Çudia e radhës! Kumbaro do ta vizitojë “privatisht” Panairin e Librit. Zyra për shtyp thotë se ministrja e Kulturës nuk ka patur ftesë nga organizatorët

Prezantohet me dy përkthime të Milan Kunderës dhe kjo është arsyeja që ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, do ta vizitojë “privatisht” dhe jo zyrtarisht panairin e 17 të Librit që ka hapur dyert që prej 12 Nëntorit në Tiranë.
Zyra për shtyp e zonjës Kumbaro e kontaktuar nga "ResPublica" ka konfirmuar se ministres nuk i ka munguar as dëshira dhe as vullneti për të vizituar Panairin e Librit, por thotë se në adresë të saj nuk ka ardhur asnjë ftesë nga organzatorët e këti aktiviteti.
“Ministrja do të shkojë në Panair kur të gjejë kohën e përshtatshme në ditët në vazhdim, ndoshta të shtunën. Do shkojë “privatisht”, por edhe si ministre e Kulturës, pasi prezantohet me dy përkthime të Milan Kunderës botuar nga shtëpia “Ditura”-, ka thënë për ResPublica zëdhënësja për shtyp e kësaj ministrie, Milena Selimi.
Kabineti i ministres Kumbaro megjithatë sipas zyrës për shtyp ka qenë i pranishëm në Panair me Drejtorin e Librit të Ministrisë së Kulturës dhe specialistë të këtij dikasteri.
Këtë vit Panairi i Librit nuk është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, e cila zgjodhi të mbështesë një tjetër projekt alternativ siç është ai i Festivalit të Librit dhe Artit Pamor që hapi dyert në 23 Prill të këtij viti në Muzeun Kombëtar.
Festivali i Librit dhe Artit Pamor nisi 2 vjet më parë si iniciativë e Shoqatës së Librit Shqip që drejtohej nga publicisti i njohur Ardian Klosi, vendin e të cilit e ka zënë botuesja Arlinda Dudaj. Çelja e këtij Festivali në 23 Prill të vitit të kaluar u shoqëua me një ceremoni zyrtare, ku fjalën e hapjes e mbajti gazetarja Rudina Xhunga dhe më pas ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ndërsa nuk mungoi me përshëndetje edhe ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj.
Ndërsa Panairi i 17-të i Librit, ku prezantohen më shumë se 85 shtëpi botuese nga Shqipëria e Kosova deri më tani nuk është vizituar nga asnjë përfaqësues i qeverisë, ndoshta për faktin se ai nuk figuron në 68 projektet e mbështetura financiarisht nga Ministria e Kulturës.
Ministrja Kumbaro ka deklaruar se refuzimi për të mbështetur financiarisht Panairin e Librit ishte sepse organizatorët kanë patur mangësi në dokumentacionin e dorëzuar pranë Ministrisë së Kulturës.
l.m
Add new comment