por simpatia dhe dashuria e rinisë shqiptare ndaj rinisë jugosllave është shumë e madhe.

Sot mund të them se kemi aq lidhje të mira me rininë jugosllave, siç nuk kemi me rininë e popujve të tjerë. Ne sot themi dhe jemi të bindur, se vetëm në atë drejtim mund të shkojmë përpara. Nga fjalimi i shokut Sllavko Komar, nga mikpritja gjatë tërë rrugëtimit tonë dhe nga pritja e jashtëzakonshme e juaja edhe në Kongresin e Dytë të Rinisë Antifashiste të Maqedonisë, ne shohim që ju më pajtoheni me tërë atë dhe se askush nuk do të mund të na ndalë nga kjo rrugë.

Si janë marrëdhëniet me rininë greke

Ne rininë greke e kemi parë nëpër malet tona, se si në mënyrë flijuese luftonte kundër agresorit fashist, se si flijoheshin për lirinë e tyre, se si marshonin kundër forcave armiqësore, vetëm e vetëm të shpëtonin nga okupatori fashist. Në luftën kundër fashizmit rinia e Greqisë dha shumë dëshmorë dhe kontribuoi shumë në luftën tonë të përbashkët. Sot rinia jonë, gjatë këtyre luftërave të përgjakshme, krijoi simpati të madhe ndaj popullit e rinisë greke dhe më shumë herë kemi luftuar së bashku, si kundër okupatorit gjerman, ashtu edhe kundër tradhtarëve nga radhët Zervasit. Gjithashtu, siç tha shoku para meje, ne duam që të realizohen dëshirat e popullit grek. Ne nuk kemi pasur lidhje të ngushta me rininë greke, por sot ne dëshirojmë t’i kemi, t’i realizojmë dhe sa më shumë t’i përforcojmë. Unë mendoj se nga marrëdhëniet e rinisë ballkanike varen shumë edhe marrëdhëniet e popujve të Ballkanit.

Për rininë bullgare

Përkundër asaj se ushtria fashiste e Fillovit e të klikës tjetër nuk erdhën në vendin tonë, ne sërish kemi qenë kundër tyre, për arsye se ata ishin fashistë dhe ushtarë të fashizmit (Liri Belishova fare nuk e përmend krimin dhe torturën e kryer të ushtrisë bullgare ndaj vendbanimeve shqiptare, të cilat u përfshinë në Zonën Pushtuese Bullgare, sidomos në Luginën e Preshevës e në Fushëgropën e Kumanovës, ku për shkak brutalitetit të paparë deri në atë kohë, në vitin 1942 mbi 5.000 shqiptarë qenë detyruar t’i lëshojnë vatrat e tyre, për t’u vendosur në Zonën Pushtuese Italiane, përkatësisht në pjesën e cila administrohej nga qeveria shqiptare – Q. L). Më 9 shtator 1944 u hap faza e re në historinë e popullit bullgar. Kjo lëvizje në Bullgari do të shkojë edhe më tutje dhe do të bëhet gjithnjë e më e fuqishme. Fakti se ushtria fashiste bullgare menjëherë është pastruar dhe se tash kemi armatë popullore bullgare, e cila lufton kundër agresorit fashist, tregon se populli bullgar edhe më tej do të shkojë në atë rrugë. Vëllazërimi që sot po ndërtohet midis popullit bullgar dhe atij jugosllav është një dëshmi shtesë kah vëllazërim-bashkimi në Ballkan. Për herë të parë ne u takuam me rininë bullgare këtu në Shkup dhe ne e shohim se sa është dëshira dhe entuziazmi i tyre për vazhdimin deri në përfundim të luftës kundër fashizmit deri në Berlin. Tash ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie sa më të mira e sa më të ngushta me ta.

Rinia dha shumë për përforcimin e vëllazërim-bashkimin të popujve, por tash duhet të japë edhe më shumë. Para së gjithash në luftën kundër fashizmit. Ne duhet ta zbatojmë një garë se kush do të dërgojë më tepër ushtarë për Berlin, për rinovimin dhe ngritjen e Ballkanit, sidomos për vendet që janë rrënuar. Këtu duhet nënvizuar se Jugosllavia, e cila pësoi më shumë gjatë rrjedhës së kësaj lufte, ajo dha 1.200.000 e më shumë dëshmorë dhe ne vetë e shohim se në çfarë pozite gjendet ajo. Ne, gjithashtu, e dimë se edhe vendet tjera janë të rrënuara, kanë vuajtur, gjithashtu edhe vendi ynë ka vuajtur dhe është rrënuar. Te ne është shfarosur bujqësia. Ka njerëz të cilët nuk kanë kulm mbi kokë. Gjithashtu edhe industria është rrënuar. Këtu, mendoj unë, më së shumti është dëmtuar Jugosllavia, më së shumti është rrënuar. Ne veç duhet t’u ndihmojmë atyre vendeve të cilat kanë pësuar më së shumti dhe unë këtu them se duam t’u ndihmojmë sa më shumë që është e mundur.

Edhe një problem, për të cilin duhet shikuar. Ky problem është i pastër rinor. Ky është problemi i lidhjeve tona kulturore e të tjera midis nesh.

Kjo konferencë është suksesi më i madh për përforcimin e vëllazërim-bashkimin e rinisë ballkanike dhe gjerësisht e hapë rrugën për afrimin e madh të rinisë së popujve ballkanikë.

Të rrojë vëllazërim bashkimi midis popujve ballkanikë!

Konsideroj se e kam të saktë vlerësimin dhe dëshirën e të të gjithë delegatëve, kur them të rrojë Armata e Kuqe, e cila më së shumti kontribuoi për luftën e sotshme”.

Marrë me shkurtime nga “Shenja”(http://shenja.tv/cfare-tha-liri-belishova-ne-konferencen-e-rinise-komuniste-te-ballkanit/)

*Titulli origjinal: Çfarë tha Liri Belishova në konferencën e rinisë komuniste të Ballkanit

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.