Ismet Haxhia flet për vrasjen e Azem Hajdarit: Ishte krim politik, jo ordiner

Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", botuar të premten 31 tetor 2014, Ismet Haxhia, i dënuari me 20 vjet burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit, thotë se ngjarja e 12 shtatorit 1998 është krim i rëndë politik dhe jo ordiner. “Kjo çështje nuk u hetua kurrë në thellësinë dhe gjerësinë e duhur, por veçse u gjykua mbi të dhënat fiktive të dorëzuara në ekipin e hetimit. Këto të dhëna i shërbenin mbulimit të autorëve të vërtetë të krimit", thotë Haxhia për "Gazeta Shqiptare". Ai shprehet se vëllai i tij, Izeti ka dalë pa asnjë dyshkë në xhep nga e gjithë kjo histori, ndërsa për veprimet e Jaho Salihit thotë se: "Shefi (Jaho) me bëmat e tij, i veshur me uniformën e policisë, ia nxori bojën këtij dikasteri dhe strukturave që e kishin emëruar atë në detyrë”. Më pas Ismet Haxhia thotë: “Vrasja e Azem Hajdarit është një vrasje e shëmtuar, tërësisht politike dhe paraqitja e kësaj vrasjeje si ordinere nga kjo 'drejtësi' që e kemi peshqesh po nga politika, është një krim i rëndë, që mbivendoset mbi këtë krim makabër, i cili i pastroi rrugën krimit politik të pandëshkuar. Unë, para 10 vjetëve, kam shkruar një libër, me anën e të cilit jam përpjekur të hedh sadopak dritë mbi shkaqet dhe rrethanat që çuan në vrasjen e deputetit demokrat, si dhe mbi faktin tronditës, që kjo çështje nuk u hetua kurrë në thellësinë dhe gjerësinë e duhur, por veçse u gjykua mbi të dhënat fiktive të dorëzuara në ekipin e hetimit. Këto të dhëna i shërbenin mbulimit të autorëve të vërtetë të krimit dhe përdorimin e tyre me qëllime të pastra politike”.
L.V
Add new comment