Blloku Bota
Këshilli Shtetëror rrëzon qeverinë belge për masat anti-Covid
Këshilli Shtetëror në Belgjikë i ka dhënë të drejtë një kompanie produksioni, e cila ankimoi vendimin e qeverisë për të mbyllur kinematë, qendrat e artit dhe sallat e koncerteve.
Masat e reja kufizuese hynë në fuqi të dielën, por vendimi u kundërshtua nga disa biznese të sektorit të kulturës, të cilat qëndruan të hapura në shenjë proteste.
Qeveria e vendosi edhe sektorin e kulturës nën masat kufizuese, pavarësisht se komiteti shkencor deklaroi se vende të tilla nuk përbëjnë rrezik shtesë për shëndetin publik.
Rusia mbyll shoqatën me arkivin më të madh të Gulagëve
Gjykata më e lartë e Rusisë vendosi mbylljen e Memorial International, organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që disponon arkivin më të madh në botë të dokumenteve dhe dëshmive të epokës së gulagëve. Organizata ishte futur në futur në listën e “agjentëve të huaj” nga qeveria ruse, ndërsa dy ditë më parë lideri i saj historik, Yuri Dimitrev, u dënua me 15 vjet burg nga një gjykatë në Petrozavodsk.
Nga Tirana në Beograd, dy botë. Ambasadori amerikan Godfrey: Nuk ndërhyjmë në punët e Serbisë
Ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey ka paralajmëruar Beogradin për manovrat dhe marrëveshjet e tij me Rusinë. Duke folur në Tv Prva, Godfrey ka prekur temën delikate të energjisë që sipas palës amerikane është ndër instrumentet kryesore të presionit politik nga Moska.
Unë pres që Serbia do të marrë pjesë në një projekt të rëndësishëm për importin e gazit përmes Greqisë, që është një partneritet shumë i rëndësishëm. Serbia duhet të marrë vendimet e veta, ideja më e mirë është aktivizimi i burimeve të ndryshme energjetike
Nis epoka Scholz/ Kthesë në ekonomi me ndihmën e korporatave
Ekonomia e dytë e Europës do të hapë një faqe të re. Mbyllja e epokës Merkel duket se do t’ia lërë vendin një ekonomie më të të gjelbër dhe më dixhitale, një plan për të cilin krahas qeverisë do të angazhohen edhe titanët e korporatave si Volkswagen dhe Siemens.
Kina përplaset me SHBA-në në hapësirë
Gara SHBA-Kinë është zhvendosur prej kohësh edhe në hapësirë. Por një incident i fundit i ka acaruar marrëdhëniet edhe në këtë pikë. Pekini e akuzoi sot SHBA-në për sjellje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme në hapësirë për shkak të dy “takimeve të afërta” mes stacionit hapësinor kinez dhe satelitëve të kompanisë Starlink të miliarderit amerikan, themeluesit të Tesla, Elon Musk.
Turqia vetofrohet si ndërmjetëse në krizën e Bosnjës
Turqia është ofruar të bëjë rolin e ndërmjetëses në krizën e Bosnjës. Ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka zhvilluar një vizitë në Sarajevë, ku u takua me liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, presidencën boshnjake dhe zyrtarë të tjerë, sipas ministrisë së tij.
“Ne e shohim Bosnjën dhe Hercegovinën në tërësi. Ne kemi bërë gjithçka mundemi për unitetin dhe stabilitetin e tij dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Akar për transmetuesin CNN Turk pas bisedimeve të tij.
Afrika e Jugut kërkon çelësin e qelisë së Mandelës
Afrika e Jugut po përpiqet të pengojë nxjerrjen në ankand të çelësit të qelisë ku vuajti për shumë vite Nelson Mandela. Çelësi i qelisë së burgut Robben Island në Cape Town pritet të dalë në ankand më 28 janar në Nju-Jork, si pjesë e një grupi relikesh të Mandelës.
Shumica e objekteve që dalin në ankand janë siguruar nga anëtarët e familjes së Mandelës për të mbledhur fonde për një muze dhe kopsht, që është planifikuar të ndërtohet rreth varrit të tij. Ndërsa çelësi po shitet nga ish-roja e burgut, i cili u bë miku i Mandelës.
Opozita polake akuzon qeverinë: Po na përgjon
Lideri i partisë opozitare polake të Platformës Qytetare akuzoi qeverinë se gjatë fushatës zgjedhore 2019, telefoni i tij u hakerua 33 herë nga qeveria dhe u përdor për të minuar planet e partisë së tij.
Krzysztof Brejza thotë se për përgjimin e telefonit të tij është përdorur programit Pegasus, i krijuar nga izraelitët.
Rasti në fjalë është i treti që zbulohet brenda një jave dhe pritet të thellojë përplasjen mes Brukselit dhe partisë nacionaliste qeverisëse, Ligj dhe Drejtësi (PiS), në lidhje me demokracinë në vend.
Ndotësit më të mëdhenj të planetit
Pesë janë vendet që gjenerojnë 60% të ndotjes globale. Sipas shifrave të vitit 2019, vetëm Kina prodhon ndotje sa katër të tjerat të marra së bashku. Për më tepër sasia e CO2 që prodhon ajo sa vjen e rritet.
Në mënyrë të veçantë, janë pesë kompanitë më të mëdha të industrisë kineze që lëshojnë në atmosferë sasitë më të mëdha të dioksidit të karbonit. China Baoëu, prodhuesi më i madh i çelikut në botë, çliron CO2 sa i gjithë Pakistani.
“Zbutja” e Rusisë, tërhiqen 10 mijë trupa nga kufiri me Ukrainën
Rusia njoftoi tërheqjen e më shumë se 10 000 trupave të vendosura në zonën kufitare me Ukrainën. Moska tha se kjo tërheqje shënon përfundimin e stërvitjeve ushtarake pranë Ukrainës, në një kohë që Perëndimi prej kohësh ka hedhur hipotezën se ajo ishte pjesë e një plani për të pushtuar ish-fqinjin e saj sovjetik.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se stërvitjet për forcat e Qarkut Ushtarak Jugor u zhvilluan në një mori rajonesh jugore duke përfshirë Rostovin, Krasnodarin dhe Krimenë, të cilat Moska ia mori Ukrainës në vitin 2014.