Drejtori që po ngatërron miletin me "interpretimet" origjinale të ligjit

Postuar në 26 Korrik, 2017 09:38

Nëse ka një drejtor administrate që më shumë se të sqarojë njerëzit, i ngatërron ky është Bledar Doracaj, freshisti që drejton Zyrën e Gjendjes Civile. Në një intervistë për gazetën “Panorama” zotëria në fjalë thotë se:

Ndryshimet e fundit ligjore për ligjin e Gjendjes Civile janë bërë në dhjetor të vitit të kaluar dhe kanë hyrë në fuqi më 27 janar të këtij viti, për periudhën 6-mujore amnisti. Edhe ligji i mëparshëm, pa ndryshime, parashikonte që, në rast se shtetasi brenda 30 ditësh nga momenti i ndryshimit të vendbanimit, nuk bën ndryshimin edhe në zyrën e gjendjes civile, ky shtetas penalizohej me masën administrative gjobë, prej 3 mijë lekësh të rinj. Me qenë se Shqipëria, Tirana, apo edhe qytetet e tjera, pra, gjithkund kishte një kaos, ne propozuam një periudhë 6-mujore amnistie. Pas kësaj periudhe, ne sanksionuam një masë administrative gjobë, e 3.3-fishuam, duke e bërë 10 mijë lekë të rinj. Vetëm këto ditët e fundit, në sportelet e gjendjes civile, është mbi 4 apo 5- fishuar numri i shtetasve që drejtohen aty dhe kërkojnë ndryshimin e vendbanimit, sipas vendbanimit real, jovirtual”.

Pra, ke ndryshuar vendbanimin dhe brenda 30 ditëve nuk e ke deklaruar merr gjobë. Dhe ky rregull është I përgjithshëm në ligj, nuk lidhet me amnistrinë. P.sh nëse dikush ndryshon vendbanimin në 1 shtator, ai ka kohë deri në30 shtator të deklarojë vendbanimin e ri, përndryshe gjobitet. Por nëse lexon drejtor Doracajn në përgjigjet e pyetjes së dytë mund të mendosh të kundërtën:

Në momentin që ti paraqitesh në zyrat e gjendjes civile për të ndryshuar vendbanimin, nëpunësi i gjendjes civile kur konstaton se ka kaluar afati i përcaktuar në ligj, pra përtej amnistisë, merr masën administrative, gjobë prej 10 mijë lekësh, për të bërë ndryshimin e vendbanimit”.

Me këtë përgjigje krijohet ideja e kundërt me atë që thuhet më sipër, pasi duket se Amnistia që pushon përkohësisht veprimin e sanksioneve, është në fakt një kufi mbi të cilin llogariten afatet e ndryshimit të vendbanimit. Kjo nuk ëshhtë e vërtetë dhe pavarësisht paaftësisë së Doracajt për të sqaruar, ajo nuk vlen ligjërisht. Amnistia rregullohej me një dispozitë kalimtare që bie më 28 korrik dhe afatet për ndryshim/deklarimin e vendbanimit llogariten njësoj si më parë, pra brenda 30 ditëshit. Zotëria lë të kuptohet të kundërtën pasi bën pjesë në shtetin e gjobave dhe të veprimit me aksion. Pa folur këtu se nuk përmenden detyrimet e Zyrës që ai drejton për të njoftuar me shkrim të punësuar apo studentë për vendbanimin, detyrë të cilën nuk e ka bërë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.