Gjyqtarët e prokurorët e huaj? S’është ide e keqe, por…

Bëri bujë veç për një ditë në shtypin shqiptar një raportim i gazetarit Julian Zyla të Zërit të Amerikës mbi një workshop të zhvilluar në SHBA, në ‘Heritage Foundation’, mbi zbatimin e ligjit në Evropën Juglindore. Dhe të shumtat e gazetave kishin zgjedhur të nesërmen të njëjtin titull, që në një version pa shumë fjalë do të bënte: “Të konfiskohen pasuritë e paligjshme të politikanëve”. Ndonjë gazetë tjetër kish parapëlqyer të shndërronte në titull mesazhin, që thoshte se “Shqipëria duhet të huazojë gjyqtarë të huaj për të ndëshkuar korrupsionin”. Ka qenë studiuesja kroato-amerikane Natasha Srdoc, që e ka bërë këtë propozim të fundit. Ja çfarë thoshte ajo saktësisht në atë workshop: “[Për të luftuar korrupsionin në Shqipëri duhen marrë] gjykatës e prokurorë të huaj, që vijnë nga vende me shtet ligjor të fortë, [dhe] kjo do të bënte që gjyqtarët e ndershëm vendas të dilnin në pah; [këta gjyqtarë të ndershëm vendas] gjenden në sistemin gjyqësor, por kërcënohen dhe nuk u jepen çështje që do të kompromentonin ndokënd, pra nuk mund ta bëjnë punën me ndershmëri”. Dhe me këtë nismë do të bëhej i mundur “konfiskimi i pasurive dhe pronave të paligjshme që politikanët [shqiptarë] kanë grumbulluar qysh prej vitit 1991; [për ta bërë këtë gjë do të mjaftonte vetëm] fakti që ata nuk janë në gjendje të vërtetojnë që i kanë fituar këto pasuri në mënyrë të ligjshme, përmes rrogës apo mënyrave të tjera të rregullta”. Sipas saj, “nuk është fare nevoja të vërtetohet korrupsioni, pasi kjo është diçka shumë e vështirë për t’u bërë”.
Kjo puna e ekspertëve të huaj për të luftuar korrupsionin në Shqipëri nuk është një propozim dhe aq i çuditshëm. Kryeministri Rama e ka bërë realitet përpara se ta shprehte Srdoc-u. Por jo në sistemin gjyqësor. E ka bërë në sistemin doganor shqiptar, duke “marrë në punë” kompaninë e njohur britanike (në fakt, ndërkombëtare) Crown Agents, e cila do të drejtojë/administrojë në një periudhë dy vjeçare këtë sektor që në perceptimin popullor ka personifikuar korrupsionin në shkallën më të lartë. Kjo kompani do të jetë përgjegjëse për rekrutimin e trajnimin e njerëzve që do të punojnë në dogana.
Rama nuk ka hequr shumë në këtë mes. I ka mjaftuar vullneti i tij. Më saktë, i kanë mjaftuar votat e shumicës parlamentare që e ka nën hyqëm dhe kompetencat ekzekutive që i ka prej Kushtetutës. Opozita ka ngritur zërin kundër kësaj nisme, dhe kundërshtinë e vet e ka përligjur me logjikën e një shpenzimi të tepërt që nuk do të japë frute. Mirëpo, kjo mbetet për t’u parë. Personalisht, e kam pëlqyer qysh në krye të herës këtë ide, dhe jam i prirur të besoj se do të japë frute që ç’ke me të. Doganat shqiptare nuk mund të bëhen më keq se ç’kanë qenë tetë vitet e fundit, pasi më keq se aq keq, si zor të ketë.
Në të njëjtën mënyrë jam i prirur të besoj se një numër gjyqtarësh e prokurorësh të huaj do ta bënin sistemin tonë gjyqësor më eficient e institucionin e Prokurorisë më të zhdërvjellët, më guximtar, e më të pavarur. Nuk është se në Shqipëri nuk ka gjyqtarë e prokurorë të ndershëm e të zotë. Nuk është gjithashtu – siç është thënë në diskutimin që është zhvilluar në ‘Heritage Foundation’ – se këtyre gjyqtarëve e prokurorëve nuk u jepen në duar dosje të nxehta. Çështja është se në një klimë të korrupsionit kapilar në sistemin gjyqësor e jashtë tij (në politikë, në media, në shoqëri, etj), njerëzit e ndershëm të sistemit janë të tërhequr, të frikësuar, nën presion; dhe presioni më i madh është ai që ushtrohet nga fakti që korrupsioni është një stil jetese këtejpari, apo më keq akoma, nga fakti që jashtë këtij stili jetese nuk para është e mundur jetesa. Gjyqtarëve të ndershëm nuk u blihen vendimet, por në këtë botën tonë ku korrupsioni është mënyrë jetese nuk është çudi që në shumë raste ata ta japin gratis (nën presionin e ndërhyrjeve e të kërcënimeve nga më të ndryshmet) atë që u kërkohet si padrejtësi në këmbim të parave, dhe kështu ata bëjnë lojën e të korruptuarve pa qenë të korruptuar, gjë që, në thelb, është njësoj si të jenë të korruptuar. Është po kjo që ndodh – sa për të bërë një ilustrim paralel – me ca gazetarë që, edhe pse janë të ndershëm (në kuptimin që nuk lejojnë t’u blihen qëndrimet a kontributet), nuk i thonë të gjitha të vërtetat që i njohin në mënyrë të dokumentuar. Kështu që edhe këta gazetarë në një farë kuptimi nuk janë të ndershëm.
Por le të kthehemi te argumenti ynë. Ç’do bënin në këtë situatë gjyqtarët e huaj? Sipas meje, do ishin shumë të vlefshëm. Ata do vinin nga jashtë sistemit, e nuk do ndiheshin nën presion (Eulex-i në Kosovë është një provë) as nga struktura të korruptuara të sistemit, as nga të vetët në hall e nevojë për një punë a një favor, as nga ethosi i një shoqërie tradicionalisht e tërësisht të korruptuar, ethos që karakterizohet nga respekti, me të cilin rrethohen këtyre anëve ata që kanë fuqi të mos pyesin për ligj e rregulla, dhe ata që bëjnë karrierë e pasuri me lojëra mujshare. Gjyqtarët e huaj do të ishin të varur veç nga ndërgjegjia e tyre, dhe ky është një luks që nuk e kanë njerëzit e ndershëm në Shqipëri, qofshin ata gjyqtarë, qofshin funksionarë e krerë të institucioneve të tjera publike, qofshin intelektualë publikë, qofshin dhe gazetarë. Dhe në këtë rrethanë është tamam ashtu siç thotë, apo lë të kuptohet, Natasha Srdoc: këta gjyqtarë të huaj do të ishin (në versionin minimalist, them unë) një motivim i mirë për gjyqtarët e ndershëm vendas, do të ishin një propulsor që do mund t’i nxirrte nga ligatina morale ku jetojnë e ku në ndonjë rast arrijnë deri atje sa, për shkak të gjendjes anomike të shoqërisë, ndershmërinë e tyre ta shohin si një handicap në luftën e jetës, e për këtë shkak edhe t’u vijë turp që janë të ndershëm.
Shkurt, veç të mira do të kishim në rrethanat që në Shqipëri do të zbarkonin disa dhjetra gjyqtarë të huaj. Por puna është se kjo nuk mund të bëhet realitet. Një gjë e tillë nuk do gjente ndonjë konsensus të madh në elitën shqiptare; dhe mes atyre që do ta kundërshtonin si nismë do të ishin dhe ca e ca që, jo pa të drejtë, do ta shihnin këtë si një gjest që do të ndotte dhe lëndonte imazhin politik të Shqipërisë më shumë se sa vetë korrupsioni. Kështu do kosovarizohej Shqipëria pa qenë Kosovë (në kuptimin e një shteti të sapoformuar në rrethana ende të brishta), dhe do komprometohej në mënyrë fatale aftësia e shqiptarëve për t’u vetqeverisur.
Por edhe sikur të gjendej konsensusi tek elita jo politike, nuk do të gjendej tek ajo politike, e cila do ta shihte një aradhe gjyqtarësh të huaj brenda sistemit tonë të drejtësisë si një kërcënim imediat dhe të prekshëm që i bëhej asaj vetë (për t’u kallur datën do të mjaftonte veç ideja e shprehur e konfiskimit të pasurive që rezultojnë të pambuluara me të ardhurat legale të tyre). Ndonjë politikan, ndoshta edhe disa, mund të binin dakord, por ndryshimet kushtetuese që janë të nevojshme për ta bërë të mundur një ndërmarrje të tillë, kërkojnë ok-in e një numri shumë të madh deputetësh. Dhe këta të fundit nuk janë kaq teveqelë sa të japin miratimin për nisma që do të rrezikonin seriozisht pozitat e tyre në pushtet.
Kjo gjë pra nuk është e mundur, dhe – jo vetëm për këtë arsye – shqiptarët, në vend që të shohin ëndërra me sy hapur për ndonjë deus ex machina, duhet ta përgatisin e ta arrijnë vetë ndryshimin; dhe në të njëjtën kohë, ndërrimin e klasës politike të korruptuar.
Dita
Comments
jo dhe jo. nuk ka menyre me

jo dhe jo. nuk ka menyre me te turpshme per te pranunar paaftesine tone per te zgjidhur problemet tona te brendshme. sidoqofte ka per te qene nje deshtim.

E vetmja aresye per te

E vetmja aresye per te cilen jam kunder eshte se ne jo pak raste prokurore dhe gjyqtare te tille tejkalojne caqet e ligjit dhe fillojne e sillen njelloj si disa ambasadore qe mendojne veten ne cdo pozicion pervecse ne pozicionin qe realisht kane. Per me teper fakti qe nuk do ishin te ekspozuar ndaj parave nuk do te thote se do ishin te pa ekspozuar politikisht nga shtetet apo organizatat nderkombetare prej te cilave do te perzgjidheshin e te cilat nga ana e tyre financohet nga shtetet e forta. Ka shume gjyqtare qe ate qe nuk do ta benin kurre ne vendin e tyre do ta benin pa asnje hezitim ne Shqiperi. Mgjth mendoj se prezenca e tyre keshellimore qofte edhe duke dale me raporte konkrete 6 mujore ose 1 vjecare mbi punen e prokurorise dhe gjykatave dhe duke ja vene ne dispozicion parlamentit dhe KLD do ishte nje ndihme shume e madhe.

Aahahahahaha, prokurore e

Aahahahahaha, prokurore e gjygjtare te huaj???

Po mire mo, po keta perfaqesuesit e BE, OSBE, etj etj etj nuk ishin te huaj? A nuk u blene edhe ata??? Nuk u ble edhie ai gjermani qe hante qofte tek pedonalja?

Mua me duket se nuk duhet te

Mua me duket se nuk duhet te kete asnje pengese kushtetuese per gjyqtare te huaj ne Shqiperi. As Prokurore.

Problemi mun te jete financiar (gje qe mbase edhe tejkalohet) por sidomos i veshtire me duket nje gje tjeter: gjyqataret dhe prokuroret nuk jane elektriciste qe te mund te bartin dijet dhe aktivitetin e tye nga nje vend ne tjetrin pa patur problem. Te besh gjykatesin apo prokurorin ne nje vend nuk mjafton ndershmeria por duhet te kesh njohuri te mjaftueshme per legjislacionin dhe kodet (penale, civile etj) te vendit. Ky eshte nje proces qe kerkon vite. Dhe a do te donin gykates tehuaj te humbisnin disa vite te jetes se tyre per te mesuar legjislacionin shqiptar eshte pyetja qe duhet ti drejtoje vetes prpozuesi i kesaj ideje (interesante).

Add new comment