Për evazionin e biznesit të madh, nuk ka nevojë për aksione...

Postuar në 20 Gusht, 2015 16:17

Aksioni i qeverisë kundër informalitetit dhe evazionit po paraprihet nga dyshimet për selektim dhe goditje vetëm ndaj një kategorie. Deri sa të ndodhë, këto janë vetëm parashikime, apo në rastin më të keq, paragjykime. Gjithsesi, në vijim të procesit, mirë është të dëgjohet edhe ajo që thotë qeveria, por edhe ajo që thonë njerëz të fushës. Arben Malaj dhe Zef Preçi mendojnë se aksion është kompleks dhe nuk dihet nëse do të godasë biznesin e madh, ku shihet edhe zemra e problemit. “Evazioni nuk duhet kërkuar - sipas meje, - te shitësit e rrugës apo tek ajo pjesë e biznesit të vogël që del jashtë Tiranës, s’të japin fatura etj., që është realitet, por duhet kërkuar mbi të gjitha te kompanitë e mëdha vendase dhe të huaja, të cilat përdorin fuqinë e ligjit, ndikimin dhe përfaqësimin politik për të mbrojtur interesat e tyre dhe për fitime të paligjshme përmes faturave fiktive dhe formave të tjera”, tha Zef Preçi nga Qendra shqiptare për Kërkime Ekonomike, në një prononcim për Top-Channel. Këtu do nënvizuar se për biznesin e madh apo kompanitë e mëdha nuk ka nevojë për aksione dhe organizim të burimeve njerëzore në tatime, por për vullnet politik për zbatim të ligjit.
Kurse ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka mendimin se qeveria duhet të qartësojë edhe termat: marrja e masave nuk mund të quhet reformë dhe një kakofoni e tillë u vu re edhe gjatë aksionit për energjinë. “Nëse strategjia e Qeverisë për ta reduktuar ekonominë informale ka në fokus, ose si instrument kryesor thjesht dhe vetëm penalizimin, atëherë ai ngjan më shumë me një aksion, sesa një reformë. Si i tillë nuk do të ketë rezultatet që priten dhe rezultate të qëndrueshme, por do të dështojë”, tha Arben Malaj nga Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen. Një problem sipas dy ekspertëve është edhe ekonomia kriminale, e cila nuk mund të kontrollohet me tatimorë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.