Tekstet e historisë, ministri grek i Arsimit, vizitë në Tiranë më 19 nëntor. Takime edhe në zonat e minoritetit në jug të vendit

Ministri i Arsimit, Çështjeve Fetare, Kulturës dhe Sportit të Greqisë, do të jetë në Tiranë më 19 nëntor të këtij viti. Bëhet e ditur se Andreas Loverdos do të takohet me homologen e tij Lindita Nikolla me të cilën do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Tema kryesore e vizitës do të jenë tekstet e shkollave që kanë të bëjnë me pasqyrimin e raporteve historike greko-shqiptare si dhe me ato që lidhen me letërsinë. Puna për rishikimin e teksteve ka shumë kohë që ka nisur dhe në muajin mars të këtij viti edhe ministrja Nikolla ishte në Athinë, pikërisht për këtë çështje. Janë ngritur edhe grupe pune në nivel ekspertësh, por ende nuk ka një produkt final. Në datën 20 nëntor, Loverdos do të jetë në një nga zonat e minoritetit grek në Shqipëri, ku pritet të vizitojë edhe ndonjë institucion arsimor. Për të vijuar me temën e arsimit në gjuhën greke, bëhet e ditur se katedra e gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës, këtë vit ka një rënie të madhe në numrin e studentëve. Sipas burimeve të “ResPublica” këtë vit janë regjistruar vetëm katër studentë.
s.z
Add new comment