Një kavalier opozitar për “Ditën e Edit”

Postuar në 04 Korrik, 2016 22:25

Sot është pavarësia e ShBA-së, por edhe ditëlindja e kryeministrit shqiptar Edi Rama. Për një popull si ne mbetet dilemë se çfarë duhet të konsiderojmë “gëzim” apo ngjarje më parë: Pavarësinë e ShBA-së, apo ditëlindjen e Edi Ramës.

Po të kthehemi nga tradita, përgjigja shkon në favor të së dytës, pasi e kujtojmë të gjithë, apo ata që kanë njëfarë moshe, “Ditën e Enverit”. Nuk shtrohet çështja për “Ditën e Edit”, sepse për ters bie në korrik, kur me përkufizim jemi të gjithë me pushime. Po t’i besojmë statistikave, populli shqiptar është mbi 90% pro amerikan. Çka do të thotë se më së pari ka rëndësi dita e Pavarësisë amerikane. Ne e kemi bërë tonën: avash avash, do të kemi buste e monumente presidentësh, politikanësh, kongresmenësh dhe ambasadorësh amerikanë krahas lapidarëve të Luftës NacionalÇlirimtare. Jo vetëm se kontributi për atë që me konsensus e quajmë Pavarësi, apo Mosvarje siç është thënë së pari, është i njëjtë, por edhe sepse kështu realizojmë një truk ideal për të ruajtur Kujtimin pozitiv të Luftës që është vënë në diskutim këto kohët e fundi. E ku ka kapar më të mirë për historinë e Luftës dhe Kujtesën e saj sesa një bust amerikani në krah të lapidarëve? Aleatë atëherë, miq tani. Kështu kursejmë paratë për institute gjithfarësh, e lëmë me gisht në gojë Saliun dhe salinjtë që mund të vijnë më vonë dhe pajtojmë në një sipërfaqe atë mesazhin e Bill Clintonit: “Ne luftën, ju paqen”. Ja, kushdo që vjen nesër, e lexon si të dojë atë në raport me këtë binom monumentesh. Dhe për konvencion të demokracisë e lirisë, le të zgjedhë heorin/njtë e preferuar. Edhe për selfie, këtë kujtim epidemik biometrik.

Ja. Sikur ta dinim. Na mori përpara entuziazmi për këtë marrëdhënie të posaçme, saqë desh harruam se edhe Edi ka nevojë të sajdiset njëçikë, se përderisa vendos për ca gjëra që na përkasin, një “shkuarje në mend” e meriton edhe ai. Sepse edhe një kampion i privatësisë, i qytetarisë dhe me individualitet të spikatur, nuk mund t’i ikë vëmendjes të cilën nuk e kontrollon dot, apo që nuk e kthen në kartolinën e ditës. Dhe për këtë paska menduar aktivisti Eljan Tanini. Zotëria është ai që u rrah në protestat e ndërtimeve te liqeni, e që me shumë elegancë iu drejtua opinionit me një letër sqaruese pasi “raketa e tij” mori një çmim nga bujari(si virtyt jo si emër)i Bashkisë, Erjon Veliaj. Tanini ka shkuar drejt kryeministrisë me një tortë për Edin të cilës i ka shoqëruar edhe një letër me shkrim dore në emër të Popullit: “Populli i dhuron një tortë me mut kryeministrit për datëlindje Ja se ç'shkruhet në letrën e urimit: I dashur kryeministër, të urojmë nga zemra u bëfsh 100 vjeç! Zemra na e donte të ta shtronim det, po kemi qëlluar pak hollshëm këto vitet e fundit. Po prapë, u sajuam me këto që na u gjendën, se të paktën kaq na e ke lënë. Populli (torta u protokollua)”, shkruan Tanini në blogun e vet.

Ta ketë ngrënë tortën kryeministri? Apo ta ketë shkelur? Është e sigurtë vallë, pasi nga pamja duket si “Artiz(gi)nale”? Kuptohet që ajo e Taninit, është simbolike. Nuk ka nevojë për sqarime nga Drejtoria e Komunikimit pasi nga sa shohim nga fotot e shpërndara nga Tanini, nga punonjësit e Gardës e deri Lart, ndonjë gisht do ketë hyrë në sipërfaqen kremoze. Edhe pse aktivisti e “ka protokolluar”. Të paktën kështu i gëzohemi faktit se të qenit kavalier nuk e pezullon statusin e opozitarit. Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.