Dy investime strategjike për qeverinë Rama

Postuar në 28 Korrik, 2016 05:16

Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos që të jepen dy zona plazhi në përdorim për 20 vite bazuar mbi ligjin e investimeve strategjike të kaluar në Kuvend gjatë vitit 2015. Bëhet fjalë për dy ndër rastet e para të aplikimit të këtij ligji. Kujtojmë që ligji u kalua me njëfarë urgjence vitin e kaluar sepse mendohej se do të plotësonte një boshllëk në legjislacionin vendas krahasuar me vendet fqinje.  Maqedonia, Mali i zi si dhe Serbia kanë përfituar nga investime të huaja direkte në vlera të konsiderueshme gjatë viteve të fundit. Qeveria ka gjykuar që një prej arsyeve që nuk mbërrinin në Shqipëri të tilla investime ishte dhe kuadri ligjor. Siç duket oferta "Shqipëria 1 Euro" nuk ishte aq tërheqëse sa mendohej. Ksshtu qs u konsiderua ligji 55/2015 i cili kaloi në 2015.

Tani më në fund dy investime të tilla po mbërrijnë.  Vetëm se ka një surprizë. Investitori nuk është i huaj...por vendas. Bëhet fjalë për grupin investues “Balfin” i cili zotërohet nga investitori vendas Samir Mane. Ligji 55/2015 kërkon që për një investim të quhet strategjik në sektorin e turizmit të kalohet vlera e investimit prej 5 milionë euro. Është shumë interesante të kuptohet se çfarë investimi bëhet fjalë përderisa në vendimet e dhëna sot në Këshill të Ministrave është përcaktuar që zona e bregut që do të jepet në përdorim do të jetë vetëm për periudhën e verës. Bëhet fjalë vetëm për shezllona e bar/kafe? Do të ketë ndërtim të ndonjë resorti? Për momentin nuk ka asnjë informacion.

Shpresojmë që të tjerë biznesmenë vendas të shfrytëzojnë maksimalisht këtë ligj të bërë për të huaj përderisa të huajt nuk po duken as pas votimit të Reformës së Drejtësisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.