Arsyeja e humbjes së Klintonit: Pensilvenia dhe Uinskonsin

Postuar në 10 Nëntor, 2016 19:44
Eduard Zaloshnja

Në rang kombëtar, Klintoni mori rreth 300 mijë vota më shumë se Trampi, por mori rreth 100 mijë vota më pak se ai në Pensilvenia dhe Uinskonsin – dy shtete që vulosën humbjen e Klintonit. Në këta shtete, Klintoni pritej e duhej të fitonte patjetër, sepse janë shtete ku kandidatët demokratë presidencialë kanë fituar vazhdimisht gjatë çerek shekullit të fundit – me një epërsi 5-10 pikë. Këta shtete ishin të rëndësishëm për Klintonin sepse dërgojnë 30 delegatë në kolegjin elektoral – pa ata 30 delegatë, Trampi mund mos ta arrinte dot numrin magjik të 270 votave në kolegjin elektoral.

Në çerek shekullin e fundit, vemendja ka qenë vazhdimisht e përqendruar te Florida, Ohajo dhe Karolina e Veriut, sepse ato herë kanë votuar për republikanët, e herë për demokratët (kësaj here votuan për kandidatin republikan). Ndërsa Pensilvenia dhe Uinskonsi konsideroheshin në të shkuarën të sigurta për demokratët, që pa filluar numërimi i votave.

Po ç’ndodhi kësaj here me këta dy shtete?

Shtresa punëtore e bardhë e këtyre shteteve e ka pësuar nga transferimi i prodhimit industrial drejt vendeve si Meksika, Kina, etj, ku kostoja e punës eshte e ulet. Dhe Trampi, me premtimin e tij për rikthimin e prodhimit industrial në SHBA, fitoi simpatinë e kësaj shtrese, që anonte më parë rregullisht nga demokratët.

Në zgjedhjet e së martës, Trampi pati një epërsi prej 30 pikësh tek të bardhët pa arsim të lartë të këtyre dy shteteve. Në të shkuarën, demokratët kishin vazhdimisht një epërsi prej 6-8 pikësh tek kjo shtresë.

Shënim: Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në Miçigan, por numërimi i votave atje nuk ka përfunduar ende. Klintoni udhëheq me 0.1% (kur janë numëruar 95% të votave), por edhe nëse ajo del fituese në këtë shtet në fund të numërimit, Trampi i ka siguruar tashmë 290 vota në kolegjin elektoral (nga 270 që i duhen). 

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Me siguri nuk ka rene shi ne Wisconsin dhe Pennsylvania keto kohe e prandaj jane te merzitur nga papunesia njerezit...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.