Eqrem Çabej dhe albanologjia sot

Postuar në 10 Gusht, 2016 12:15
Nelson R. Çabej

Kur kthejmë sytë prapa në rrugën 5-6-shekullore të zhvillimit të albanologjisë, vepra e Eqrem Çabejt (1908-1980) na del para si Tomor i lartë, në peizazhin e gjerë e të larmë të kulturës shqiptare. Përmasat e jashtëzakonshme dhe shumanshmëria e veprës së tij, e bëjnë të pamundur rrokjen dhe paraqitjen e përshtatshme të saj në një shkrim të shkurtër si ky, dhe autori këtu i ka vënë vetes një qëllim shumë më modest.

Formimi i shkencëtarit

Eqrem Çabej ishte bir i një familje të kulturuar e atdhetare, i një “dere të parë” gjirokastrite. Arsimin fillor e kreu në Gjirokastër, por falë vetive të tij personale, ai fitoi një bursë të Bashkisë së qytetit për të vazhduar për 12 vjet studimet në Austri: në St. Pölten (në familjen Rienmüller) tetëvjeçaren, në Klagenfurt gjimnazin dhe në Grac e Vjenë studimet e larta. Pas mbarimit të studimeve dhe mbrojtjes së tezës së doktoratës me “Studime Italo-Shqiptare (Italo-albanische Studien), ai kthehet në Atdhe.

Te studiuesi i ri u harmonizuan disiplina dhe serioziteti në punë, logjika e fortë, përpikëria dhe ‘fanatizmi’ në kërkimin e së vërtetës me edukimin e tij intensiv në Austri e sidomos në Universitetin e Vjenës, që në atë kohë ishte qendra botërore e studimeve albanologjike, ku punonin dhe ligjëronin autoritete nga më të shquarat të gjuhësisë indoeuropiane, arkeologjisë dhe historisë. Djaloshi gjirokastrit pati fatin të ishte student i albanologut më të madh të kohës, Norbert Joklit, dhe të kishte udhëheqës teme një nga helenistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, Paul Kretschmer-in, dy mbështetës dhe zëdhënës të mëdhenj të teorisë së prejardhjes ilire të shqiptarëve.

Ai kthehet në atdhe me dëshirë të madhe dhe besim për të ndihmuar edhe vetë në ndriçimin e historisë së gjuhës e kulturës sonë kombëtare. Ende në të njëzetat e jetës së tij, ai kreu disa punime serioze e udhëhapëse në fushën e folklorit, etnografisë, mitologjisë dhe historisë së letërsisë shqipe, që u botuan kryesisht në një numër revistash shkencore europiane. Ato punime u pritën me interes dhe u cituan gjerësisht, sidomos në literaturën historike e gjuhësore europiane të viteve 30 të shekullit të kaluar, nga autorë si Norbert Jokli, Carlo Tagliavini, Georg Stadtmüller, etj. Për t’u përmëndur janë artikujt Sitten und Gebräuche der Albaner (Tradita dhe doke të shqiptarëve) (1935); Rumänisch-albanische Lehnbeziehungen (Marrëdhënie huazimi rumuno-shqiptare) (1936); Albaner und Slaven in Suditalien (Shqiptarë dhe Sllavë në Italinë e jugut) (1938); Miszellen (Shkrime të ndryshme) (1938), në Revue Internationale des études balkaniques; Mundartliches aus Italien (Elemente dialektore nga Italia) (1936) në Glotta; Volkstum und Volksname der Albaner (Karakteri kombëtar dhe emri kombëtar i shqiptarëve) dhe Kult und Fortleben der Göttin Diana auf dem Balkan (Kulti dhe mbijetesa e perëndeshës Diana në Ballkan) (1941) në Leipziger Vierteljahrsschrift für Sudosteuropa; Der albanische Dichter Gjergj Fishta (1941) (Poeti shqiptar Gjergj Fishta) në Südost-Forschungen. Ai mori pjesë si bashkëpunëtor edhe në hartimin e Enciklopedisë Kroate (Hrvatska Enciklopedija) të botuar në vitin 1941. Me këto punime Çabej u bë zëri më i dëgjuar, në mos i vetmi, i shkencës shqiptare në Europë, qysh në vitet 30-të të shekullit të kaluar.

Në vështrimin e parë, këto punime të krijojnë përshtypjen se studiuesi i ri po kërkonte të gjente veten dhe fushën e tij të posaçme të studimit në të cilën do të bënte emër. Megjithatë, në prapavështrim, të gjitha ato jo vetëm ishin brenda fushës së gjerë të kërkimit albanologjik, por ishin një prelud dhe përgatitje për sulmin ballor që ai do të ndërmirrte më vonë për ndriçimin e historisë së gjuhës shqipe, etimologjisë dhe morfologjisë së saj e, më tej akoma, për prejardhjen ilire dhe vëndin e formimit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar. Ato punime janë pjesë e pandarë e truallit kërkimor mbi të cilin do të lartohej ngrehina e tij e papërsëritshme albanologjike.

Prurjet e në albanologji

Në vitin 1952 Çabeu nisi të mirrej me studimin e vëndit të formimit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, të cilave iu kthye në mënyrë të përsëritur si një problem madhor i historisë së shqiptarëve. Ato 3-4 punime që ai do të botonte lidhur me këtë temë gjatë viteve 50-60 janë gurë themeli të teorisë së sotme plotësisht shkencore të autoktonisë së shqiptarëve në trojet e tyre. Në këtë mënyrë, nga vitet 60 emri i Çabeut ishtë bërë sinonimi i autoktonisë së shqiptarëve. Paralelisht, gjatë viteve 50-të, ai punoi për probleme të drejtshkrimit dhe leksikografisë shqipe, duke përfshirë punën e tij në grupin e hartimit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe të vitit 1954.

Kësaj periudhe i takojnë, si bashkëautor me Aleksandër Xhuvanin, edhe veprat fundamentale për fjalëformimin e shqipes, Parashtesat e Gjuhës Shqipe (1956) dhe Prapashtesat e Gjuhës Shqipe (1962).

Pjesë e rëndësishme e punës së tij përgatitore për veprën madhore të etimologjisë së shqipes, që do të ndërmirrte më vonë Çabej, ishte dhe transkriptimi dhe transliterimi i Mesharit të Gjon Buzukut, që mund të konsiderohet si punimi më i rëndësishëm filologjik i tij, te cilin ai e përfundoi në vitin 1958, por, për shkak të rrethanave socio-politike të kohës, botimi i kësaj vepre të rëndësishme për gjuhësinë dhe kulturën shqiptare u vonua dhjete vjet, deri në vitin 1968. Botimi ishte pajisur me një hyrje dhe me një studim kritik, thellësisht shkencor për gjuhën dhe vlerat e librit dhe të autorit. Ky studim për historinë dhe dialektologjinë e shqipes, do t’i shërbente atij si pikë e shpeshtë referimi në përpjekjet për të rindërtuar format më të hershme të fjalëve shqip.

Në vitin 1960 ai fillon botimin e një serie të gjatë artikujsh në Buletini i Universitetit Shteteror të Tiranës (Seria Shkencat Shoqërore), të cilët dolën edhe në dy vëllimet e para të veprës së tij 6-vëllimshe Studime Gjuhësore, botuar në Prishtinë në vitin 1976.

Çabej hyri në studimin e historisë së gjuhës shqipe në një kohë kur ishte përcaktuar përfundimisht se gjuha shqipe ishte pjestare e familjes së madhe të gjuhëve indo-europiane, por ende mbeteshin probleme themelore dhe komplekse për të zgjidhur, të tilla si:

– Saktësimi i fondit themelor të trashëguar indo-europian të shqipes dhe raporti i tij me huazimet nga gjuhët e huaja, latinisht, turqisht, sllavisht e greqisht.
– Prejardhja e gjuhës shqipe dhe, lidhur me të, lidhja e shqipes me ilirishten dhe trako-dakishten.
– Koha e formimit të dy dialekteve të mëdha të shqipes.
– Vëndi i formimit të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar.
– Kontributi i ilirishtes në gjuhët latine dhe greke.
Në të gjitha këto drejtime ai dha kontributete e tij të shënuara dhe, në shumë raste, vendimtare.

Hetimet e tij, shumë herë shteruese të prejardhjes së fjalëve të shqipes, lidhjet leksikale të shqipes me gjuhët balte, kelte, gjermanike dhe sllave nga njera anë, dhe konkordancat me greqishten dhe armenishten nga ana tjetër, e shpunë atë te ideja e evolucionit të parashqipes në rrugën e mërgimit të fiseve indo-europiane parailire nga Europa veriore drejt trojeve të sotme shqipfolëse ku u formua etnosi ilir dikur nga epoka e bronzit.

Në kushtet e heshtjes relative të njoftimeve për shqiptarët në burimet e Mesjetës së hershme, të dhënat historiko-gjuhësore mirrnin një rëndësi që nuk mund të mbivlerësohet, sepse gjuha e një populli përfaqëson dokumentin më të vjetër të historisë së tij. Çabej, si askush para tij, shfrytëzoi njohuritë e tij të thella historiko-gjuhësore për sqarimin e prejardhjes së shqiptarëve dhe të vëndit të formimit të popullit shqiptar.

Pasi botoi në vitin 1958 artikullin Problemi i autoktonisë së shqiptarëvet në dritën e emravet të vëndeve, ai i rikthehet kësaj çështje me punimin tanimë klasik Die älteren Wohnsitze der Albaner auf der Balkanhalbinsel im Lichte der Sprache und der Ortsnamen (Vëndbanimi i lashtë i shqiptarëve në siujdhesën ballkanike në dritën e gjuhës dhe emrave të vëndeve) paraqitur në kongresin VII ndërkombëtar të shkencave onomastike në Firence në 1961, për të dalë rishtas në vitin 1970 me punimin L’illyrien et l’albanais (Ilirishtja dhe shqipja) e një vit më vonë me Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe.

Mbeten klasike kundërargumentet me të cilat ai rëzoi pikëpamjet e gjuhëtarëve të mëdhenj si Gustav Weigand-i dhe pasuesve të tij si Vladimir Georgievi, sipas të cilëve evolucioni i emrave të vëndeve të tilla si Shkumbini, Shkodra, Durrësi, etj. tregonin se shqiptarët mund t’i kenë marrë emra ato përmes një popullsie joshqiptare që mund të ketë banuar më parë në Shqipëri.

Çabeu theksonte fort faktin që shqiptarët jetojnë në trojet e lashta ilire dhe në historinë e këtyre trojeve nuk ka asnjë të dhënë, jo vetëm të drejtpërdrejtë, por as tërthore, për një imigrim të tyre në këto troje dhe, në këto rrethana, argumentonte ai, “barra e provës” (burden of proof ose Beweislast) bie mbi kundërshtarët e autoktonisë, që duhet të provojnë se shqiptarët mund të kenë ardhur nga diku tjetër. Me këtë, sipas gjuhëtarit të madh kroat Radoslav Katičić, “Z. Çabej…i ka dhënë një bazë metodologjike të shëndoshë çdo diskutimi mbi prejardhjen e gjuhës shqipe.” [Katičić, R. (1974). Antroponimia ilire dhe etnogjeneza e shqiptareve. Kuvendi i Studimeve Ilire Tiranë, f. 96].

Studimet e tij argumentojnë dhe provojnë, në mënyra dhe nga aspekte të ndryshme, pikëpamjen se territoret e sotme shqipfolëse përfaqësojnë një trevë rudhjeje (restriksioni), si pasojë e romanizimit, migrimit të popullsive të huaja, por edhe për shkak të asaj luftës për dominim fetar e politik midis botës romano-perëndimore dhe asaj greko-bizantine.

Eqrem Çabeut i takon merita e madhe e plotësimit të zbraztisë që kishte lënë mungesa e shqipes në studimet e linguistikës ballkanike. Më shumë se kushdo tjetër, ai bëri të njohur rolin dhënës të shqipes në ato gjuhë.

Me gjithë intensivitetin e lartë të punës në fushën e etimologjisë së shqipes, në dy dhjetëvjeçarët e fundit të jetës ai vazhdoi të kontribuonte ndjeshëm në problemet aktuale të zhvillimit normativ të shqipes, të drejtshkrimit e standardizimit të gjuhës shqipe si dhe në leksikografinë shqipe, duke përfshirë pjesëmarrjen në hartimin e një numri të madh fjalorësh shumëgjuhësh të terminologjisë shkencore shqipe.

Por, pa dyshim, kryevepra dhe opus vitae e tij është seria 7-vëllimshe Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes, kurorëzimi i punës së tij gjithëjetësore në fushën e historisë së fjalës e gjuhës shqipe. Nga niveli, vëllimi dhe rëndësia shkencore ajo përfaqëson korpusin më të madh e më të rëndësishëm që është krijuar deri sot në historinë 3-shekullore të shkencave albanologjike.

Kontributet e Çabeut u shtrinë në të gjitha fushat e albanologjisë (gjuhësi shqipe, etnografi, mitologji e folklor shqiptar, histori e Shqipërisë dhe letërsisë shqipe, etj.) e madje edhe përtej fushave të shkencave shoqërore. Njohuritë e tij ishin të gjithanëshme. Kur them këtë mua më vete menjëherë mëndja te një bisedë që kam pasur me të nga fillimi i viteve 60 të shekullit të kaluar, kur unë sapo isha diplomuar dhe kisha rënë në kontakt me gjenetikën si shkencë (që ishte ende në ”ilegalitet” në Shqipëri) nëpërmjet një teksti plotësues për pedagogët e biologjisë të shkollave të mesme gjermano-lindore. Kur unë isha duke i treguar i entusiazmuar për ligjet e trashëgimisë të Mendelit dhe nuk po gjeja dot termin shqip për ligjin e dytë të Mendelit, ai më plotësoi duke më pyetur me modestinë karakteristike se mos e kisha fjalën për Spaltungsgesetz (ligjin e veçimit), duke me lënë të shtangur me njohurinë e tij në një fushë aq të largët nga gjuhësia dhe albanologjia.

Mjeshtri i metodës

Në punën e tij për etimologjinë e fjalëve shqip dhe rindërtimin e formave të mëparëshme të tyre, Çabej zbatoi jo vetëm metodën e krahasimit me kognatet (fjalët e ngjshme dhe me prejardhje të përbashkët) me gjuhët e tjera indoeuropeane. Ai e plotësonte këtë me metodën e rindërtimit të brëndshëm, nëpërmjet krahasimit të formave të ndryshme brënda shqipes. Ai nuk besonte në ligjet e pandryshueshme të evolucionit të fjalëve të gramatikanëve të rinj (Junggrammatiker), por theksonte se ekzistojnë vetëm regulla të evolucionit të tyre, që kanë edhe përjashtime. Kjo dukej sidomos në ekzistencën e varianteve dialektore të fjalës dhe ai ishte i pari që zbatoi rigorozisht metodën e kërkimit të evolucionit në hapësirë të fjalëve të shqipes.

Ndryshe nga shumë gjuhëtarë të mëparshëm, ai udhëhiqej nga parimi se në fillim duhej të hetohej në se fjala mund të shpjegohej brënda shqipes e me mjetet e saj. Vetëm kur të provohej se kjo nuk të shpie në burimin e saj, të shikohej në se ajo mund të ishte huazuar nga gjuhë të tjera fqinje, latine, sllave, greke, turke, etj. Dhe nëqoftëse një fjalë mund të shpjegohej po aq mirë edhe si fjalë e trashëguar e shqipes edhe si huazim nga një gjuhë tjetër, parimi shkencor i parsimonisë (përparësia e shpjegimit më të thjeshte dhe me më pak hamëndësime) na thotë se duhet parapëlqyer shpjegimi i parë, si një fjalë e trashëguar e shqipes.

Etimologjizimin e çdo fjale ai e niste me shqyrtimin kritik, skrupuloz dhe shpesh shterues të kërkimeve të mëparëshme të titanëve të indoeuropianistikës dhe albanologjisë, duke vënë në dukje meritat, dobësitë, dhe vlerën relative të tyre. Për të ndjekur evolucionin e fjalës shqipe në hapësirë e në kohë ai gjurmonte format dialektore brënda dhe jashtë trojeve të sotme shqipfolëse, deri në ngulimet mesjetare të shqiptarëve në Greqi, Itali, etj., si dhe veprat e autorëve shqiptarë nga Buzuku e këtej. Vetëm pas shqyrtimit të punës së gjuhëtarëve të mëparshëm, burimeve të literaturës së shkruar dhe gojore shqipe, të dhënave dialektore dhe të folmeve të krahinave të ndryshme shqiptare dhe të ngulimeve shqiptare jashtë trojeve etnike shqiptare, ai formonte mendimin e tij të matur e të peshuar mirë, duke rindërtuar format para- e protoshqiptare për të arritur deri në rrënjët indo-europiane të tyre.

Ai theksonte me forcë nevojën e një qëndrimi objektiv në studimet etimologjike, për t’i dhënë shqipes vetëm atë që i takon, kërkonte të dallohen mirë fjalët e trashëguara nga huazimet ose, siç shprehej ai, “të ndahet mirë grurët nga egjra”. Me përkushtimin e tij proverbial në kërkim të së vërtetës shkencore, ai nuk nguroi asnjëherë t’i kthejë mbrapsht si huazime nga gjuhë të tjera edhe fjalë që studiues të huaj i kishin njohur si fjalë të fondit të trashëguar të shqipes. Kështu, në faqen 45 të vëllimit I të Studimeve Etimologjike në Fushë të Shqipes (Tiranë, 1982) ai na tregon qartë moton që përshkon fund e krye veprimtarine e tij shkencore: “Në dallim parimor nga disa të tjera rryma linguistike jemi larg nga synimi për t’i veshur fondit të trashëguar … për të shtuar me çdo kusht përqindjen e elementit të trashëguar të leksikut; kështu edhe për disa fjalë që i kanë marrë më parë për të vendit kemi treguar burimin e huaj”.

Me etikë të lartë në shkencë e në jetë

Çabej mbetet shëmbulli i përsosur i intelektualit dinjitoz e të pakomprometueshem, që në krijimtarinë e tij nuk bëri lëshime metodike ndaj trysnisë ideologjike, edhe kur kjo bënte të pamundur botimin e veprës së tij. Me këmbënguljen e tij ai citoi dhe vlerësoi punën e figurave ”armiqësore” si Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, etj. Qëndrime të tilla të papërkulura e vunë atë shpesh në konflikt me autoritetet administrativo-shkencore, duke i krijuar situata të vështira dhe të rezikshme, deri në akuza publike për pikëpamje dhe qëndrime antisocialiste. Të gjitha ato ai i përballoi me dinjitet dhe krenari. Ai është, mbase, i vetmi intelektual shqiptar që në veprën e tij e madje edhe në artikujt publicistikë që i kërkonin të shkruante, përfshirë edhe fjalën e tij me rastin e themelimit të Akademisë së Shkencave, i ka lejuar vetes luksin të përjashtonte sloganet e pashmangshme të lavdeve për “kujdesin e Partisë dhe të shokut Enver” etj. Dhe e gjitha kjo nuk ka qënë pa kosto për të.

I matur në shkencë, po ashtu si dhe në jetë, ai edhe pasi jipte argumentat shtrënguese për të mbështetur pikëpamjen e tij, linte hapët mundësinë e një interpretimi alternativ.

Ai u shqua edhe për kujdesin e madh që tregonte për përgatitjen e brezit të ri të studiuesve në fushën e albanologjisë, për çdo të ri që tregonte prirje dhe talent në fushën e albanologjisë dhe shkencës në përgjithësi.

Ai mbetet modeli i njeriut që respektonte dhe hynte në bisedë e në diskutim në të njëjtën mënyrë e me të njëjtin respekt si me dijetarin dhe me njeriun me të thjeshtë, pavarësisht nga niveli i përgatitjes shkencore ose kulturore të përgjithshme të bashkëbiseduesit të tij.

Edhe në kushtet e ngurtësisë doktrinare të qëndrimeve dhe strukturave shtetërore dhe partiake të Shqipërisë në atë kohë, ai luajti një rol të pakrahasueshëm për liberalizimin e ambientit shkencor në Shqipëri, që vihet re jo vetëm në botimet e tij ne shtypin shkencor të huaj e shqiptar, në pjesëmarrjen e tij të shumë të suksesshme në veprimtari shkencore në Europën perëndimore dhe në letërkëmbimin e tij me autoritete të huaja shkencore, por edhe në vizitat e studiuesve të huaj, përfshirë ata që kishin pikëpamje të kundërta me të dhe me albanologjinë shqiptare, duke u krijuar atyre mundësinë për të shprehur publikisht brenda në Shqipëri pikëpamjet e tyre e për të debatuar me albanologët shqiptarë në simpoziumet dhe konferencat albanologjike të mbajtura në Tiranë në vitet 60-70-të.

Duke folur për ndikimin e tij në krijimin e një fryme njerëzore e tolerante në Institutin e Gjuhësisë, Th. Gjika tregon se sjellja dhe kultura e tij ndikonin në mentalitetin e gjithë punonjësve të atij instituti dhe “secili prej punonjësve mundohej të ishte sadopak më zotri, sadopak më Eqrem”.

Atdhetari i madh

Eqrem Çabej ishte një dijetar i madh idealist që ia kushtoi pasionin e lindur për shkencë dhe tematikën e studimeve jo thjesht prirjeve dhe interesave të tij shkencore por, në radhë të parë e mbi të gjitha, interesave të atdheut te tij. Fati i Shqipërisë, e ardhmja e saj, u bë ylli polar që përcaktoi dhe orientoi veprimtarinë shkencore gjysëmshekullore të Çabeut.

Me njohuritë që kishte në fushën e gjuhëve indoeuropiane, ai mund të ishte sot në radhën e indoeuropianistëve të shquar të botës. Këtë ka parasysh albanologu gjerman Wilfried Fiedler (2006), kur vë në dukje se “Njohuritë e Çabeut në fushën e gjuhëve indoeuropiane ishin të gjera dhe të thella, por megjithatë, ai i vuri ato plotësisht në shërbim të gjuhës së tij amtare” (Çabejs Kenntnisse auf dem Gebiet der idg. Sprachen waren umfassend, er stellte sie jedoch ganz in den Dienst an seiner Muttersprache) shkruan ai në Einführung in die Albanologie. Dhe, me syrin e një të huaji, gjuhëtari austriak Hermann Ölberg do të shprehej se është për të ardhur keq që Çabej nuk formoi një shkollë gjuhësore indo-europiane të vetën.

Çabej dhe shteti shqiptar pas luftës II botërore

Pas luftës së dytë botërore, situata socio-politike në Shqipëri, ishte tepër kërcënuese për gjuhëtarin tonë. Vrasja vëllait të tij nga fundi i luftës II botërore, për një kohë të gjatë, do të vazhdonte t’i qëndronte mbi krye atij si një shpatë Damokleu politike. Falë aftësive dhe meritave të tij të njohura, Çabej u pranua të punonte që nga fillimi në Institutin e Shkencave që u krijua në Tiranë menjëherë pas Luftës II Botërore, ndonëse nuk gjeti përkrahjen e merituar në punën e tij shkencore.

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se ndonëse në hierarkinë politike të kohës ai shikohej me mosbesim, nga fillimi i viteve 60-të, në punën e tij ai gjeti mbështetjen e shtetit shqiptar,. Për këtë kanë ndikuar dy faktorë të rëndësishëm.

Së pari, Çabej, që ishte bërë i njohur në rrethet shkencore europiane qysh në rininë e tij në vitet 30-të të shekullit XX, në këtë kohë ishte, pa dyshim, përfaqësuesi më i madh i shkencës shqiptare.

Së dyti, nga fillimi i viteve 60-të socializmi shqiptar, pas prishjes me Rusinë sovjetike mbeti i izoluar nga Lindja dhe Perëndimi, dhe kishte nevojë për një ideal me të madh se komunizmi, për një ideal që mund të tërhiqte dhe t’i bënte thirrje tërë popullit shqiptar, kishte nevojë për nacionalizmin shqiptar. Këtë ideal dhe vetëdije nacionaliste, të hedhur pas krahëve për 15 vjet të mbushur me propagandën e ”internacionalizmit proletar”, udhëheqja e kohës e shikonte si një ideologji ndihmëse të ideologjise socialiste.

Pikërisht në këtë periudhë Enver Hoxha, duke njohur vlerat e Çabeut si një aset i pazëvëndësueshëm i kulturës shqiptare dhe potencialin e tij të jashtëzakonshem në fushën e albanologjisë, bëri rehabilitimin e tij në mbledhjen e famshme me intelektualët e Universitetit Tiranës, duke e motivuar atë rehabilitim me shërbimet që i kishte bërë e mund t’i bënte ai atdheut me erudicionin the atdhetarine e tij të sprovuar gjatë luftës së dytë botërorë, kur, si rrallëkush, refuzoi zyrtarisht ofertat për të marrë pjesë në qeveritë kuislinge. Në atë mbledhje udhëheqësi komunist theksonte se edhe pse Çabej nuk ndoqi rrugën tonë, si atdhetar që ishte, nuk i ktheu thembrat Atdheut, siç bënë disa intelektualë të tjerë.

Pavarësisht nga kriteret politike të vlerësimit në kohën e sistemit në të cilin ai punoi pas luftës, personaliteti shkencor dhe moral i kolosit më të madh të shkencës shqiptare në shumë drejtime, iu imponua botës kulturore dhe shkencore të kohës. Nën ndikimin e atij personaliteti, simpoziumet dhe konferencat albanologjike të viteve 60-70-të u bënë forume ndërkombëtare të nivelit të europian për albanologjinë dhe balkanologjinë, me pjesëmarrjen e autoriteteve europiane, duke përfshirë edhe të atillë që kishin pikëpamje të kundërta (Giuliano Bonfante) ose pjesërisht të papajtueshme (Vitorio Pisani) me ato të Çabeut e të shkollës së tij të gjuhësisë. Kjo tolerancë e jashtëzakonshme në debatin shkencor, brënda sistemi totalitar të kohës, shpjegohet para së gjithash me autoritetin e tij të padiskutueshëm dhe me ndikimin që kishte ai mbi drejtuesit e Akademise së Shkencave, e madje dhe në instancat më të larta shtetërore dhe partiake, kur vinte puna për probleme shkencore dhe të zhvillimit të shkencave albanologjike në Shqipëri.

Trashëgimia dhe vëndi i Çabejt në albanologji

Për më shumë se 80 vjet, që prej viteve 30-të të shekullit të kaluar deri me sot, Çabej ka qënë dhe mbetet figura shqiptare më e njohur në botën e huaj shkencore.

Atij i takon merita më e madhe për ngritjen e shkollës gjuhësore (në një kuptim të ngushtë) shqiptare dhe ”pjesa e luanit” në shndërrimin e Shqipërisë në qendrën botërore të studimeve albanologjike pas viteve 60 të shekullit të kaluar.

Kontributet e Çabeut shtrihen në të gjitha fushat e albanologjisë, që nga historia e gjuhës shqipe, gramatika, leksikografia, morfologjia e saj e deri te folklori, mitologjia dhe letërsia fetare dhe artistike shqiptare. Meritë historike e Çabeut në fushën e gjuhësisë historike shqipe është fakti që me njohuritë e tij të thella në historinë e gjuhës dhe me punën e tij vetmohuese, ai vërtetoi karakterin e trashëguar të disa qindra fjalëve bazë të shqipes, që ishin lënë pa shpjegim ose/dhe konsideruar si huazime nga abanologë të huaj.

Studimet e tij në fushat e etimologjisë dhe morfologjisë së shqipes përmbajnë kontribute të rëndësishme jo vetëm për studimet balkanologjike, por dhe për ato indo-europianistike. Me këto, ai e renditi veten krahas ballkanistëve më të mëdhenj të kohës.

Çabeut i përket merita kryesore për orientimin e plotë të kërkimeve albanologjike shqiptare ndaj studimit të historisë, gjuhës dhe kulturës së ilirëve si paraardhës të drejtpërdrejtë të shqiptarëve, larg kërkimeve të pafrutshme dhe shkencërisht të rezikshme. “Fanatik” në kërkimin e së vërtetës shkencore, ai nuk ra kurrë në prehrin e ndonjë ndikimi nacionalist shqiptar në kërkimet e tij, as në rrethanat e vështira të trysnisë ideologjike nacionaliste të viteve 60-80.

Duke folur për gjerësinë e tematikës së veprës së Eqrem Çabeut, profesor Mahir Domi e ka quajtur veprën e tij një enciklopedi e botës dhe jetës shqiptare dhe duke vënë në dukje rolin e Çabeut për ngritjen e albanologjisë shqiptare në nivelin e një fushëdije të nivelit europian bashkëkohor, studiuesi Begzad Baliu thotë se “Prof. Eqrem Çabej, në shkollën e tij, në mesin tonë, është vetë Evropa, prurës dhe zëdhënës i saj”. Simbolik për vlerësimin e jashtëzakonshëm të veprës shkencore dhe atdhetare të Çabeut në Kosovë ishte jo vetëm botimi serisë prej 6 vëllimesh i veprës së tij, që i parapriu me dekada botimit të serisë 7-vëllimshe të Studimeve Etimologjike në Fushë të Shqipes në Shqipëri, por edhe pritja madhështore qe i bëri atij bota shkencore dhe populli i Kosovës në fillimin e viteve 70-të..

Gjuhëtarja gjermane Oda Buchholz ka thënë se me vdekjen e tij, humbi një dijetar i rangut ndërkombëtar që, sipas saj, ishte dhe një nga përfaqesuesit më të mëdhenj të balkanologjisë, kurse gjuhëtari britanik John B. Trumper e ka mbiquajtur atë “Çabeu i madh” (il grande Çabej).

Jeta dhe vepra e Eqrem Çabeut është përjetësuar dhe ka zënë vëndin që meriton në historinë botërore të gjuhësisë, duke përfshirë enciklopedinë e mirënjohur 10-vëllimshe të Gjuhëve dhe Gjuhësisë, ku ndër të tjera lexojmë: “Etimologjia dhe historia e gjuhës ishin fushat në të cilat ai punoi deri në ditët e fundit të jetës, duke marrë pjesë në të gjitha sesionet profesionale me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, në Shqipëri dhe në qendra të tjera kerkimore të Ballkanit dhe të Europës qendrore, dhe duke botuar në revista shkencore anembanë botës” (“Etymology and history of language were the domains in which he worked until the last days of his life, taking part in all professional sessions of national and international character, in Albania and other research centers of the Balkans and of central Europe, and publishing in journals all over the world” (Encyclopedia of Languages and Linguistics, Elsevier, botimi i 2006-ës, f. 173-174).

Eqrem Çabej erdhi në botën e dijes shqiptare, krijoi dhe iku duke na lënë neve një trashëgimi të madhe shkencore dhe atdhetare, për të mbetur i pavdekshëm në altarin e shkencës, kulturës shqiptare dhe të shqiptarisë. Është shumë simbolik fakti që albanologjia si studim i historisë, gjuhës dhe kulturës së shqiptarëve lindi në truallin shqiptar në shekullin XV-XVI, me Marin Barletin, dhe nga po ky truall doli edhe Çabeu, albanologu më i madh i të gjitha kohëve.

Një mesazh çabejan për albanologjinë shqiptare

Për dy shekuj që pasuan fillimin e albanologjisë me veprat historike Rrethimi i Shkodrës dhe Historia e Skënderbeut të historianit të parë shqiptar, Marin Barletit, në fillim të shekullit XVI, nuk dihet të jetë shkruar ndonjë gjë e rëndësishme apo ndonjë monografi për shqiptarët a kulturën e tyre. Interesi i botës shkencore europiane për gjuhën dhe historinë e popullit shqiptar fillloi të zgjohet vetëm dy shekuj më vonë, nga fillimi i shekullit të XVIII kur Biblioteka Mbretërore e Prusisë (Königliche Bibliothek) në Berlin i kërkoi filozofit më të madh të kohës dhe njerit prej dijetarëve më të mëdhenj të të gjitha kohëve, Gottfried Wilhelm Leibniz-it (1646-1716), të jepte një mendim se ç’ishte kjo gjuhë e shqiptarëve. Në tri letrat e përgjigjes që i dërgoi asaj biblioteke, më shumë se katër shekuj më parë, midis viteve 1705 dhe 1709, që sot njihen si Letrat shqiptare të Lajbnicit (Leibnizen’s Albanerbriefe), ai arriti në konkluzionin shkencor, ende të vlefshëm dhe mbizotërues, se shqipja ishte pasardhëse e ilirishtes. Që nga ajo kohë, falë punës së një numri te madh dijetarësh të huaj por, që nga Rilindja kombëtare e këtej, edhe shqiptarë/arbëreshë (DeRada, Sami Frashëri, Dhimitër Kamarda, Fan Noli, etj.), deri në ditët tona, fondi i albanologjisë u rrit në mënyrë të përshpejtuar.

Rrethanat e njohura historike, politike dhe socio-kulturore që ka përjetuar populli ynë kanë përcaktuar faktin që albanologjia ka qënë dhe mbetet në epiqendrën e shkencës sonë kombëtare. Një nga çështjet qëndrore të albanologjisë ka qënë dhe mbetet prejardhja e shqiptarëve dhe e gjuhës shqipe. Për shkaqe më shumë jashtëshkencore se sa shkencore, teoria e prejardhjes ilire të shqiptarëve vazhdon të mbetet edhe në ditët tona, një çështje e debatit shkencor sidomos në vëndet fqinjë të Shqipërisë, ndonëse shqiptarët nuk kanë pretenduar ndonjëherë se lashtësia e tyre në këto troje u jep atyre ndonjë të drejtë historike të veçantë.

Në vitin 1927 u botua artikulli i famshëm i Gustav Weigand-it (1860-1930) ”A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakëve?” (Sind die Albaner die Nachkommen der Illyrier, oder Thraker?). Në atë kohë artikulli u kritikua nga studiues të huaj si Norbert Jokli, ndonëse gjuhëtarët shqiptarë të asaj kohe nuk ishin në gjëndje të vlerësonin në mënyrë kritike punimin e një prej studiuesve më të njohur të gjuhëve të Ballkanit. Në atë punim autori kishte arritur në përfundimin hipotetik se shqiptarët ka më shumë të gjarë të jenë pasardhës të trakëve se sa të ilirëve. Implikimet historike të këtij përfundimi bënë që, kryesisht për arsye jashtëshkencore, ai punim të pranohej e mbështetej shumëkund e në veçanti në shtetet fqinje ballkanike. I botuar 90 vjet më parë, ende sot, ai punim mbetet baza historiko-gjuhësore e tërë pikëpamjeve që kundërshtojnë autoktoninë e shqiptarëve në trojet e sotme shqipfolëse.

Vetëm nga mesi i viteve 50-60, të shekullit të kaluar, falë disa punimeve themelore të Çabeut, hipoteza historiko-gjuhësore e Weigand-it për prejardhjen trake të shqiptarëve mund të konsiderohet e rëzuar. Megjithatë, vetë natyra e shkencave shoqërore, që lejon manipulime dhe interpretime jashtëshkencore të fakteve dhe situatave, ka bërë që përpjekjet për të vënë në dyshim prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe të vazhdojnë, dhe ka arsye të besohet se do të vazhdojnë edhe për një të ardhme të parashikueshme.

Gjatë dy dekadave të fundit është vënë re një shtim i përpjekjeve për të vënë në dyshim e për të kundërshtuar jo vetëm autoktoninë e shqiptarëve në trojet e sotme shqipfolëse, por dhe disa momente kyçe të historisë së popullit shqiptar, duke përfshirë karakterin dhe motivet e luftës së shqiptarëve dhe udhëheqësit të tyre, Skënderbeut, në shekullin XV, si dhe karakterin e forcat lëvizëse të Rilindjes sonë kombëtare dhe të krijimit të shtetit të pavarur shqiptar në 1912. Ka pasur edhe autorë shqiptarë që për shumë nga këto tema janë solidarizuar me pikëpamjet antihistorike të autorëve të huaj ose, në ndonjë rast, kanë marrë pjesë si bashkëautorë në studime të tilla, që përgjithësisht kanë qënë të një niveli të ulët ose me karakter pak a shumë propagandistik. Për fat të mirë, të gjithë ata autorë, pa perjashtim, nuk janë historianë ose gjuhëtarë, por publicistë që u mungon kualifikimi i nevojshëm për të trajtuar shkencërisht temat në të cilat janë futur.

Por, për fat të keq, përpjekjet nga ana e albanologëve shqiptarë për tu përballur me shtrëmbërimet historike dhe interpretimet e gabuara kanë qënë të zbeta, të ndrojtura, indirekte dhe nën nivelin e nevojshëm. Kjo situatë tregon sa aktual është sot akoma testamenti fjalëpakë i Çabeut për albanologët dhe shkencën albanologjike shqiptare: “Të jemi objektivë por jo indiferentë”.

Një detyrë qëndrore e shkencave albanologjike sot është vënia në dukje dhe kritika objektive e interpretimeve antihistorike dhe përgjithësisht antishkencore të historisë së gjuhës shqipe e të popullit shqiptar. Albanologjia shqiptare duhet të ballafaqohet me pikëpamjet antihistorike në debatin e lirë e të hapur shkencor në konferenca a simpoziume që duhet të organizohen si dikur. Ata nuk duhet dhe nuk ka pse t’i ndruhen këtij ballafaqimi. Asgjë e re nuk ka dalë ose është zbuluar që nga koha e Çabeut. Asnjë argument i ri kundër pikëpamjes shqiptare nuk ka dalë që nga ajo kohë. Autoktonia e shqiptarëve sot është mbi një themel po aq solid sa ishte në atë kohë.

Bibla e pikëpamjeve që kundërshtojnë autoktoninë e shqiptarëve sot mbetet ende punimi i mirënjohur i Gustav Weigand-it, i vitit 1927, me 12 argumentet e tij. Siç u theksua më parë, hipoteza e tij u rëzua përfundimisht me punimet e Çabeut mbi prejardhjen e gjuhës shqipe dhe mbi vëndin e formimit të popullit shqiptar. Autorët e mëvonshëm si Vladimir Georgievi në vitet 60-të dhe Joachim Matzingeri sot, nuk kanë shtuar thuajse asgjë në argumentet e Weigand-it, por vetëm janë përpjekur të sajojnë hipoteza me materiale të mbledhura nga rrënojat e hipotezës së tij.

Ne mbajmë mënd mirë akoma sot arritjet madhore të shkencave tona albanologjike, sidomos argumentet që solli gjuhësia shqiptare, por dhe arkeologjia dhe disiplinat e tjera albanologjike, në mbështetje të prejardhjes ilire të shqiptarëve, që gjetën pasqyrimin më të mirë e në nivelin më të lartë shkencor në punimet që Çabeu paraqiti në një sërë sërë botimesh, konferencash e simpoziumesh ndërkombëtare në Shqipëri dhe jashtë saj (Firence, Innsbruck, etj.). Siç dihet, të gjitha ato bënë që, duke filluar nga vitet 60-të të shekullit të kaluar, Shqipëria të njihej njëzëri si qendra botërore e studimeve albanologjike, duke shënuar kështu një kulm historik në zhvillimin e albanologjisë shqiptare.

Humbja e Çabeut në vitin 1980 ishte sigurisht një goditje e rëndë për albanologjinë dhe për gjuhësinë shqiptare në veçanti. Por rënia e ndjeshme e botimeve dhe ulja e nivelit në fushën e studimeve albanologjike e sidomos në ato gjuhësore, që është vënë re gjatë dekadave të fundit nuk mund të shpjegohet vetëm me atë. Natyrisht edhe gjatë këtyre dy-tre dekadave të fundit ka pasur arritje dhe botime serioze nga autorë si Shaban Demiraj, Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi, etj., por të gjithë ne prisnim që çlirimi i kërkimit shkencor nga prangat e mëparëshme ideo-politike, në këtë çerek-shekullin e fundit, të sillte jo vetëm një nivel më të lartë cilësor, por edhe një shtim të studimeve e botimeve në fushën e albanologjisë. Sot ne, me keqardhje, vëmë re se kjo nuk ndodhi.

Ne nuk duhet të jemi indiferentë as ndaj një prirje tjetër që vihet re në botimet e huaja propagandistike dhe shkencore. Është fjala për një prirje të qartë për të politizuar diskutimet rreth studimeve albanologjike të kryera në Shqipëri. Ideologjizimi dhe politizimi është asfiksues për debatin shkencor dhe të largon nga e vërteta. Shkenca përgjithësisht është e papajtueshme me politikën dhe ideologjitë politike. Ajo ka si qëllim gjetjen e së vërtetës ndërkohë që politika, dhe ideologjia që gjëndet në bazën e saj, janë mjete për arritjen e një qëllimi tjetër – marrjen ose mbajtjen e pushtetit politik. Nuk thuhet kot se ”shkenca është arti i së zgjidhshmes kurse politika është arti i së mundshmes”. Ne duhet të kuptojmë mirë se në kohën tonë prirja për të lidhur dhe zhvlerësuar arritjet e padiskutueshme të shkencës sonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar me sistemin në të cilën ato ndodhën, nuk ka të bëjë fare me luftën kundër komunizmit, por është një përpjekje djallëzore për të minuar themelet e historisë së popullit, kombit dhe shtetit shqiptar.

Pikëpamjet e shprehura nga kundërshtarët e autoktonisë së shqiptarëve shkojnë deri në deklaratat ose insinuatat absurde se teoria e prejardhjes ilire të shqiptarëve iu imponua shkencës shqiptare nga PPSH. Ky është një kompliment i pamerituar që u bëhet PPSHsë, sepse teoria e prejardhjes ilire të shqiptarëve e ka origjinën e saj mbi dy shekuj para lindjes së saj.

Prejardhja ilire e shqiptarëve në kohën tonë përfaqëson një teori të plotë dhe koherente të prejardhjes së popullit shqiptar, me një eksplanans solid për një teori shkencore. Si çdo teori shkencore, autoktonia e shqiptarëve është e hapur ndaj kritikës shkencore objektive, por vlerësimi i saj nuk mund të lidhet kurrsesi me sistemet politike që ka përjetuar vëndi ynë dhe bota gjatë dy-tre shekujve, qëkurse u formulua teoria e autoktonisë.

Lidhja artificiale e teorisë së prejardhjes ilire të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar me sistemin politik në të cilin asaj i takoi të lulëzonte është antishkencore dhe antihistorike; ajo përfaqëson një truk propagandistik që nuk ka qëllim tjetër veç të hedhë dyshime mbi teorinë e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar ose ta zhvlerësojë atë. Le të mos harojmë se kulmet e historiografisë në shumë vënde të Europës u arritën gjatë sistemeve diktatoriale e madje dhe në kushtet e sundimeve të huaja, por në asnjë prej atyre vendeve nuk janë bërë përpjekje të tilla absurde për të përçmuar a hedhur poshtë kryeveprat e gjuhësisë ose historiografisë kombëtare vetëm duke u nisur nga fakti që ato u krijuan ose lulëzuan në kushtet e diktatorive. Ashtu si diktatoria në ato vënde europiane, edhe diktatoria komuniste në Shqipëri nuk mund të zbehë shkëlqimin e albanologjisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Ne shqiptarët, nuk jemi aq mëndjelehtë sa tia lejojmë vetes ”luksin” që teorinë e prejardhjes ilire të popullit tonë e të gjuhës shqipe ta hedhim poshtë vetëm sepse ajo u pranua dhe u promovua nga sistemi komunist. Ne nuk jemi aq mëndjelehtë sa të pranojmë rekomandimet antishqiptare që bashkë me ujin e banjës komuniste të hedhim edhe krijesën më të madhe të shkencave albanologjike – teorinë e autoktonisë së shqiptarëve.

Duke mbyllur këtë shkrim për Çabeun e madh, në këtë botë të turbullt e të pasigurt në të cilën jetojmë, prapë më vjen ndër mënd porosia e tij: ”të jemi objektivë por jo indiferentë” për çështjen e madhe, sa shkencore dhe atdhetare, së cilës ai i kushtoi jetën dhe aftësitë e tij të rralla intelektuale.

Le ta bëjmë edhe një herë Shqipërinë qendrën botërore të studimeve albanologjike.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.