Intervista/ Rexhaj shpërthen në një manifest: Duhet të rebelohemi!

Postuar në 29 Tetor, 2015 22:17
Leonard Veizi

...a mundet një letër dhe një laps të bëjë çudinë që e prisni dhe s’e dinim nga do vinte? Në një bllok me kapak të zi e faqe lisho, të shkruhen hapur mendime të guximshme, ato që shpesh thuhen pa zë me shpresën se askush s’do t’i dëgjojë. E pas kësaj të vijë një tjetër herezi a mëkat i paparë, botimi i një libri në kopertinën e të cilit pasthirma e një femre duket sikur të fton të futesh brenda saj. A mundet që ky libër, pak faqe të tij apo thjesht një paragraf i qëlluar mirë, të na shkundë nga letargjia kolektive dhe adrenalinën të na e çojë aty ku nuk mban më? E pas kësaj të vijë një rebelim i ethshëm. Nëse ndodh kjo, duhet të përgatitemi për më të “keqen”. Një kryengritje a revolucion ka ardhur te pragu i derës. Pa armë nukleare, sigurisht, pa ushtarë komando dhe detashment zbulimi. Për më tepër, pa ndonjë ngjyrim të shpëlarë dhe pa ndonjë reflektim ekzotik. Është thjesht një ngritje krye, i vetë mendimit tonë, deri tani pasiv e ndoshta disi... autik...

 

...Albatros Rexhaj këtë herë na vjen me një manifest. Një sprovë kulturore, sociale por dhe politike, as që diskutohet. Gjithsesi, është një thirrje politike e shprehur me një stil artistik. Padyshim, sot ka ikur koha e monopoleve, dhe Karli jo e jo, por as Fridrihu nuk ka ndonjë të drejtë autori. Ndërsa ne të tjetër nuk duhet të trembemi nga përdorimi i termit. E që të mos ngatërrohemi me fjalët, se mendja na kthehet pas në kohë e pezmatohemi shpejt, mund të thuhet se shkrimtari këtë herë ka publikuar një letër të hapur ku thotë ca gjëra të drejtpërdrejta, ca të çuditshme dhe ca të tmerrshme. “Jemi të pamotivuar, e duke qëndruar në pritje dhe në frikë, jeta na ikën nga duart”. Nuk duhet të lexosh veç kaq për të kuptuar se kemi rënë në grackën që na e kanë ngritur “të afërmit” tanë, ca politikanë e administratorë shteti, ca zengjinë me miliona dollarë në xhepa dhe ca të tjerë si punë akademikësh. Ndërsa vetë autori shkon më tej kur shkruan se janë pikërisht elitat tona që na duan të përgjumur dhe të mbërthyer në një gjendje autizmi kolektiv. Ndaj për t’i ikur mendësisë së përgjumjes ku na duhet të rizbulojmë dashurinë brenda vetes, autori na fton pareshtur në një kryengritje pa armë: Duhet të rebelohemi...

 

A është libri i ri një kontravers në këndvështrimin tuaj dhe i mënyrës së të shkruarit, kemi të bëjmë me letërsi apo me një manifest social-politik?

“Rebelimi i Lúlus” është një libër krejtësisht ndryshe nga ato që kam shkruar deri tani dhe të jem krejtësisht i sinqertë nuk di si ta klasifikoj si zhanër. Konteksti narrativ është imagjinar, pasi që narratori, tërë kohën, i shkruan Lúlus, ndërkaq gjërat dhe situatat, të cilave narratori u referohet, janë konkrete dhe shumë të prekshme për realitetin shqiptar. Ka elementë të një manifesti kulturor, social dhe politik, por sidoqoftë i tëri është i shprehur në një stil dhe frymë artistike. Personalisht unë e përjetoj si një letër të gjatë drejtuar lexuesit tim, por në radhë të parë vetes sime.

 

Si u motivuat për ta shkruar këtë libër?

Ideja për këtë libër më ka ardhur para shumë kohësh, në çastet e para të mëngjesit, atëherë kur e shihja veten në pasqyrë dhe brenda mendjes sime dialogoja me veten për çdo gjë që më ngulfaste. Këtë temë ka edhe libri, pasi përpiqet të japë përgjigje në pyetjen, çfarë nuk është në rregull me ne? Personalisht besoj se nuk kemi ndonjë defekt, por thjesht jemi të pamotivuar, ndërkaq, në të njëjtën kohë, udhëhiqemi nga një kastë njerëzish (nuk e kam fjalën vetëm për pushtetin) të cilët nuk duan që ne të ndihemi të motivuar për ndonjë gjë. Elitat tona na duan të përgjumur dhe të mbërthyer në një gjendje autizmi kolektiv. Këtu është thelbi i të gjithë librit: duhet të rebelohemi ndaj kësaj mendësie të përgjumjes dhe ta rizbulojmë dashurinë brenda vetes.

 

Dua të bëj një pyetje, por që të sqarojë tre çështje: Kush është Lúlu, përse duhet të rebelohet dhe kundër kujt?

Lúlu është një metaforë për dy potenciale të mëdha që fshihen brenda secilit prej nesh: të jemi arketip i fisnikërisë më të lartë apo të jemi sylesh, trashanik dhe lolo. Zgjedhja është e jona dhe është krejtësisht individuale. Lúlu ka shumë arsye për t’u rebeluar, por arsyeja më e madhe është se, duke qëndruar në pritje dhe në frikë, jeta i ikën nga duart. Për mua, nuk ka arsye më të madhe se kjo për t’u rebeluar, sepse sot koha e kërkon që të angazhohemi për të drejtën tonë që të ndihemi të përmbushur, të ndihemi vërtet të gjallë dhe jo se vetëm frymojmë. Lúlu, në radhë të parë, duhet të rebelohet ndaj vetes së vet, mënyrës se si jeton dhe autizmit dhe përgjumjes kolektive që i imponohet si model jete. Vetëm pas këtij rebelimi individual mund të flasim për forma të tjera të rebelimit, sepse unë besoj fuqishëm në atë se shqiptarët duhet të heqin dorë nga idetë kolektive (faji kolektiv, morali kolektiv, ankthi kolektiv...) që i kemi trashëguar nga e kaluara, por duhet t’i japim rast individit për ta dëshmuar veten. Vetëm një individ i përmbushur mund të ketë diçka për t’i dhënë kolektivit, përndryshe është vetëm barrë: ky është një nga mesazhet e rebelimit të Lúlus.

 

Në këndvështrimin tuaj, cili është mentaliteti i shqiptarit në koncept dhe mënyrën e të jetuarit, a ka ai më shumë qasje ndaj botës së hapur?

Këndvështrimin tim për këtë çështje e kam shprehur, me anë të metaforave shumë të thjeshta në libër. Konsideroj se shqiptarët janë shumë kreativë dhe kanë prirje për të përqafuar modele vërtet liberale të të jetuarit, atë që cilësohet si shoqëri e hapur, por ne asnjëherë nuk kemi pasur rast që ta shijojmë dhe ta jetojmë këtë mundësi. Elitat tona, në vend që të na inkurajojnë, bëjnë çmos të na bindin se në këtë vend asgjë nuk funksionon dhe se askush dhe asgjë nuk vlen. Kjo bindje e gabuar vetvetiu e instalon logjikën e ligjit të xhunglës, diçka që e ndiejmë çdo ditë dhe prej të cilës trembemi e jetojmë në ankth.

 

Elita intelektuale dhe ajo politike në Shqipëri, çfarë i bashkon dhe i ndan ato?

Ky detaj është një pjesë e trajtimit në libër, për shkak se ne, si shoqëri, jemi aq shumë të politizuar saqë politika na imponohet në çdo hap. Lúlu vjen në përfundimin se elitat tona intelektuale dhe politike janë në një raport cambera obscura d.m.th pasqyrojnë tërësisht njëra-tjetrën dhe po ashtu e mbështesin njëra-tjetrën. Dhe në këtë simbiozë të çuditshme pëson kultura, pëson arti, pëson edhe sporti, pëson mënyra jonë normale e të jetuarit, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të asaj se sot në Shqipëri bashkëjetohet me ankthe dhe strese të vazhdueshme.

 

Cilës kategori i drejtohet libri juaj, kam parasysh që ju jetoni në Prishtinë, por duket sikur libri është shkruar duke jetuar në Tiranë. Ka të bëjë kjo me shkrirjen e kufirit sa real aq dhe imagjinar mes dy Shqipërive?

Jetoj në Prishtinë, por shpirtërisht tashmë jam bërë pjesë e Tiranës. Libri im, në radhë të parë, i drejtohet lexuesit dhe publikut në Tiranë dhe Shqipëri, për shkak se besoj që tashmë kemi hyrë në një fazë ku modeli që kultivohet në Tiranë ka fuqi të klonohet me të shpejtë në të gjithë hapësirën shqiptare dhe të krijojë standard të sjelljes dhe të të menduarit. Në një kohë ku hapësira mediatike dhe ajo kulturore tashmë është shkrirë në një të vetme (vetvetiu, si proces i pavarur nga politika) është vetëm çështje kohe kur modelet e komunikimit, artikulimit dhe ndërtimit të shoqërisë po ashtu do të shkrihen në një të vetme. Si artist, por mbi të gjitha si shqiptar, besoj në atë se sot Tirana, si metropol dhe si kryeqytet politik e kulturor, njëjtë si Lúlu, është para dilemës: të jetë arketip i fisnikërisë më të lartë apo një model që kultivon syleshë, trashanikë dhe lolo. Jam i bindur në atë se modeli kulturor dhe shoqëror që (pavarësisht së ku jetojnë) do të udhëheqë të gjithë shqiptarët në mileniumin e ri, sot po farkëtohet në Tiranë. Të gjithë ne duhet të angazhohemi që ky model të jetë një model i ri, një model frymëzues dhe jo një kopje e zbehtë e së shkuarës. Ne si shoqëri duhet të lirohemi nga kthetrat e pushtetit të heshtur të politikës ditore dhe të krijojmë standarde të reja, mbi të gjitha standardin që do të na krijonte mundësinë të ndihemi të përmbushur në vendin tonë.   

 

Intervistoi: Leonard Veizi

Comments

Submitted by Rikrijome veten... (not verified) on

Me lejo t'ju citoj, mik i panjohur...

"...Jetoj në Prishtinë, por shpirtërisht tashmë jam bërë pjesë e Tiranës. Libri im, në radhë të parë, i drejtohet lexuesit dhe publikut në Tiranë dhe Shqipëri, për shkak se besoj që tashmë kemi hyrë në një fazë ku modeli që kultivohet në Tiranë ka fuqi të klonohet me të shpejtë në të gjithë hapësirën shqiptare dhe të krijojë standard të sjelljes dhe të të menduarit..."

A nuk ka kontradikte ne keto fjali?!
Perse kaq ngushte, perse kaq ngut, Albatros? Ç'eshte kjo meri e madhe mes Emrit dhe Mbiemrit, kur te dy jane pasuri te mrekullueshme?

Ne kete bote, nuk ka menyre tjeter, besoj, veç pajtimit sa me te shpejt dhe ndryshimit sa me te arsyeshem.
Me siguri e dini se ekzistojne rreth 21 lloje te ndryshem albatross, dhe qe dashuria ne çift ne ndokend prej tyre zgjat rreth nje vit, permes nje rituali me vallzim, dhe prej ketu duhet marr borxh ca durim, vetepermbajtje...

Prishtina ka pjese me te bukura se Tirana, mik i panjohur por i lexuar, por edhe e anasjellta eshte e vertete. Dhe kjo s'ka si na lejon te flasim e aq me pak te kerkojme klonime. Mos, mos, ju lutem...
Klonimin, ju sapo e keni shkruar, e kerkojne ata: politikajt e portokallise dhe elitaret pa elite.
Vetem klonim dhe as standard jo, te lutem! Ende s'kemi shpetuar nga inercia kur ne ishim thjesht standarde: ne gjuhe, ne ide, ne sjellje, te tera kolektive! Nje Njesh ne politike, nje Njesh ne Letrat, nje zhargon a dialekt si Gjuhe te Vetme...dhe a nuk dolem te gjithe te varfer e te varferuar ne fund te shekullit?
Ndaj duhet ikur me cdo kusht e me gjithcka prej revolucijas, and revolution too, jane gjera makabre, pas te cilave kurre s'ka pasur fitues, askush nuk fiton prej luftrave.
Vetem kulture, vec ajo, kultura na ben fitues, pothuaj pa humbes.
Them pothuaj se, ata humbasin: politikajt, elitaret kur s'jane te tille, pra!
Por sidosi mire ben qe ofron tema te tilla, shkundese. Nderkohe le te merremi me vetet, me berjen e riberjen e tyre (nuk e kam llafin te rilindiotet, jo...!), por edhe ndaj tyre duhet fituar ndryshe, jo si ata qe sapo u munden ne menyren e vjeter, si klonime te gjysmes se dyte te shekullit qe shyqyer qe u mbylle...
nderime Albatros Rexhaj

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.