Teprimi është nëna e budallallëkut

Teprimi është nëna e gabimit. Kështu është shprehja? Apo thuhet që “teprimi është nëna e budallallëkut”? Sidoqë të jetë, është e vërtetë. Dhe kjo gjë më erdhi në mendje, teksa po jetojmë jehonën e ngjarjes së Lazaratit. Të gjithë e çmuam atë që u krye, të gjithë nuk i kursyem lëvdatat e duartrokitjet, madje edhe banorët e Lazaratit janë dëgjuar të jenë të kënaqur prej kësaj që ndodhi, por këtu duhet të mbyllet ky muhabet. U thanë të gjitha, u tha që kjo është meritë e policisë, në daçi e maxhorancës dhe e qeverisë, në daçi e Saimir Tahirit, por tani është momenti për të parë e ecur përpara. Nuk kanë kuptim këto ngrefosjet e festat e njëpasnjëshme. Në këtë kuptim, duhet shpresuar që mbrëmja e djeshme në Pallatin e Brigadave të ketë qenë e fundit.
E meqënëse jemi te teprimi, është lajm i bukur që nuk do kemi ndonjë harbim me rastin e marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE (Sikur të ish në pushtet i sëmuri, mbrëmë, e sot, e nesër, e pasnesër, nuk do na gjenin veshët qetësi). Por do ish mirë që të mos organizohej as ajo festa bi-partizane që ka në mendje Rama. Nuk ka vend për festë në këtë rast. Nuk mund të festohet për arritje që duhej të kishin ardhur me kohë. E aq më pak mund të festojë politika, e cila është shkaktarja kryesore e kësaj vonese.
Add new comment