Blloku Bota
Kthehet në burg ish-ministri grek i Mbrojtjes
Kthehet në burg ish-ministri grek i i Mbrojtjes, Akis Tsohaxopulos, i cili kishte fituar lirinë me kusht kundrejt një garancie bankare. Gjykata e Apelit nuk i njohu asnjë masë lehtësuese ish-ministrit edhe pas problemeve me shëndetin apo sjelljes së mirë në burg. Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Apeli i uli vetëm një vit burg duke e çuar dënimin nga 20 në 19 vite burg.
Një linjë hekurudhore drejt Azisë që shmang Rusinë
Liderët e Turqisë, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë kanë përuruar punimet e një linje hekurudhore 826 km të gjatë që do të lidhë Europën me Kinën duke shmangur linjën tradicionale ruse.
Në kryeqytetin azer, Baku, liderët e të trija vendeve kanë vënë simbolkisht binarët e parë të një linje që bën pjesë në aksin kinez të Rrugës së Mëndafshit, por që nuk fsheh synimet strategjike që ta kthejë gjigandin rus në një xhep që qëndron anash atij që mendohet të jetë një korridor tregëtar ndër më të mëdhenjtë në botë.
Komisioni Europian detyrohet të flasë për profesor gjeneralin Lazareviç në Serbi
Bashkimi Europian e cilëson të pavend dhe vendimin e qeverisë serbe për të caktuar në Akademinë Ushtarake, gjeneralin Vladimir Lazareviç, i dënuar për krime lufte në Hagë.
Kotzias-Erdogan, jo të gjitha çështjet mbi tavolinë
Vizita e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzia të mërkurën e kaluar në Ankara shihet si një përpjekje për rikthimin e marrëdhënieve greko-turke në një trajektore normaliteti dhe shmangien e tensioneve në hapësirën ajrore të Egjeut.
Ministri i jashtëm grek zhvilloi takime me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dhe homologun e tij turk Mevlüt Çavuşoğlu për gjithë axhendën e marrëdhënieve dypalëshe.
Jep dorëheqjen presidenti i kurdëve të Irakut, Marsoud Barzani
Presidenti i kurdëve të Irakut Marsoud Barzani ka deklaruar se do të japë dorëheqjen më 1 nëntor. Barzani ka përcjellë një mesazh televiziv duke sqaruar se nuk ka ndërmend të vijojë qëndrimin në detyrë përtej kësaj date për asnjë rrethanë. Vendimi vjen pas një referendumi për pavarësi që provokoi tensione në rajon. Forcat Shiite irakene ndërmorën një ofensivë ndaj rajonit kurd duke kapur qytetin e Kirkuk, i njohur për naftën.
Akuza për ngacmime seksuale edhe për Kevin Spacey. Aktori pranon se është gay
Harvey Weinstein duket se ka hapur kutinë e Pandorës për atë që është industria e filmit në ShBA. Akuzat ndaj tij për ngacmime seksuale ndaj aktoreve të reja kanë shkuar tanimë në 50, ndërkohë që kjo histori po nxjerr në dritë edhe përvoja të tjera të ngjashme. Një e tillë është fare e papritur dhe ka të bëjë me aktorin e njohur Kevin Spacey. Ai akuzohet nga Anthony Rapp, aktori 46 vjeçar i serialit Star Trek, I cili në një intervistë për BuzzFeed News, deklaroi se është ngacmuar seksualisht nga Spacey në moshën 14 vjeçare.
Paralajmërimi i Kinës/Testet bërthamore koreanoveriore mund të çojnë në shembjen e malit Punggye-ri
Akademia Kineze e Shkencave ka paralajmëruar Phenianin zyrtar se teste të mëtejshme bërthamore rrezikojnë shembjen e malit Punggye-ri. Informimi mbi këtë çështje është bërë nga Instituti i Gjeologjisë dhe Gjeofizikes i cili a vënë në dispozicion të dhënat e veta për një delegacion koreanoverior që drejtohej nga Lee Doh-sik, kreu i Institutit për Kërkime Gjeologjike. Zona e testimeve është vetëm 80 km nga kufiri kinez dhe mendohet se shembja e malit mund të provokojë një katastropfë të vërtetë.
Belgjika e gatshme t'i japë azil politik Carles Pouigdemond
Belgjika e sheh si opsion real dhënien e azilit politik për presidentin e Katalonjës, Carles Pouigdemond. Qeveria spanjolle i ka hequr atij të gjitha kompetencat pas shpërbërjes Parlamentin e rajonit autonom.
Në të njëjtën kohë, Gjykata Kushtetuese e Spanjës po shqyrton rastin e referendumit për pavarësi, për të përcaktuar nëse ai mund të konsiderohet si rebelim.
Trump autorizon zbulimin e plotë të dosjes Kennedy
Presidenti i SHBA Donald Trump ka njoftuar se do të autorizojë zbulimin e të gjitha dokumenteve që kanë të bëjnë me vrasjen e John F. Kennedy, përveç atyre që përmbajnë emrat dhe adresat e njerëzve ende të gjallë.
"Pas konsultimeve rigoroze me Gjeneralin Kelly, CIA-n dhe agjencitë e tjera, unë do të autorizoj lirimin e të gjitha dosjeve të JFK, përveç emrave dhe adresave të njerëzve ende të gjallë," tha Trump në një seri postimesh në Twitter.
Ish-kryeministri i Katarit: SHBA koordinoi përpjekjet ushtarake për rrëzimin e Assadit
Katër shtete, mes tyre edhe SHBA, komplotuan për të rrëzuar nga pushteti Bashar al Assadin e Sirisë. Informacioni ka kohë që qarkullon si një e vërtetë jo zyrtare, por së fundmi ai është konfirmuar edhe nga ish-zv.kryeministri i Katarit, Hamd bin Jassim në një intervistë të datës 26 tetor 2017 në televizionin kombëtar të këtij vendi.
Katari, Arabia Saudite dhe Turqia dërguan armët drejt militantëve që luftonin kundër presidentit sirian përmes personelit ushtarak amerikan në rajon.
