Grupi Shtetëror i Punës nuk gjen dot shkaqet e lëkundjeve në Zharrës

Postuar në 08 Shkurt, 2017 20:20

Në hijen e skandalit me ambasadorin amerikan Donald Lu dhe ndërhyrjet e tij për pushimin e hetimeve ndaj kompanisë Bankers, Grupi i Punës i ngritur me urdhër të kryeministrit Rama ka dalë me një raport "të bardhë" mbi lëkundjet në fshatin Zharrës. Ndonëse duhet të zbardhte shkaqet e lëkundjeve, grupi shtetëror nuk ka dalë në asnjë konkluzion, por i kërkon Ministrisë së Energjisë "të angazhojë, në përputhje me parashikimet në Marrëveshjen Hidrokarbure dhe Liçencë Marrëveshjen për shfrytëzimin e vendburimit të Patos-Marinzes nga Bankers Petroleum, një ekspert teknik ndërkombëtar të pavarur për të përcaktuar në mënyrë objektive dhe asnjanëse shkakun e lëkundjeve, por edhe për të propozuar zgjidhjen më optimale për teknologjinë e trajtimit te ujit dhe mbetjeve teknologjike që shoqërojnë nxjerrjen e naftës nga nëntoka, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare".

Ndoshta nuk vlen shumë si analogji, por zgjidhja e shkurtër me ekspertë të huaj na kujton rastin e aksidentit të Kosta Trebickës dhe ekspertit të huaj amerikan që pak a shumë i vuri kapak historisë.

Po ashtu kompanisë i kërkohet të  merren  masa riparuese të nëntokës dhe mbitokës, sipas standardeve ndërkombëtare, në mënyrë që të shmangen në të ardhmen pasojat negative për komunitetin, ndersa terheqe vemendjen nje paragraf në raport ku thuhet se "Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në bashkëpunim me Prefektin e Qarkut dhe  bashkinë Patos duhet të marrin masa të menjëhershme për sistemimin e përkohshëm të banorëve dhe riparimin e shtëpive me dëmtime të rënda". Kjo deri sa të konkludohet me pranim nga të dy palët, Qeveria dhe Bankers, përgjegjësia për shkaktimin e lëkundjeve sizmike, ose të disponohet një vendim i formës së prerë nga një palë e tretë e pranuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes apo nga arbitrazhi për këtë çështje.

Raporti vjen pak ditë pasi Banorët e fshatit Zharrëz në Fier kanë rifilluar sërish grevën e urisë kundër kompanisë Bankers Petrolium.Vlen të theksohet se hetimet për këtë çështje janë mbyllur nga Prokuroria e Fierit, me një vendim që siç tha kryeprokurori Llalla erdhi pas presioneve të një natyre si ajo që ambasadori amerikan Donald Lu ushtroi në zyrën e tij.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.