“Vatra” sugjeron 7 pika që sipas saj Edi Rama duhet të kërkojë nga Vuçiç

Postuar në 09 Nëntor, 2014 04:10

Lëvizja “Vatra” ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që me homologun e tij serb të diskutojë dhe njëkohësisht të kërkojë me ngulm zbatimin e shtatë pikave që do të përmirësonin sadopak jetën e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Sipas një komunikate të ‘Vatrës’, publikuar nga “Express”, gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore është shumë e vështirë dhe pikërisht kjo vizitë nga autoritet shqiptare duhet të shfrytëzohet për të kërkuar që në mënyre urgjente të ndalohet diskriminimi i shqiptarëve nga pushteti serb në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Këto janë shtatë pikat e shoqatës “Vatra”:

-Serbia duhet të garantojë zhvillimin e barabartë ekonomik të Rajonit të Kosovës Lindore duke nxitur punësimin e shqiptarëve e mbi të gjitha punësimin e të rinjve, pasi kjo pjesë është ndër më të varfëruat në gjithë kontinentin e Europës. Këtë e dëshmojnë statistikat zyrtare të vetë Serbisë. Këto statistika tregojnë se në pjesën e Serbisë pa Kosovën Lindore, të papunë janë vetëm 15 % të qytetarëve, kurse në Kosovën Lindore, ku shumica janë shqiptarë, të papunë janë 95%.

-Serbia t’i ndalë arrestimet politike të bazuara në akuzat e fabrikuara e të montuara nga kuzhinat e pushtetit serb. Të ndalet ndjekja dhe keqtrajtimi i ish-ushtarëve të UÇPMB-së që po vazhdon prej 13 vitesh.

-Të bëhet çmilitarizimi i menjëhershëm i Kosovës Lindore dhe heqja e bazave ushtarake siç është: Kampi ushtarak i Cepotini, kampi në fshatin Ramabuqe dhe kampi ushtarak në lagjen Litesh në Zarbicë, e tjerat të vendosura në Kosovën Lindore, sepse po përhapin frikë te banorët, që ndikon direkt në moskthimin e tyre. Të zbardhet vrasja enigmatike e Komandant "Lleshit" Ridvan Qazimi.

-Të fillojë implementimi i marrëveshjes së Konçulit dhe të zbatohet vullneti i përfaqësuesve politikë i dalë nga platforma politike e tre kuvendeve të komunave shqiptare në vitin 2006. Të garantohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e mallrave nga Kosova e Shqipëria.

-Të mundësohet kthimi i menjëhershëm e të dëbuarve nga Kosova Lindore, të cilët forcat serbe i dëbuan me dhunë mbi 20.000 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në vitin 1999-2000, të cilët sot e kësaj dite nuk janë lejuar të kthehen mbi 15.000 banorë. Njëkohësisht t`u garantohet siguri në pronat e veta dhe ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga ushtria e shtetit serb.

-Të lejohet hapja e universitetit në gjuhën shqipe në Kosovën Lindore.

-Të lejohet përdorimi i simboleve dhe të respektohet dy gjuhësia, të lejohet që në Kosovën Lindore të punohet me plan program arsimor të Shqipërisë dhe Kosovës. Të lejohet përdorimi i gjuhës shqipe në aspekt zyrtar dhe të kthehet lapidari menjëherë në qendër të Preshevës.

n.k 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.