Fushata prek llumin!

Postuar në 12 Qershor, 2017 15:11

Fushata elektorale ka degraduar në atë që në fakt përfaqësoi në 4 vjet Koalicioni për Shqipërinë Europiane mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një raport interesash dhe banditizmi që u shit deri para pak javësh si busulla europiane e shqiptarëve. Fytyrën e vërtetë të një qeverie me dy kokë që u mbajt në këmbë për të zhvatur deri në fund secili pjesën e vet po e zbulojnë vetë protagonistët. Sot ishte rradha e Luan Ramës të fliste për “llumin” e  qeverisjes në një debat që ka si metaforë shushunjën.

Deklarata e Luan Ramës:

Ku janë shushunjat në këtë sistem dhe pse i ka lejuar shushunjat kryetari i Rilindjes dhe u kujtua sot në fundin e mandatit t’u flasë shqiptarëve për shushunjat. Cila pjesë e tepsisë së kryeministrit qenka pjesa e helmuar? Pjesa që ka drejtuar LSI-ja dhe pjesa që paska drejtuar zotëria e tij qenka pjesa e ëmbël? Natyrisht, ka edhe në sistemin e punonjësve që shërbejnë në hipoteka, njerëz që kanë shfaqur probleme me ligjin, njerëz të korruptuar, është e vërtetë. Ka edhe nga ata që ai e quan “policët gri”, njerëz që jo nuk meritojnë të përfaqësojnë punonjësin e shtetit në detyrë, por meritojnë të ndëshkohen ligjërisht.

Por më shumë se ata ka ca policë blu dhe ca drejtorë blu të këtyre policëve blu që janë identifikuar, janë ndëshkuar ligjërisht si bashkëpunëtorë, si bashkëpërgjegjës në kanabizimin e vendit, në krijimin e një harte të tërë të kultivimit të kanabisit në të gjithë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë dhe për këta nuk mbakërka përgjegjësi kryetari i Rilindjes? Apo meqenëse në sistemin e Ministrisë së Brendshme nuk ka qoftë edhe një përfaqësues të vetëm të propozuar apo rekomanduar nga LSI-ja, atje qenka ishulli i parajsës dhe ishulli i mrekullisë. Atje nuk paska shushunja. Shushunjat qenkan gjetiu.

Jo vetëm kaq, po në sistemin tatimor? Po në sistemin doganor? Ku doganierë të korruptuar dhe të inkriminuar i manipulojnë dhe i komandojnë skanerat për t’i mbyllur kur duhet të kalojnë tonelatat e drogës, kush mban përgjegjësi, z. kryetar i Rilindjes? Përse nuk u thoni shqiptarëve hapur, cila është përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë dhe lërini tentativat për të mashtruar, për të manipuluar dhe për të trafikuar opinionin vetëm e vetëm në funksion të pushtetit të tepsisë suaj dhe të timonit tuaj.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.