Pretendimi për minoritet bullgar mbërrin në PE

Postuar në 09 Shkurt, 2017 11:35

Zëra të ndryshëm në Bullgari pretendojnë se në Shqipëri ka një minoritet bullgar. Kjo rrëfenjë ka vite që tirret në këtë vend, për qëllime që nuk është vështirë të kuptohen. Së pari historia merret këtu si një indeks demografik dhe publikohen shifra. Vite më parë në mediat shqip u publikuan disa deklarata të ish-drejtorit të Muzeut të Sofjes, sipas të cilit në Shqipëri mund të ketë edhe 1.5 milionë bullgarë, mbetur këtu nga koha e Car Samuelit në kohën e perandorisë bullgare.

Një arsye tjetër, që është edhe më kryesorja, është projekti i kahershëm bullgar i ndarjes së Maqedonisë dhe në këtë kuadër shpikja e një minoriteti është një politikë preventive ndaj Shqipërisë që shihet si një ndër përfituesit e ndarjes eventuale të fqinjit tonë lindor. Në fakt për të ardhur deri në Shqipëri bullgarëve u duhet të kalojnë nga Maqedonia, sllavët e së cilës(shumica) nuk pranojnë se janë bullgarë, por pasardhës të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë.

Së fundmi nismës i është shtuar edhe një angazhim politik në Parlamentin Europian, ku Andrey Kovachev, anëtar i PPE-së këmbëngul se në Shqipëri ka 50 mijë – 100 mijë bullgarë etnikë në kufijtë lindorë. Nuk është e panjohur edhe loja e zhvilluar me dhënien e nënshtetësisë që të hap rrugën drejt  BE-së, meqë Bullgaria është anëtare e unionit. Çështja është përfshirë në një rezolutë që do të diskutohet më 14 shkurt, që sipas rrjetit BIRN, nuk është komentuar në Shqipëri as nga qeveria dhe as nga opozita.

Por në Bullgari ecet më tej me përpunimin e varianteve demografike të Shqipërisë, të cilët i atashohen analizave strategjike. Kështu në një intervistë për Radio Focus, ish-kreu I shërbimit sekret bullgar, Kircho Kirov, deklaron madje se në Shqipëri ka edhe një minoritet turk. Diçka që është provokim i pastër, sa kohë që vendi ynë ka zhvilluar regjistrime popullsie dhe asgjëkundi nuk është evidentuar një entitet i këtillë. Sipas këtij ish-zyrtari problemet kryesore në Ballkan së fundmi prodhohen nga ekspansioni politik i shqiptarëve, që paradoksalisht gjendet jashtë BE-së, ndërkohë që pjesa lindore e Ballkanit është anëtar i unionit.

http://www.focus-fen.net/opinion/2017/01/18/4618/bulgarian-expert-general-kircho-kirov-balkans-to-continue-to-be-a-powder-keg-and-the-geopolitical-changes-will-be-projected-on-them.html

Përgjigja më e mirë ndaj këtyre lloj politikash është regjistrimi i popullsisë, zbatimi i të drejtave dhe reciprociteti, sa kohë që p.sh është fakt se njohja e minoritetit serb deri në Libofshë me hapjen e një shkolle është një ndër ato shaka politike që nuk hahet fare dhe pa ndonjë vlerë të vërtetë për jetën e komunitetit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.