Në emër të OSHEE-së dhe moralit për të bërë shtet

Postuar në 16 Dhjetor, 2015 12:19

OSHEE-ja mund të jetë institucioni që i ka kthyer buzëqeshjen kryeministrit për rezultatat e “mahnitshme” të aksionit kundër vjedhësve të energjisë, por nga terreni vijnë shembuj që kompromentojnë moralin e qeverisë me prerogativën e të bërit shtet. Një njoftim i Prokurorisë së Matit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim përgjegjësin e OSHEE për zonën e Burrelit, shtetasin Idriz Driçi, i akuzuar për “korrupsion pasiv..”, sepse, duke urdhëruar punonjësit e tij që të ndërhyjnë në mënyrë abuzive dhe të dëmtojnë sahatin elektrik të shtetasit D.K., i ka kërkuar dhe marrë shumën prej 50 mijë lekësh të reja, për të mos bërë kallëzim ndaj tij.

Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri Driçi ka ndodhur në dt. 15.09.2015, kur disa punonjës të OSHEE kanë shkuar në vend-ushtrimin e aktivitetit privat të shtetasit D.K., me qëllim kryerjen e një kontrolli “rutinor”. Gjatë kontrollit, njëri prej punonjësve të OSHEE i ka këputur me pinca vulat e sahatit të energjisë elektrike në prani të të dëmtuarit dhe të tjerët e kanë kanosur, duke i thënë se do të njoftojnë policinë për ta arrestuar për “vjedhje energjie”. Megjithatë, sipas punonjësve të OSHEE, kjo situatë mund të zgjidhet nëse ai “bisedon” me përgjegjësin e tyre, shtetasin Idriz Driçi.

Shtetasi D.K. është takuar me përgjegjësin Driçi, i cili i ka kërkuar 50.000 lekë të reja që ai të mos vijonte procedurat e tjera penalizuese, pavarësisht faktit se dëmtimin e sahatit të energjisë elektrike e kishin kryer me dashje vartësit e tij të OSHEE. I dëmtuari D.K. ka deklaruar se nuk kishte mundësi për të bërë pagesën në atë moment dhe kanë lënë takim një ditë më pas për të dorëzuar shumën e kërkuar të parave.

Në seancë gjyqësore, gjatë shqyrtimit të kërkesës për vlerësimin e arrestimit të tij dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, i pandehuri Idriz Driçi ka pranuar faktin se është autor i kryerjes së veprës penale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.