Epërsia e Ramës në negociata dhe fantazma e Krokodilit që rrëzon PD-në

Postuar në 03 Maj, 2017 23:54

Partia Demokratike për herë të parë në historinë e saj është përpara një basti të vështirë që  afekton jo vetëm të ardhmen e saj por edhe funksionalitetin demokratik të vendit. Përpjekja e fundit e Nishanit që duket e nxitur nga vetë PD nuk prodhoi rezultat për shkak të epërsisë që fitoi Rama pas dështimit të ofertës MeKalister dhe pozicionit refuzues të Bashës. 
Oferta e dy ndërmjetësuesve europianë për t'i lëshuar 4 ministra opozitës dhe detyruar qeverinë të bëjë ndryshime në kupolën drejtuese të policisë ishte një fitore jo e vogël në tavolinë për PD-në dhe një mundësi që palët të arrinin një marrëveshje, ndonëse jo ajo më e kënaqshmja. 


Më vonë PD kuptoi se nuk kishte vlerësuar aq sa duhet atë që kishte marrë dhe kërkoi ta riftonte përmes një tryeze me negociator Nishanin. Burime thanë për Respublica se Basha komunikoi gjatë në telefon pas përfundimit të takimit në presidencë për të informuar kreun e PPE-së, Joseph Daul se Rama ka lëvizur nga paketa MeKalister. 
Po të njëjtat burime thanë se përgjigja e Daul ishte e tillë që u kujtoi krerëve të PD-së negociatat e Krokodilit dhe i vuri para pyetjes nëse do ishte e gatshme PD të lëshonte më shumë nga zoti Rama. 


Këtij takimi iu referua indirekt edhe Rama pas takimit me ambasadorët, teksa zbuloi paketën e ofruar për opozitën në takimin në Presidencë. "Përpos të tjerave ofruam një rregullore se si duhet të shmanget administrata në fushatë, një kategori aktivitetesh që nuk duhet të shfrytëzohet pjesmarrja e administratës. Ritheksoj, unë nuk kam takim tjetër, jam i gatshëm për një takim tjetër. Është mekanizëm i tëri që propozohet, por që në asnjë ëndërr më të bukur kur ishte Saliu kryeministër.”-theksoi Rama. 
Dështimi dhe i tryezës së Nishanit  mesa duket rrëzoi çdo shpresë për kompromis, ndonëse oferta e kryeministrit mbetet në tavolinë. Ai tha pas një takimi me deputetët socialistë se i ofronte PD-së një Task Force monitoruese për zgjedhjet që me gjasë do të drejtohej nga një zv/ kryeministër i PD-së, por edhe kjo ofertë u refuzua. "Unë kam propozuar atë që besoj se adreson problemet objektive. Pra një monitorim si asnjëherë më parë i të gjitha strukturave të shtetit. Të Policisë së Shtetit, të burgjeve dhe të institucioneve arsimore dhe njëkohësisht një rregullore te dakordësuar për mënyrën se si duhet të shmanget përdorimi i aseteve shtetërore në fushatë dhe qoftë edhe një kategori aktivitetesh qeveritare të mos përdoren për fushatë. ”- deklaroi Rama. 
Basha reagoi në mbrëmje me të njëjtën retorikë për qeveri teknike dhe moslejim të zgjedhjeve duke nisur nga e diela në Kavajë, ccka tregon se vendi po shkon drejt skenarit më të keq pa opozitën në zgjedhje. "Unë shkova me zotimin që u kishim bërë ndërkombëtarëve, se PD nuk do të linte asnjë mundësi pa eksploruar për një marrëveshje politike, me kushtin e vetëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shanset për një kompromis po zëvendësohen dita ditës nga shanset e një republike të re që do të vijë për të gjithë shqiptarët. Të dielën në orën 11 do të jemi në Kavajë, për të çliruar Kavajën nga krimi, droga, pasiguria e poshtërimi”- ka shtuar kreu i PD, në funksion të skenarit më radikal që do të vërë përballë qeverinë me opozitën e dalë në rrugë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.