“Fjala “Zonjë” e huaj dhe e papërshtatshme për mua”

Postuar në 24 Gusht, 2016 17:32

Sot gazeta “Dita” i ka marrë një intervistë Vito Kapos, bashkëshorte e Hysni Kapos, njeriu i Enver Hoxhës në Partinë e Punës. Gazeta e quan intervistën “rrëfim”, ndonëse Kapo, njësoj si Ramiz Alia para saj, nuk ka ndonjë version të ri për ngjarjet politike, përpos versionit zyrtar që kemi lexuar në librat e kohës.

Kapo flet edhe për dekorimet e bëra nga Ministria e Mbrojtjes, duke cilësuar se “ato i meritojmë se luftuam”. Një pretendim për dëshmpërblim të përjetshëm moral nga një kastë njerëzish që u shpërblyen me pushtet të pakufishëm. “Një dekoratë e meriton edhe Enver Hoxha me Nexhmije Hoxhën, pasi edhe ata luftuan”, thotë më tej Vito Kapo. Në logjikën e dekorimeve për luftën në fakt ngjan krejt paradoksale që Enver Hoxha të mos dekorohet, i cili me këtë përjashtim total që i bëhet, thjesht sa ka shërbyer që Vito Kapo e të tjerët që kanë mbushur radhonj të pafundëm me dossierin gazetaresk, të duken më njerëzorë. Dhe Kapo këtë e pretendon deri në fund, duke kërkuar që statusi i saj i dikurshëm të jetë po ai: ajo është jo zonja Kapo, por shoqja Kapo.

Në fakt nuk kemi qenë ndonjë familje shumë e pasur. Kemi qenë familje e mesme. Por, prapë, kur më thonë “zonjë” nuk ndihem mirë. Se si më duket kjo fjala zonjë. E huaj dhe e papërshtatshme për mua. Më pëlqen më shumë kur më drejtohen “shoqe”. Unë dhe brezi im i luftëtarëve antifashistë kemi qenë idealistë dhe luftuam jo për zotërinjtë, po për të varfrit”, shprehet Kapo.

Lexon këtë paragraf e të kujtohet sesa të drejtë kishte Donald Lu kur na krahasoi me delet. Sepse vërtet që shoqes Kapo i duket e huaj kjo fjalë, apo të paktën ashtu thotë, por ajo dhe takëmi politik i saj nuk hoqën për asnjë çast dorë nga privilegjet e Bllokut, prej nga ky nisnin themelet e asaj hierarkie social-politike feudale që mban peng edhe sot Shqipërinë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.