Ajo çfarë po bën Trump me ekononminë na prek të gjithëve

Postuar në 18 Gusht, 2025 16:53
Federico Fubini

 

Jo shumë kohë më parë, një president tjetër i së njëjtës parti si ai aktual, Ronald Reagan, i përshkroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një "qytet që shkëlqen mbi kodër", një shembull unik për popujt e tjerë të botës. Fraza vjen nga një predikim i mbajtur në vitin 1630 nga predikuesi John Einthrop në koloninë puritane të Gjirit të Massachusetts. Einthrop po mendonte për një model të bamirësisë së krishterë; Reagan po mendonte për modelin amerikan të lirisë, mundësisë, drejtësisë dhe sigurisë së ligjit për të gjithë. Nëse kjo është Amerika që keni në mendje, krahasojeni atë me lajmet ekonomike të ditës. Le të shohim një listë të shkurtër faktesh.

"Modeli" i Bessent

  1. NVIDIA dhe AMD, dy kompani të fuqishme me vlerë të jashtëzakonshme dhe të ardhura e fitime të mëdha e në rritje, kanë rënë dakord të eksportojnë gjysmëpërçues dhe mikroprocesorë në Kinë sipas një "licence eksporti" të dhënë nga qeveria amerikane. Kjo kërkon pagesën e 15% të të ardhurave të tyre të fituara në atë vend, vetë qeverisë amerikane. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, e ka përmendur këtë taksë të detyrueshme në këmbim të një licence eksporti si një model për kompanitë e tjera në sektorë të tjerë në të ardhmen. Na paguani që të bëjmë punën tuaj. Deri më tani, në më shumë se dy shekuj e gjysmë histori, asnjë kompanie amerikane nuk i është dashur të ndajë të ardhurat e saj me qeverinë për privilegjin e shitjes së produkteve të saj jashtë vendit.

Sulmi ndaj Rezervës Federale

  1. Presidenti Donald Trump ka emëruar Stephen Miran, ndihmës i Shtëpisë së Bardhë, në organin drejtues të Rezervës Federale ("Bordi i Guvernatorëve"). Mandati i Miran mbaron në fund të vitit. Ai zëvendëson Adriana Kugler, e cila dha dorëheqjen. Në një dokument të kohëve të fundit, Miran propozon që vetë presidenti të jetë në gjendje të shkarkojë kreun dhe zyrtarë të tjerë të lartë të bankës qendrore amerikane sipas gjykimit të tij. Kjo do të shënonte fundin e pavarësisë së Rezervës Federale nga pushteti politik. Për më tepër, nuk ka precedent modern për një guvernator të Rezervës Federale të emëruar për një mandat kaq të shkurtër, sikur t'i jepej liria për të sfiduar më me forcë punën e bankës qendrore nga brenda. Nëse Senati me shumicë republikane do ta konfirmonte Miran tani - në bazë të pozicioneve të tij - kjo do të shënonte në mënyrë efektive fillimin e erozionit të pavarësisë së Rezervës Federale. Hapi tjetër do të jetë emërimi i një presidenti të bankës qendrore besnik ndaj Trump, brenda nëntë muajve më e shumta. Në këtë pikë, Rezerva Federale do të përfundojë si Gjykata Supreme, një institucion i fuqishëm dhe i nderuar, por i kolonizuar nga politika.

Kundër të Dhënave Zyrtare

  1. Vetë Trump kohët e fundit e shkarkoi drejtuesen e Byrosë së Statistikave të Punës, Erika McEntarfer, pas publikimit të të dhënave zhgënjyese mbi krijimin e vendeve të punës midis majit dhe korrikut. Akuza kundër saj, e pambështetur, është se ajo manipuloi statistikat për përfitime politike. Presidenti e zëvendësoi McEntarfer me një ekonomist nga Fondacioni Heritage me emrin EJ Antoni. Çfarë dimë për të? Fondacioni Heritage, sigurisht, është një institut i krahut të djathtë që hartoi një plan për transformimin autoritar të Amerikës nën Trump (i famshmi "Projekti 2025", të cilin presidenti aktual e injoroi gjatë fushatës zgjedhore, vetëm për ta zbatuar pasi mori detyrën: instituti vlerëson se gjysma e programit ka përfunduar tashmë në tetë muajt e parë). Sa i përket Antonit, ajo që është më mbresëlënëse nuk është aq shumë fakti që ai është fotografuar mes turmës që sulmoi Capitol Hill-in më 6 janar 2021. Ishte e qartë se Trump do të zgjidhte një njeri besnik ndaj tij, edhe nëse ai do të merrte pjesë në një tentativë grushti shteti bazuar në gënjeshtrën se Joe Biden vodhi zgjedhjet e vitit 2020.  Ajo që më bën më shumë përshtypje është se Antoni duket plotësisht i papërgatitur për rolin e kreut të Byrosë së Statistikave të Punës (kjo agjenci, mesa mbaj mend, publikon të dhëna kyçe për ekonominë globale, siç janë inflacioni dhe punësimi në SHBA). Në një artikull të kohëve të fundit, Antoni argumenton se Shtetet e Bashkuara do të kishin qenë në recesion gjatë viteve të Bidenit, nga fillimi i vitit 2022 deri në mesin e vitit 2024; nuk ka shumë rëndësi që kjo përkoi me punësimin e plotë, shpërthimin e industrisë dixhitale dhe të dhënat e vazhdueshme në Uoll Strit. Antoni tashmë po flet për    pezullimin e publikimit të të dhënave të punësimit, në pritje të një rishikimi të metodës së përdorur për t'i përpiluar ato; Qeveria e Pekinit e pati bërë gjithashtu një gjë të ngjashme në vitin 2023 në lidhje me të dhënat e papunësisë së të rinjve në Kinë, kur ajo tejkaloi 21%.

Mbajtësi i Arit

4) Më 7 gusht, CEO i Apple, Tim Cook, i dha Trump një dhuratë prej ari 24 karatësh, me emrin e presidentit të gdhendur, ndërsa e vizitoi atë në Zyrën Ovale për të njoftuar një investim në Shtetet e Bashkuara.

5) Sekretari i Thesarit, Bessent, pretendon se "marrëveshja" tregtare me Japoninë do t'i lejonte Shtëpisë së Bardhë të merrte 550 miliardë dollarë nga Tokio për t’i investuar në Amerikë sipas gjykimit të Trump dhe administratës së tij. Në praktikë, është një formë moderne e zhvatjes ose plaçkitjes së një aleati në këmbim të aksesit të Japonisë në tregun amerikan. Bessent shtoi se ky është "modeli" për marrëveshjet e reja në të ardhmen, megjithëse nuk është e qartë nëse ai po merrte në konsideratë edhe Bashkimin Evropian.

Të shtetëzohet Intel?

6) Trump akuzon - përsëri, pa prova - CEO-n e prodhuesit amerikan të çipave Intel për konflikt interesi. Më 8 gusht, ai kërkoi dorëheqjen e tij. Dyshimi i presidentit duket të jetë se Lip-Bu Tan po punon fshehurazi për Kinën (menaxheri, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara për dyzet vjet, ka lindur në Malajzi dhe është rritur në Singapor). Massimo Gaggi, në Corriere della Sera, e ka rrëfyer mirë të gjithë historinë. Pas akuzave të Trump, administrata amerikane tani po përgatitet të blejë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve në Intel.

Secili prej gjashtë episodeve që sapo përmenda është në thelb i pashembullt në historinë amerikane.

Trump jo vetëm që i rifuti tarifat në nivelet e tyre më të larta në nëntëdhjetë vjet. Ai ka bërë shumë më tepër në qeverisjen e tij ekonomike. "Qyteti i ndritshëm mbi kodër" i Ronald Reagan po transformohet në diçka thellësisht të ndryshme. Po shfaqet një model i bazuar në përpjekjen ose zhvatjen e suksesshme të kompanive vendase dhe qeverive të huaja zyrtarisht të lidhura me Shtetet e Bashkuara; në eliminimin de facto të pavarësisë së agjencive të ngarkuara me sigurimin e besueshmërisë dhe paanshmërisë së statistikave, kontrollit të inflacionit dhe mbikëqyrjes bankare.

Modeli drejt të cilit Trump po përparon me shpejtësi përfshin gjithashtu ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë në kompanitë strategjike, bazuar në akuza të pabazuara, por me qëllim mbrojtjen e një ideje të caktuar, të përcaktuar në mënyrë arbitrare, të sigurisë kombëtare. Në secilën prej këtyre ngjarjeve, Kongresi, përtej hapave formalë, lihet mënjanë. Ai me të vërtetë do të thirret të votojë për emërimet e Miranit dhe Antonit, por sa prej tyre në shumicën republikane do të guxojnë ta kundërshtojnë presidentin?

Në këtë pikë, të gjithë mund ta vlerësojnë vetë një model të tillë të qeverisjes ekonomike. Dikush mund ta quajë autokraci, autoritarizëm arbitrar, një kult personaliteti të shefit, socializëm real në Potomac ose autarki. Të tjerë mund ta quajnë një model të bazuar në supremacinë legjitime të politikës dhe objektivat e saj strategjike; një model të centralizuar për arsye të sigurisë kombëtare; kapërcimin e pashmangshëm të tabuve të epokës liberale bazuar në laissez-faire dhe ndarjen e pushteteve shtetërore.

Ndarja Revolucionare

Trumpizmin mund ta etiketoni si të doni, varësisht nga prirjet tuaja. Dhe sigurisht, modeli i mëparshëm kishte treguar shenja të thyerjes, si nën presidentët demokratë ashtu edhe republikanë. Por nuk mund të pretendojmë se jemi në thelb në vazhdimësi me shtatëdhjetë ose tetëdhjetë vitet e fundit të historisë amerikane ose dyzet vitet e fundit të historisë evropiane. Ky nuk është rasti. Jemi në mes të një ndarjeje revolucionare. Dhe kam folur më parë në këtë hapësirë për pasurimin dhe korrupsionin e hapur të familjes së presidentit përmes kriptovalutave dhe monedhave të qëndrueshme: të gjitha praktikat që rregullatorët e tregut financiar në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Bursave bëjnë sikur nuk i shohin, sepse edhe kreu i SEC, Paul Atkins, është një ushtar i presidentit.

Të vetmit për të cilët asgjë nuk ka ndryshuar janë tregjet financiare. Ato po kalojnë nga një rekord i lartë në tjetrin. Tregu i aksioneve (S&P 500) është në thelb në një nivel rekord, primet e rrezikut për borxhin e korporatave janë në nivelin më të ulët. Si është e mundur kjo? Megjithatë, historia ekonomike - nga Kina në Turqi e deri në Rusi - tregon se pushteti arbitrar, të dhënat e errëta dhe pasiguria ligjore veprojnë si një shkatërrues barërash për investitorët. Ato janë toksina që ngjallin mosbesim dhe shtypin dëshirën për të marrë rreziqe.

Njerëzit dhe Tregjet

Kur Trump njoftoi tarifa mesatare prej 22% në Ditën e Çlirimit, më 2 prill, tregjet reaguan siç do të pritej nga tekstet shkollore të teorisë ekonomike: dhjetëra triliona dollarë në vlerë u dogjën brenda pak ditësh, një revoltë e investitorëve që e detyroi Shtëpinë e Bardhë të tërhiqej. Por shikoni grafikun më sipër që tregon nivelin mesatar të tarifave amerikane që kur Trump u kthye në pushtet: hap pas hapi, presidenti i ka sjellë tarifat mesatare përsëri në 18.6%, pak nën nivelet e “Ditës së Çlirimit”; megjithatë, nga ato nivele të ulëta, tregjet kanë arritur rekorde të reja, me S&P 500 që u rrit me 31%.

Si ishte e mundur kjo?

Sigurisht, paralelisht po zhvillohet revolucioni i inteligjencës artificiale. Trump gjithashtu ka arritur të ndryshojë perceptimin e normalitetit midis një mase të madhe njerëzish, kështu që ajo që dukej ekstreme në mars, tani duket e pranueshme. Lëkundja e tij e vazhdueshme i lejon investitorët të thonë me vete se ndoshta presidenti së shpejti do të ndryshojë përsëri mendje për Rezervën Federale ose Byronë e Statistikave të Punës, kështu që gjithçka do të mbetet siç ishte. Por thelbi është se tregjet janë kryesisht një mekanizëm për ndarjen e parave në afat të shkurtër, jo një sistem për parashikimin dhe kontrollin e revolucioneve politike dhe institucionale. Ata reagojnë ndaj tyre vetëm më pas, ndonjëherë shumë më vonë.

Varet nga njerëzit t'i kuptojnë ato kur ndodhin. Nuk kam asnjë ide nëse ai që po zhvillohet në Amerikë do të mbizotërojë apo së shpejti do të pasohet nga një lëkundje e lavjerrësit në drejtim të kundërt. Ajo për të cilën jam i sigurt është se Amerika do të vazhdojë të jetë një "qytet mbi një kodër" edhe kur nuk shkëlqen. Modeli i saj do të vazhdojë të na ndryshojë, për mirë a për keq. Do ta bëjë të pranueshme atë që më parë ishte e papranueshme dhe anasjelltas. Kjo është arsyeja pse çdo veprim që ndërmerr Trump na prek drejtpërdrejt, në Itali dhe në Evropë.

Burimi: Corriere della Sera

Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nje artikull nga te zakonshmit ne shtypin Italian per nga forma e te shkruarit, mbledhjes se fakteve, konfirmimit e ballafaqimit me dokumentacionin e vertetuar, qe mund ta lexosh per 6-7 minuta dhe te ngelet ne mendje. Aq mire eshte shkruar sa ne gjuhen e perkthyer (qe duhet thene se eshte sjelle mjaft kujdesshem) gjerat te mbesin ne mendje.
Do kisha dashur te lexoja edhe me burim shqiptar dicka te tille, por ata qe e benin kane vdekur, apo nuk merren me me kete zanat, ose jane merzitur kaq shume duke zhbrazur te veten per te mbushur te te tjereve, kohet e fundit pa rezultat, sa nuk lodhen me.
Ne total, gje e bukur, bravo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.