Jahjaga: Kosova nuk do të mbetet peng i krizës. Në Beograd nuk do të shkoj për shkak të prioriteteve tjera që ka vendi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Në një intervistë për gazetën “Tribuna” u shpreh se koha deri kur do të presë liderët e partive politike që të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve pwrcaktohet nga nevoja për miratimin e buxhetit dhe afatet e organizimit të zgjedhjeve. Ajo i ka vlerësuar zgjedhjet e parakohshme si opsion i fundit, por ka shpjeguar se ua ka bërë të qartë edhe liderëve të partive se vendi nuk mund të mbetet pafundësisht peng i krizës dhe në mungesë të vullnetit për zgjidhje, edhe zgjedhjet janë opsion. Jahjaga ka thënë se lehtësimi i gjetjes së zgjidhjes është proces i vështirë, sepse kemi të bëjmë me një demokraci të brishtë, një kushtetutë të pa testuar dhe një realitet të komplikuar, të ndarë mes procedurave demokratike dhe shumicës parlamentare. “Përpos kësaj, kemi të bëjmë me interesa personale, hasmëri dhe mospajtime të ndryshme, të cilat nuk do të duhej ta mbanin peng krijimin e institucioneve, por ja që po e bëjnë këtë”, ka shtuar e para e vendit. Për gazetën “Tribuna” Jahjaga, ka thënë se nuk do të shkojë në Beograd për shkak të prioriteteve tjera që ka Kosova. Sipas saj, në Serbi ende shpesh bëhen deklarata që i takojnë një mendësie të kaluar nacionaliste e që nuk i kontribuojnë realizimit të vizionit evropian për rajonin, por këto deklarata nuk kanë ndikuar në vendimin e saj.
L.V
Add new comment