Kissinger: “Shteti si njësi është vënë nën goditje. Paqja e Vestfalisë, modeli për rendin e ri ndërkombëtar. Krimea, rast i veçantë”

Henry Kissinger i ka dhënë një intervistë të mirënjohurës gjermane, “Der Spiegel”. Ai ka folur për problemet e sigurisë sot në botë, për çështjet më të nxehta, por sigurisht, duke dhënë mendimin e tij edhe për atë që është tema më e lakuar prej tij së fundmi: nevoja për riformulimin e rendit ndërkombëtar sot. Po shkëpusim ato që Kissinger thotë në pyetjet e para, meqenëse janë disa përcaktime me natyrë doktrinare. “Kaosi po na kërcënon, përmes përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë dhe terrorizmit. Është shfaqur dukuria e territoreve të paqeverisura dhe ne kemi parë në Libi, p.sh, se një territor i paqeverisur mund të ketë impakt të jashtëzakonshëm në prishjen e rendit në botë. Shteti si njësi është vënë nën sulm, jo në çdo pjesë të botës, por në shumë zona të saj”, thotë ish-Këshilltari amerikan për Sigurinë. Por paradoksalisht, sipas tij, është kaosi dhe natyra “infektuese” e tij ai që dikton dhe i jep kuptim më shumë nevojës për rendin botëror. “Kjo është hera e parë që pjesë të ndryshme të botës mund të ndërveprojnë me çdo pjesë tjetër. Kjo e bën një rend të ri për botën e globalizuar të domosdoshëm. Por mungojnë rregullat e gjithëpranuara universale. Ka një pikëpamje kineze, një islamike, është pikëpamja perëndimore dhe në disa drejtime edhe ajo ruse. Dhe ato me të vërtetë që shpesh nuk përputhen”, thotë Kissinger. Modeli që sipas tij aktualizohet sot është ai i Vestfalisë, i vitit 1648, pas Luftës 30-vjeçare në Europë, model që ka kuptim, sepse ndërtohet mbi ekulibrin e forcës dhe jo mbi ndonjë superioritet moral të presupozuar. Duke folur për gjëra më konkrete, p.sh për krizën ukrainase, Kissinger ka nënvizuar mendimin se “Krimea është një rast i veçantë”.
http://www.spiegel.de/international/world/interview-with-henry-kissinger...
s.z
Add new comment