Ç’dreqin kanë zyrtarët turq e grekë me xhamitë e kishat shqiptare?

Në një shkrim të publikuar dje, Alma Lama, deputete e pavarur e parlamentit të Kosovës, ka nxjerrë në shesh një detaj shumë interesant nga një takim që ajo, tok me deputetë e zyrtarë të tjerë kosovarë, ka patur në Turqi me Rexhep Taip Erdoganin. Ky i fundit i ka begenisur sa më s’ka, gjë që s’çudit askënd këtyre anëve. Është një gjë që ndodh prej kohësh si shenjë e miqësisë që ekziston mes dy vendeve, dhe e vëmendjes që Turqia, e drejtuar nga Erdogani apo nga të tjerë, ka ndaj Shqipërisë. Por Lama na bën me dije se shqetësimi kryesor i të zotit të shtëpisë në atë takim ka qenë xhamia e Prishtinës. Si pa dashje, ai kish folur dhe për një vizitë që i kish bërë kohë më parë, për t’iu ankuar, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Naim Tërnava. Erdogani e kish pritur Tërnavën, dhe kish folur me të veç për xhaminë. Duket sikur deputetët shqiptarë, dhe Tërnava, janë takuar me kalifin Erdogan, e jo me kryeministrin.
Deputetja Lama nuk e mbaron këtu “dëshminë” e vet. E njëjta gjë ka ndodhur dhe gjatë vizitës së Davutoglu-së në Kosovë. Kryediplomati, që njihet edhe si hartuesi i një doktrine të riotomanizimit të Ballkanit, ka patur të njëjtin shqetësim; madje, duke përmendur në mënyrë kritike dhe ndërtimin e katedrales, “e cila nuk do të mbushet dot nga besimtarët”.
Këtë fokusim në çështje të fesë në marrëdhëniet me shqiptarët e kanë demonstruar edhe grekët. Këta të fundit kanë dhënë herë pas here plot shenja se janë shumë të interesuar mbi mbarëvajtjen e kishës ortodokse shqiptare, e cila asëll-asëll është autoqefale; dhe ‘autoqefale’ mund të përkthehet, pa bërë ndonjë gabim, edhe ‘sovrane’. Zyrtarët e lartë të Athinës nuk lënë rast pa veshur togën e patriarkut ekumenik të Stambollit e pa marrë në mbrojtje besimtarët ortodoksë.
Tani, Turqia dhe Greqia janë për shqiptarët partnerë strategjikë. Janë të tillë tillë me hir, me pahir, prej dispozicioneve të përbashkëta historike e gjeografike. Do të jenë të tillë edhe në të ardhshmen. Është për turpin e zyrtarëve turkë e grekë që i ndotin fare pa të keq funksionet e tyre laike me “kokëçarje” kësodore të natyrës mesjetare (janë të vetmit zyrtarë europianë që e bëjnë këtë), mirëpo atyre duhet t’u vihet kufiri te thana nga zyrtarët tanë, në Shqipëri e në Kosovë, kur vjen puna që demonstrojnë një interes morboz mbi punë te feve.
Marrë nga Dita
Comments
Krahesimi i interesimit te
<p>Krahesimi i interesimit te zyrtareve turq apo greke respektivisht per xhami apo per kisha nuk eshte i vlefshem. Kosova ka shumice absolute musilmanesh, dhe xhami me bollek qe edhe pa interesimin e "vellezerve Turq", ato nuk jane aspak te cenuara. Kurse interesimi i zyrtareve greke per kishat ka lidhje me egzistencen e nje minoriteti fetar orthodoks qe shpesh ndodhet ne trusnine e shtetit te drejtuar ne shumice dermonjese nga persona me fe musilmane ose qe rrjedhin nga familje musilmane. Ka lidhje gjithashtu me nje minoritet grek qe ben pjese ne kete bashkesi fetare. E per sa kohe behen shkelje e te drejtave te ketyre minoriteteve sic eshte shume i qarte rasti i Kishes se uzurpuar te Permetit, nje shtet europian e ka detyrim per ti mbeshtetur keto minoritete, desherojne apo jo vellezerit tane musilmane, aq me teper kur ky minoritet eshte pjese e atij kombi. Egziston nje karte e te drejtave te minoriteteve e firmosur nga Shqiperia, e cila njihet si pjese e legjislacionit te vendeve te EU.</p>
Add new comment